Dosja “Partizani”/ Sot mbahet seanca e parë në GJKKO ndaj Berishës dhe Malltezit

Këtë të hënë, në Gjykatën e Posaçme, nis procesi gjyqësor ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, për dosjen “Partizani”.
Kjo është seanca e parë, pasi më 19 Maj gjyqtarja e GJKKO, Flojera Davidhi pranoi kërkesën e SPAK për kalimin për gjykim të çështjes në ngarkim të Sali Berisha, i akuzuar për korrupsion pasiv.
I pandehur për të njëjtën vepër penale në këtë çështje, është edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet për përfitimin e të ardhurave në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Të akuzuarit për korrupsion dhe pastrim parash, do të gjykohen nga trupa me kryesuese Elsa Ullirin dhe anëtarë Bib Ndrecën e Rudina Palloin.
Asnjë prej tyre nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, çka pritet ta zgjasë procesin.
Në të njëjtën çështje, SPAK akuzon për korrupsion aktiv biznesmenin e ndërtimit, Fatmir Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja dhe Andia Pustina akuzohen për pastrim parash.
Si të pandehur në këtë çështje për akuzën e pastrimit të parave, janë edhe shoqëritë Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.
Sali Berisha, po ashtu edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, kanë hedhur akuza se çështja gjyqësore ndaj tyre ka nisur me urdhër politik dhe është e pabazuar në prova, teksa pretendojnë dhe për falsifikim të dokomunteve.
Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Aktualisht Sali Berisha ndodhet në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, teksa më herët qëndroi për rreth një vit në “arrest shtëpie”. Ndërkohë, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi është në “arrest shtëpie”, teksa fillimisht u arrestua nga SPAK, por më pas u lirua nga Apeli i GJKKO.
Kujtojmë se që nga krijimi i Gjykatës së Posaçme rreth 6 vite më parë, në bankën e të akuzuarve do të ulet për herë të parë një ish-Kryeministër.