Donald Trump për tensionet në Lindjen e Mesme: SHBA dinte gjithçka për sulmet e Izraelit ndaj Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump, i tha agjencisë Reuters se Shtetet e Bashkuara “dinin gjithçka” për sulmet e Izraelit ndaj ndërtesave bërthamore iraniane.
Në një intervistë për këtë agjenci, Trump vuri në pikëpyetje nëse Irani ende ka program bërthamor pas breshërisë së sulmeve izraelite në mbarë vendin.
Ai po ashtu tha se bisedimet bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit ende janë të parapara që të vazhdojnë këtë të diele, edhe pse shprehu dyshime nëse ato do të mbahen.
Udhëheqësi amerikan përsëriti se nuk është vonë që Irani të arrijë një marrëveshje për programin bërthamor.
“Kam tentuar që ta shpëtojë Iranin nga turpërimi dhe vdekjet”, shtoi ai.
Kur u pyet për mundësinë e një lufte rajonale si rezultat i veprimeve të Izraelit, Trump tha se nuk është i shqetësuar se mund të ndodhë diçka e tillë.
Më herët gjatë së premtes, Trump paralajmëroi Iranin se duhet të bëjë marrëveshje për programin e vet bërthamor “para se të jetë tepër vonë”, pak orë pasi Izraeli bombardoi objektet bërthamore iraniane si dhe ato ushtarake në të gjithë vendin, duke i vrarë një gjeneral të lartë dhe dy zyrtarë të tjerë ushtarakë.
Irani u përgjigj duke i lëshuar dhjetëra dronë dhe raketa ndaj objekteve izraelite. Ushtria e Jordanisë tha se ka rrëzuar disa prej tyre në hapësirën e vet ajrore.
Ndër objektet e goditura në Iran ishte edhe një komandë e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e IRGC-së, gjeneralmajor Hossein Salami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim.
“Ende ka kohë që kjo kasaphane… të përfundojë”, shkroi Trump në platformën e tij sociale, Truth Social.
“Irani duhet të bëjë marrëveshje, para se të mos mbetet asgjë, dhe ta shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Iraniane… THJESHT BËJE, PARA SE TË JETË VONË”, tha ai.
Më vonë, në një intervistë për ABC News, Trump tha se Irani “u godit aq fort sa mund të goditet. Dhe, pritet edhe më shumë, shumë më tepër”.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli kreu një operacion ushtarak, synimi i të cilit ishte “frenimi i kërcënimit të Iranit ndaj vetë mbijetesës së Izraelit”.
Ai tha se sulmi “do të vazhdojë derisa të eliminohet ky kërcënim”.
“Ne goditëm në zemër të programit të Iranit për pasurimin bërthamor. Në shënjestër ishin objekti kryesor i pasurimit të uraniumit i Iranit në Natanz… Gjithashtu goditëm në zemër të programit iranian të raketave balistike”, tha ai në një deklaratë me video.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli do të përballet me pasoja të rënda për shkak të këtyre sulmeve.
“Me këtë krim, regjimi sionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm dhe do ta marrë atë pa dyshim”, tha Khamenei në një deklaratë.
Izraeli tha se Irani nisi rreth 100 dronë drejt tij si hakmarrje, por nuk tregoi nëse kishte goditje të drejtpërdrejta apo dëme.
SHBA-ja, aleati më i ngushtë i Izraelit, mbrojti veprimet izraelite, por deklaroi se Uashingtoni nuk u përfshiri në sulme.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Izraeli ndërmori “veprim të njëanshëm kundër Iranit” dhe se Shtetet e Bashkuara nuk janë përfshirë.
Bombardimet ndodhen në prag të një rundi të ri bisedimesh bërthamore mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar bisedime për programin bërthamor iranian, me synimin për të arritur një zgjidhje diplomatike. Rundi i gjashtë i bisedimeve është planifikuar të nisë më 15 qershor në Oman.
Gjatë javës, Irani e hodhi poshtë zyrtarisht propozimin e Uashingtonit për një marrëveshje, duke e quajtur atë “të papranueshme” dhe të mangët në çështje kyçe, sidomos sa i përket heqjes së sanksioneve ekonomike dhe njohjes së të drejtës së Iranit për pasurimin e uraniumit në tokën e vet.
Teherani kishte thënë se së shpejti do ta dorëzonte një kundërpropozim përmes Omanit, një plan që e përshkruan si “të arsyeshëm, logjik dhe të baraspeshuar” dhe që u bën thirrje Shteteve të Bashkuara ta marrin seriozisht. Irani ka pohuar vazhdimisht se përpjekjet e tij bërthamore janë vetëm për qëllime civile dhe jo ushtarake./REL