E rëndë në Itali/ 19-vjeçari shqiptar humb jetën pasi u përplas nga treni, tragjedia ndodhi para syve të miqve

Një 19-vjeçar italo-shqiptar, ka humbur jetën, pasi u godit nga treni në staconin Cesate në periferi të Milanos.
Sipas mediave vendase, i riu po përpiqej të kalonte shinat, për t`u bashkuar me miqtë e tij që ishin në anën e kundërt të platformës së trenit.
Ai ndoshta nuk e pa trenin që po vinte, ose ndoshta e pa nga larg dhe mendoi se mund t’ia dilte.
Por nuk ishte kështu. Gjithçka ndodhi në pak sekonda. Ai u godit dhe u vra nga një tren i Malpensa Express që ishte nisur nga Milano.
19-vjeçari humbi jetën në vendin e ngjarjes. Zjarrfikësit u përballën me një skenë të tmerrshme, ata e nxorën trupin tërësisht të shqyer nga ingranazhet.
Shoferi i trenit dhe miqtë e tij që po e prisnin në anën tjetër të stacionit u tronditën. Policia hekurudhore e Milanos gjithashtu, mbërriti në vendngjarje dhe filloi hetimet e saj.
Hetuesit po shqyrtojnë dëshmitë e miqve dhe imazhet nga kamerat e sigurisë së stacionit.