Drejtonte trafikun e kokainës në 3 kontinente, 43-vjeçari shqiptar dënohet me burgim të përjetshëm në SHBA

Ylli Didani, 43-vjeçari nga Shqipëria, është dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë federale në Detroit, SHBA, për drejtimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës.
Ai u shpall fajtor pasi provat në gjyq dëshmuan se ai ishte kreu i një organizate kriminale me shtrirje në Shtetet e Bashkuara, Amerikën e Jugut dhe Evropë. Organizata e tij financoi dhe organizoi dërgesa të mëdha kokaine, të cilat u transportuan nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Hetimi zbuloi se në vitet 2019 dhe 2020, autoritetet amerikane sekuestruan mbi 3,400 kilogramë kokainë, të ngarkuar në pesë anije mallrash që po udhëtonin drejt porteve ndërkombëtare. Droga kishte një vlerë tregu mbi 100 milionë dollarë.
Ndër skemat më të sofistikuara të organizatës ishte ndërtimi i një droni nënujor, i pajisur me GPS dhe modem, i cili do të fiksuar në pjesën e poshtme të një anijeje kontejnerësh. Pasi anija të afrohej pranë bregut evropian, droni do të shkëputej dhe më pas do të mblidhej nga një anije peshkimi në pronësi të rrjetit të Didanit.
Didani u arrestua përpara se të vinte në zbatim planin me dronin nënujor dhe tani përballet me burgim të përjetshëm për akuzat për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.