E rëndë në Tiranë/ I riu plagos 53-vjeçarin, shpallet në kërkim autori nga Policia
Një sulm me thikë ka ndodhur mesditën e sotme në Tiranë. Burimet policore bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në zonën e Yzberishtit, ku një 53-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë në bark dhe është dërguar menjëherë në spital për të marr mjekimin e duhur.
Mësohet se shtetasi me inicale E.Rr ka qenë në gjendje të dehur, ndërsa policia fillimisht dyshoi se mund të jetë dëmtuar vetë, por pas hetimeve të kryera, rezultoi se ishte goditur me thikë nga një 24-vjeçar me iniciale A.P.
Kjo ngjarje mendohet të ketë ndodhur prej një konflikti për motive të dobëta mes këtyre shtetasve.
Fatmirësisht, 53-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i riu është shpallur në kërkim. Gjithashtu, policia është duke punuar për kapjen e autorit.
Njoftimi i plotë i policisë:
’’Plagosi me mjet prerës një 53-vjeçar pas një konflikti për motive të dobëta, identifikohet autori dhe vijon puna për kapjen e tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në bashkëpunim me Strukturat e DVP Tiranë, pas marrjes së njoftimit se në Yzberisht, është dëmtuar një shtetas me mjet prerës gjatë një konflikti për motive të dobta menjëherë kanë organizuar punën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit si dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Si rezultat i reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta hetimore u bë identifikimi i autorit, shtetasit A. P., 24 vjeç, banues në Tiranë dhe vijon puna për kapjen e tij.
Ky shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta ka plagosur me një mjet prerës shtetasin E. Rr., 53 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.