Donald Trump trondit skenën ndërkombëtare, shpall nisjen e bisedimeve direkte me Iranin

Donald Trump ka tronditur skenën ndërkombëtare me deklaratën se Shtetet e Bashkuara kanë filluar tashmë bisedime të drejtpërdrejta me Iranin. Në një koment të shkurtër për mediat, ai tha se këto kontakte kanë nisur dhe do të vazhdojnë këtë të shtunë, duke ngritur shumë pikëpyetje mbi përmbajtjen dhe qëllimin e këtij angazhimi të papritur diplomatik.
Nuk është ende e qartë se për çfarë po negociohet konkretisht, apo në çfarë niveli po zhvillohen këto bisedime, por deklarata e Trump vjen në një moment të tensionuar në Lindjen e Mesme dhe në një klimë të ngarkuar politike në Uashington.
Ky zhvillim mund të sinjalizojë një rishikim të qasjes amerikane ndaj Iranit, veçanërisht nëse Trump synon një kthesë të papritur në qëndrimin tradicional të linjës së ashpër. Nga ana tjetër, autoritetet iraniane ende nuk kanë komentuar publikisht mbi këtë deklaratë.
Lëvizja pritet të shkaktojë reagime të forta në qarqet ndërkombëtare dhe veçanërisht te aleatët e SHBA-së në rajon. Vëmendja tashmë është e përqendruar në zhvillimet që do të pasojnë fundjavën.