Ekonomia nën hije të zgjedhjeve
Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, paga minimale, inflacioni, mungesa e fuqisë punëtore, tensionet në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë pa dyshim se do të reflektohen edhe në ekonominë vendore
Fisnik PASHOLLI
Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që do të ngadalësojnë ekonominë, paga minimale që do arrijë afër 360 euro, ulje e inflacionit, sërish mungesë e fuqisë punëtore,frikë se si tensionet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë do të reflektohen në ekonominë vendore. Këto do të jenë vetëm disa nga ngjarjet që do të shënojnë ekonominë në vitin 2024. Sivjet na presin edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare që si zakonisht – edhe ngadalësojnë ekonominë, ndërkohë që afaristët do të jenë në pritje e sipër të formimit të Qeverisë së re dhe hapave që ajo do të ndërmerr në fushën e ekonomisë dhe biznesit. Maqedonia këtë vit e pret me një buxhet rekord prej 5.5 miliardë euro, ku 660 milionë euro shkojnë për paga dhe 730 milionë euro për investime kapitale, që do të shohim se sa do të realizohen deri në fund apo do të shkurtohen me rishikimin e buxhetit. Gjithashtu me buxhetin e propozuar për vitin 2024, shteti planifikon të marrë 1.2 miliard euro hua. Me këto para planifikohet mbulimi i deficitit, por edhe shlyerja e borxheve të vjetra.
Ekspertët ekonomik thonë se pritshmëritë e qeverisë janë pozitive, por dilema është se sa janë ato realiste . Para së gjithash, për shkak të mjedisit aktual ekonomik të brendshëm, i cili lë për të dëshiruar , rreziqet ende të pranishme në nivel global, por edhe procesi zgjedhor që do të dominojë gjatë vitit të ardhshëm. Ekspertët janë përgjithësisht të përmbajtur në vlerësimin nëse dhe sa optimist duhet të jetë në kushtet aktuale.
Profesori universitetar Vanço Uzunov thotë se viti i ardhshëm 2024 do të jetë vit elektoral në vendin tonë, në Evropë dhe në SHBA, prandaj sipas tij, do të kalojmë mirë nëse 2024-ta është më e mirë se viti 2023. “Për vitin e ardhshëm ka një lajm të mirë dhe një lajm jo aq të mirë. Lajmi i mirë është se inflacioni pritet të zbutet, çka do të thotë se do të dalim ngadalë nga presioni aktual inflacionist dhe do të hyjmë në ujëra më të qeta nga pikëpamja makroekonomike dhe kjo është mirë për biznesin në çdo rast. Një lajm jo edhe aq i mirë, thekson ai, është se viti i ardhshëm është vit zgjedhor. Kur mblidhen shumë zgjedhje në një vit, ato janë të mira për demokracinë, por jo të mira për biznesin. Një vit zgjedhor, veçanërisht në vendet e vogla si Maqedonia, do të thotë për ekonominë të paktën një gjysmë viti aktivitet të reduktuar ose kushte të pandryshuara – asgjë nuk ka ndryshuar. Qeveria nuk do të punojë, do të jetë teknike, kështu që nëse viti i ardhshëm është pak më i mirë se ky vit, do të kalojmë mirë”, konstaton Uzunov.
Buxheti i propozuar i shtetit për vitin me dy procese zgjedhore është i lartë me një rekord të arritur deri tani rëndë. Përderisa Qeveria shprehet optimiste se arka e tillë e shtetit do të sjell zhvillim, ekspertët nga ana tjetër paralajmërojnë të bëhet kujdes me ekonominë në vitin e ardhshëm.
Nga ana tjetër, profesori universitetar Neritan Turkeshi thotë kemi një optimizëm për rritjen e të ardhurave me dhjetë për qind në vitin 2024 karshi vitit 2023, që sjell edhe rritje të shpenzimeve mirëpo shton se pritet të shihet se si do të realizohen ato sipas tremujorëve dhe deri në fund të vitit.
“Njëherësh ky optimizëm duhet të merr parasysh edhe minusin e arkës së shtetit prej 3.6 për qind, apo dallimin midis të hyrave dhe të dalave në buxhet në vitin e ardhshëm së bashku me procesin e uljes së planifikuar të dallimit midis të ardhurave dhe shpenzimeve qeveritare apo shtrëngimit të financave publike. Me fjalë tjera besohet se do të mbetet orientimi i fuqishëm qeveritare që të mos rritet deficiti i buxhetit më shumë se kufiri prej 3.5 apo 3 për qind i përcaktuar me kriteret e Mastrihtit, që me fjalë të tjera nënkupton edhe uljen e borxhit publik. Apo në të kundërtën rritja e deficitit në buxhet rrit edhe borxhin publik. Në aspektet e tjera të buxhetit akoma janë të larta ndihmat e shtetit për pagesën e pensioneve, është i lartë niveli edhe i pagave për administratën publike në totalin e buxhetit si dhe mbetet brenga për realizimin sa më të madh të investimeve kapitale si mbështetës i madh i zhvillimit ekonomik të vendit”, përfundon Turkeshi.
Kryetari i këshillit drejtues të Shparkase Maqedoni, Sanel Kusturica thotë se pavarësisht sinjaleve pozitive të rimëkëmbjes globale të reflektuara nga pritjet për një rritje të konsiderueshme të rritjes së vlerësuar të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe një ulje të inflacionit (në nivel të BE-së) si partneri ynë tregtar më i rëndësishëm për vitin e ardhshëm, mjedisi ekonomik global në vitin 2024 ka të ngjarë të mbetet i pasigurt dhe plot sfida, prandaj nevojiten përshtatshmëria, fokusi, disiplina dhe gatishmëria e politikëbërësve kryesorë ekonomikë, sektorit privat dhe të gjithë aktorëve tjerë. Sipas tij përskaj sfidave të ndryshme që e presin biznesin në vitin 2024, që do të jetë plot rreziqe dhe paqartësi dhe aspak i lehtë për afarizmin. “Përveç sfidave me të cilat përballen kompanitë tona, të cilat janë të përcaktuara nga jashtë dhe që lidhen me tendencat ekonomike të partnerëve tanë më të rëndësishëm tregtarë, sfida më e madhe me të cilën përballen kompanitë, aktualisht dhe në të ardhmen e afërt , ka të bëjë me punonjësit. Tendencat e dukshme të largimit të punonjësve nga shteti, si pasojë mbi të gjitha e mungesës së perspektivës, ka një ndikim të rëndësishëm në perspektivat e ardhshme të kompanive. Përshpejtimi i proceseve integruese evropiane të vendit është e vetmja perspektivë që mund të krijojë ekuilibrin e nevojshëm në këtë kuptim”, thekson kreu i Sparkase Bank Shkup, Kusturica.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore kërkon nga Qeveria ulje të kontributeve, liberalizimin e fuqisë punëtore dhe rritjen e kuotave për punëtorët e huaj. Kjo, sipas tyre, është pjesë e zgjidhjeve për tejkalimin e problemit me mungesën e fuqisë punëtore. Në afat të gjatë, ata vlerësojnë se duhet të përgatitet një program afatgjatë, në të cilin Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të ketë rolin kryesor për të krijuar profile adekuate për ekonominë vendase.
Nga OEMVP thonë se një nga problemet më të mëdha për biznesin është edhe mungesa e fuqisë punëtore, ku OEMVP vlerëson se zbutja e problematikës së shpërnguljes të të rinjve, në radhë të parë duhet të fillojë me uljen e kontributeve të pagave me qëllim që biznesi jetë më konkurrues me paga më të mëdha për fuqinë punëtore, si dhe rritja e kuotave të importimit të fuqisë punëtore. Presin që masat afatshkurtra si praktikë të ndërpriten, përderisa problemet të zgjidhen në mënyrë permanente.
Njëri prej propozimeve që oda e ka adresuar tek Qeveria është ulja kontributeve nga 54 në 32 për qind nga paga NETO. Kjo pritet të kontribuojë pozitivisht tek paga NETO e punonjësve, me çfarë si rrjedhojë në bazë të analizave tona , ulje e kontributeve BRUTO në 32 për qind do të mundet që paga minimale në Maqedoni të bëhet 500 euro.
Arben Halili nga OEMVP, vlerëson se duke marrë parasysh se viti 2024 është vit zgjedhor në Maqedoni, kjo nënkupton se gjashtë muajt e ardhshme, biznesi do ballafaqohet me sfidën e mos fuksionalitetit të institucioneve shtetërore me theks të veçantë tek kompanitë në realizimin e investimeve kapitale nga ana e shtetit, do ballafaqohen edhe me vonesat e realizimit të faturave të tyre, kurse sfida më e madhe për ta do të jetë pikërisht mungesa e fuqisë punëtore gjithnjë në rritje. Bile sot më në Maqedoni nuk bëhet fjalë për fuqi të kualifikuar punëtore në tregun e punës dhe as jo të pakualifikuar.
Së dyti, rritja e vazhdueshme e pagave me theks të veçantë në sektorin publik e ngarkon sektorin privat që në emër të tatimeve duhet të sigurojë rritjen plotësuese të pagave për sektorin publik të mbi ngarkuar. “OEMVP, kërkoi uljen apo lirimin nga pagesa e kontributeve për diferencën e pagës ku sektori i biznesit ka të drejtë të kërkojë uljen e pagesës së kontributeve ndaj qeverisë për vetë faktin se është kontribuuesi i vetëm në mbushjen e arkës së shtetit për dalim nga shteti që është vetëm harxhues dhe nuk prodhon asgjë”, thekson Halili. Sipas tij për çdo vit Fondi Pensional po ballafaqohet me mungesën e fondeve të mjaftueshme për pagesën e rregullt të pensioneve, në mungesë të më shumë punonjësve që mbushin arkën e tij me kontributet e tyre. “Andaj zgjidhjen e kësaj problematike shteti duhet të mbështesë edhe me rritjen në të paktën 20 mijë punëtorë në vit nga importi që do të siguronte të hyra shtesë në emër të kontributeve”, përfundon Halili.
Në ndërkohë analizat e Bankës Botërore për Maqedoni thonë se Perspektiva afatmesme është pozitive, por mbizotërojnë rreziqet nga zvogëlimi i rritjes. Rritja në vitin 2023 pritet të rritet në mënyrë modeste deri në 1,8 për qind, duke e pasqyruar ngadalësimin tek partnerët kryesorë tregtar të vendit si pasojë e tërthortë e luftës në Ukrainë. Rritja pritet të përshpejtojë në mënyrë të matur në afat të mesëm e nxitur nga rritja e investimeve publike dhe nga rimëkëmbja e konsumit përpara ngadalësimit drejt rritjes potenciale. Borxhi publik pritet të rritet në afat të mesëm, si rezultat i ndërtimit të seksioneve të autostradave të Korridorit 8 dhe 10d dhe të rritjes së pagave. Deficiti fiskal është projektuar të shënojë rënie nën 3 për qind e PBB madje pas vitit 2027.
Pas ngadalësimit që përjetoi në vitin 2023, rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të përshpejtohet me ritëm të moderuar gjatë vitit 2024 për të arritur në tre për qind në kushtet e rimëkëmbjes së vazhdueshme në Bashkimin Evropian, partnerit kryesor tregtar të rajonit, dhe niveleve më të ulëta të inflacionit që pritet të ndihmojnë forcimin e të ardhurave të disponueshme dhe të mbështesë konsumin, thuhet në Raportin e fundit të Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, të publikuar një muaj më parë.
Edhe pse rreziqet bazë mbeten edhe më tej dhe i pasqyrojnë perspektivat e partnerëve kryesor tregtar të vendit, përafrimi i negociatave për anëtarësim në BE mund t’i përshpejtojë reformat kritike dhe të nxit rritjen ekonomike në Maqedoni. Megjithatë, pasiguria e theksuar politike dhe bllokada e zgjatur e parlamentit për shkak të mungesës së konsensusit për ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale në gjysmën e parë të vitit 2024 mund të vonojnë zbatimin e reformave. Së fundi, dështimi i politikave mund të dobësojë qëndrueshmërinë fiskale dhe të forcojë qëndrueshmërinë e inflacionit, duke bërë të nevojshme shtrëngimin e mëtejshëm të politikës monetare që mund të kufizojë më tej mundësitë e financimit dhe të ngadalësojë aktivitetin ekonomik në të ardhmen.
Gjithashtu, krizat të cilat u ndërlidhën njëra me tjetrën e dëmtuan potencialin për rritje dhe edhe më tej e ngadalësuan përafrimin me BE. Kalimi nga një vend me të ardhura mesatare në një vend me të ardhura të larta kërkon nisjen e reformave dhe ballafaqim me kufizimet kritike për rritjen e ardhshme. Aktivitetet e politikave duhet të jenë të orientuara kah rivendosjes së mekanizmave mbrojtës dhe zvogëlimit të cenueshmërisë nga goditjet e ardhshme. Nxitja e produktivitetit, avancimit në përfshirjen dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe të mjedisit jetësor janë kritike për rritjen afatgjate të vazhdueshme në kontekstin e pasigurisë së theksuar dhe gjerësisht të përhapur. Dekarbonizimi i ekonomisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë nga goditjet klimatike është i nevojshëm për ruajtjen e konkurrencës ndërkombëtare të zbatimit të Mekanizmit të Rregullimit Ndërkufitar të BE-së. Rritja e shpenzimeve kapitale produktive si pjesë e buxhetit afatmesëm duke ruajtur qëndrueshmërinë fiskale do të ishte vendimtare për nxitjen e rritjes, konstaton Banka Botërore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Huazuar nga Koha.mk