e-Gate, edhe në Portin e Durrësit dhe Sarandës – Ministrja Koçiu: Do të mundësohet nga sezoni i ardhshëm veror

Share

Teknologjia moderne e kalimit elektronik të kufirit, e-Gate, që ka lehtësuar ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve në Aeroportin e Rinasit, do të shtrihet shumë shpejt edhe në portet kryesore detare të vendit, në Durrës dhe Sarandë.

Gjatë një inspektimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, theksuan rëndësinë e këtij sistemi për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe forcimin e sigurisë kufitare.

“E vendosëm që bashkë me Drejtorin të vinim sot, pikërisht edhe për të parë pak nga afër mënyrën moderne të kalimit të kufirit, duke pasur në konsideratë që aeroporti i Rinasit tashmë është kthyer në një destinacion, i cili fare mirë tregon për ndryshimin dhe zhvillimin e jashtëzakonshëm që ka marrë turizmi në vendin tonë, duke pasur një lëvizshmëri shumë të madhe, një fluks shumë të madh qytetarësh që qarkullojnë, që hyjnë dhe që dalin,” u shpreh ministrja Koçiu.

Ajo theksoi se vetëm në 10 muajt e parë të vitit, mbi 10 milionë qytetarë kanë përdorur sistemin elektronik e-Gate, i cili po ndihmon në përshpejtimin e procedurave dhe lehtësimin e shërbimit kufitar.

Ministrja njoftoi gjithashtu se, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po punohet që sistemi e-Gate të vendoset në Portin e Durrësit dhe në Portin e Sarandës, në mënyrë që gjatë sezonit turistik të ardhshëm, qytetarët që udhëtojnë përmes detit të përfitojnë të njëjtin standard shërbimi si në Rinas.

“Do ta bëjmë efektiv, që në muajt e verës të sezonit të ardhshëm, për t’u shërbyer me të njëjtin standard edhe qytetarëve që lëvizin nëpërmjet detit. Një falënderim nga zemra për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin që tregoni çdo ditë”, u shpreh ministrja Koçiu.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda vlerësoi ndikimin pozitiv të sistemit e-Gate në modernizimin e punës policore dhe përmirësimin e përvojës së qytetarëve. Ai shtoi se sistemi e-Gate ka ndihmuar në përballimin e një fluksi rekord pasagjerësh, që pritet të arrijë deri në 12 milionë në fund të vitit.

Shtrirja e sistemit e-Gate në portet detare pritet të jetë një tjetër hap drejt modernizimit të menaxhimit të kufijve, forcimit të sigurisë dhe ofrimit të një shërbimi europian për qytetarët dhe turistët që vizitojnë Shqipërinë.


Start News

Reklama
Back to top button