
Kryeministri i Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov, ka dhënë dorëheqje më 11 dhjetor pas javësh protesta kundër korrupsionit
Ai njoftoi dorëheqjen e tij përmes një deklarate për media, vetëm disa minuta para se Parlamenti të mblidhej për të votuar një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Zhelyazkov, të paraqitur nga partia liberale “Vazhdoni Ndryshimin” (PP), forca kryesore opozitare. Liberalët akuzonin qeverinë se ka dështuar në politikën ekonomike të vendit.
“Qeveria po jep dorëheqjen sot”, tha Zhelyazkov për gazetarët.
Mijëra persona kanë protestuar në Bullgari kundër planeve buxhetore të qeverisë, duke e detyruar më pas ekzekutivin që të heqë dorë nga to. Më pas, protestuesit kërkuan kërkuar dorëheqjen e kabinetit qeverisës.
Dorëheqja e qeverisë vjen pak para se Bullgaria t’i bashkohet eurozonës më 1 janar 2026.
Kujtojmë se në 2 dhjetor, mijëra protestues mbushën rrugët e Sofjes në një nga marshimet më të mëdha të viteve të fundit, me qëllim tërheqjen e buxhetit të ri dhe dorëheqjen e qeverisë.
Protesta u zhvilluan edhe në qytete të tjera të mëdha, si Plovdiv (Bullgaria Jugore), Varna dhe Burgas (të dyja qytete në Detin e Zi).
Buxheti i vitit 2026 parashikonte rritje të taksave dhe kontribute shtesë të sigurimeve shoqërore. Po ashtu, qytetarët ngritën zërin kundër korrupsionit në sektorin publik, duke kërkuar largimin e qeverisë së udhëhequr nga Rosen Zhelyazkov.
starnews.al
