Aktualitet dhe Lajme

E ardhmja e Gazës: Skenarët e pasluftës

Share

Pavarësisht skenarëve të pasluftës për Gazën, është e domosdoshme të njihet konteksti më i gjerë i konfliktit izraelito-palestinez, i cili përfshin çështjet e okupimit, zgjerimin e vendbanimeve dhe mohimin e vetëvendosjes palestineze

Nga Ali BAKIR

Lufta e Izraelit në Gaza në vitin 2023 ka ndezur një stuhi spekulimesh për të ardhmen e Rripit të Gazës dhe se kush do të jetë në pushtet pasi të tërhiqet pluhuri nga agresioni izraelit. Këto çështje nuk janë vetëm vendimtare për të ardhmen e afërt të Gazës dhe palestinezëve, por gjithashtu kanë implikime të mëdha për rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme dhe përpjekjet diplomatike ndërkombëtare. Në qendër të fatkeqësisë që po shpaloset është fati i Hamasit, autoriteti “de facto” qeverisës në Gaza pas zgjedhjeve të vitit 2006. Që nga vendimi i saj për të shkelur me “çizme” në Gaza më 27 tetor, zyrtarët izraelitë kanë pretenduar se qëllimi është “asgjësimi” i Hamasit. Megjithatë, aksioni i mposhtjes së Hamasit, në këtë rast, nuk është i përcaktuar, gjë që e bën thuajse të pamundur.

Advertisements

Megjithatë, pavarësisht nga ky qëllim i deklaruar, Tel Avivi ka qenë i zëshëm për qëllimin e tij për të zhvendosur palestinezët nga Gaza, shumë prej të cilëve tashmë janë refugjatë që kanë ardhur në Gaza nga pjesë të ndryshme të tokave të pushtuara palestineze, në shkretëtirën e Sinait në Egjipt. Pasojat e këtij operacioni ushtarak hapin një sërë skenarësh, secili me komplekset dhe sfidat e veta.

SKENARI I KTHIMIT TË AUTORITETIT PALESTINEZ (AP)

Ky opsion nuk është i ri, duke pasur parasysh ndikimin e Izraelit mbi Autoritetin Palestinez (AP) dhe kredibilitetin e ulët të AP-së në mesin e palestinezëve nën Mahmud Abbas-in. Vërtetë, Izraeli në kontinuitet dhe vazhdimisht ka sabotuar dhe minuar autoritetin e AP për të nxjerrë nga tema zgjidhjen me dy shtete duke pretenduar se nuk ka partner adekuat nga pala palestineze. Administrata e Bidenit në SHBA, për shembull, shprehu dëshirë që të shoh kthimin e “rigjallëruar” të Autoritetit Palestinez në pushtet në Gaza. Megjithatë, prakticiteti dhe pranueshmëria e një propozimi të tillë janë të diskutueshme. Për më tepër, formula për “rigjallërimin” është e paqartë dhe mund të ndikohet nga fuqitë e huaja për të instaluar përfundimisht një “kukull izraelite” në krye të Autoritetit Palestinez.

Në këtë drejtim, vitet e fundit ka pasur disa plane për të zëvendësuar Mahmud Abbas-in me Mohammad Dahlan-in. Pas invazionit izraelit të Gazës, “The Economist” publikoi një histori për Dahlan-in që supozohej ta promovonte atë si opsion për Gazën e pasluftës. Megjithatë, Dahlan mohoi se e donte këtë rol. Shumica e palestinezëve gjithsesi e shohin Dahlan-in si një element të korruptuar izraelit.

QËNDRUESHMËRIA E HAMASIT DHE POPULLARITETI NË RRITJE

Hamasi u themelua në vitin 1987 pas shpërthimit të Intifadës së Parë Palestineze kundër pushtimit izraelit. Grupi mbetet i rrënjosur thellë në shoqërinë dhe politikën palestineze. Në këtë kuptim, duket joreale të pritet që Hamasi të çrrënjoset plotësisht. Për më tepër, pas luftës së Izraelit kundër palestinezëve në Gaza, popullariteti i Hamasit është rritur edhe më shumë, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit, duke sugjeruar se vazhdon të ketë ndikim dhe mbështetje të rëndësishme brenda shoqërisë palestineze si një forcë rezistence kundër pushtimit izraelit.

Në një skenar të tillë, përfshirja e mundshme e Hamasit në një Autoritet Palestinez të rigjallëruar mund të jetë e realizueshme nëse Marwan al-Barghouthi, udhëheqës nacionalçlirimtar i burgosur nga Izraeli që nga viti 2002, merr rolin udhëheqës në Organizatën për Çlirimin e Palestinës dhe Autoritetin Palestinez. Kjo do të kërkonte njohjen e menjëhershme nga SHBA-ja dhe Evropa e një shteti të lirë, të pavarur dhe sovran palestinez si dhe zbatimin efektiv të tij.

PJESËMARRJA E HUAJ

Gjatë luftës në vazhdim të Izraelit kundër palestinezëve, disa aktorë kanë shqyrtuar idenë e një pranie ushtarake ndërkombëtare ose arabe në Gaza pas luftës. Qeveritë arabe e hodhën poshtë këtë propozim, duke theksuar se arabët nuk do të hynin në prapavijën e tankeve izraelite. Ide të tjera mund të jenë diskutuar me dyer të mbyllura, si për shembull një rol potencial për qeveritë e Marrëveshjes së Abrahamit. (Marrëveshja e normalizimit që SHBA-ja dhe Izraeli kanë bërë me vendet islame quhet “Pakti i Abrahamit”, sepse figura biblike Abraham konsiderohet babai i tre feve kryesore monoteiste: Judaizmit, Krishterimit dhe Islamit).

Disa ditë më parë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë një paneli në Parlamentin izraelit (Knesset) tha se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) do të financojnë rindërtimin e Rripit të Gazës pas luftës.

Megjithatë, EBA tha se do të kushtëzojë mbështetjen financiare dhe politike për rindërtimin e Gazës me përparimin e nismës së mbështetur nga SHBA-ja drejt zgjidhjes me dy shtete. Türkiye ka propozuar një sistem garancish në të cilin vendet nga rajoni dhe më gjerë veprojnë si garantues si për palestinezët ashtu edhe për izraelitët. Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha: “Jemi gati të bëhemi një nga garantuesit e palës palestineze me praninë tonë humanitare, politike dhe ushtarake. Ftojmë vendet me vullnet të fortë të marrin në konsideratë ofertën tonë”. Problemi me të gjitha këto forma të përfshirjes është fakti se asnjë vend, veçanërisht SHBA-ja dhe vendet evropiane, nuk janë të gatshme të pengojnë në mënyrë efektive Izraelin, i cili ka rekord të mosrespektimit të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), që ta mbaj përgjegjës ose të vendos pasoja kur shkel ndonjë marrëveshje konkrete.

PUSHTIMI I DREJTPËRDREJTË USHTARAK I GAZËS NGA IZRAELI

Në vitin 2005, Izraeli pretendoi se i kishte dhënë fund okupimit të Gazës. Megjithatë, kjo deklaratë mashtruese binte ndesh me realitetin në terren, ku Izraeli vazhdoi të kishte “kontroll efektiv” mbi Gazën, i cili, nga ana tjetër, përbën ligjërisht pushtim “pa çizme” në terren. Pas pushtimit tokësor të Gazës në tetor, Izraeli tregoi se synonte të kishte kontroll të plot të sigurisë mbi Gazën. Ky skenar mund të manifestohet në disa forma, përfshirë zvogëlimin e sipërfaqes së Gazës dhe popullsisë së saj. Në këtë drejtim, Izraeli thuhet se ka hedhur idenë e krijimit të një zone tampon midis Gazës dhe Izraelit nga veriu në jug për të parandaluar sulmet e “befasishme” në të ardhmen ndaj Izraelit. Ky propozim do të ishte pjesë e një procesi me tre nivele që përfshin “shkatërrimin e Hamasit, çmilitarizimin e Gazës dhe deradikalizimin e enklavës”.

Izraeli i ka provuar këto skema edhe më parë, si në Palestinë ashtu edhe në Liban, dhe dështuan mjerisht, sepse për sa kohë që ka pushtim, do të ketë rezistencë, të cilën ata mund ta tolerojnë. Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes së Nismës Kombëtare Palestineze (PNI) Mustafa Barghouthi pohon: “Kjo është arsyeja pse qëllimi i Netanyahut është pastrimi etnik i njerëzve. Ai dëshiron të ketë kontroll ushtarak mbi Gazën pa njerëz”.

Pavarësisht nga skenarët e pasluftës për Gazën, është e domosdoshme të njihet konteksti më i gjerë i konfliktit izraelito-palestinez, i cili përfshin çështjet e okupimit, zgjerimin e vendbanimeve dhe mohimin e vetëvendosjes palestineze. Paqja e qëndrueshme varet nga ajo që Izraeli të mbajë përgjegjësi për krimet kundër njerëzimit, të ndalohet mosndëshkimi që i ofron SHBA-ja dhe disa vende evropiane dhe Tel Avivi t’i nënshtrohet ligjit ndërkombëtar. Pra, nëse lufta aktuale izraelite kundër palestinezëve nuk përfundon me një shtet të lirë, sovran dhe të pavarur palestinez, ne duhet të përgatitemi për më të keqen. (Anadolu Agency)













Huazuar nga Koha.mk

Një kafe nga ju!

Back to top button