Aktualitet dhe Lajme

Dy shqiptarë u shpallën non-grada nga Serbia, Shqipëria kërkon sqarim për rastin

Share

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar lidhur me ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë së dy shtetasve shqiptarë. Përmes një reagimi zyrtar, mësohet se sot në Ministri ka shkuar ambasadori serb Slobodan Vukçević.

“Gjatë takimit u transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë marrë pjesë në një seminar në Beograd”, bën me dije MEPJ.

Sipas Ministrisë, ky veprim ndikon tek marrëdhëniet mes dy shteteve si dhe ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve. Më tej, kërkon sqarime për rastin nga autoritetet serbe dhe bën apel që ngjarje të tilla të mos përsëriten. Ky rast po ndiqet edhe nga Ambasada Shqiptare në Beograd.

Reagimi i plotë i MEPJ:

REAGIM I MEPJ NË LIDHJE ME NDALIMIN DHE LARGIMIN NGA TERRITORI I SERBISË TË DY SHTETASVE SHQIPTARË
Sot, më 23 janar 2025, u thirr në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme Ambasadori i Republikës së Serbisë, z. Slobodan Vukçević.
Gjatë takimit u transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë marrë pjesë në një seminar në Beograd.
Ky veprim nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë.
MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada Shqiptare në Beograd




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button