DOKUMENTI/ PD kërkon shkarkimin e Erion Veliajt: Mungon prej 3 muajsh! Më 12 maj të mblidhet Këshilli Bashkiak

Anëtarët demokratë të Këshillit Bashkiak të Tiranës kanë kërkuar shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga detyra, për shkak të mungesës së tij të gjatë në detyrë, pas arrestimit të tij në muajin shkurt.
Sipas kërkesës së paraqitur, mungesa e Veliajt ka zgjatur për një periudhë tre-mujore, që përfundon këtë fundjavë, pas datës 10 shkurt 2025, kur ai u arrestua.
Në kërkesë, specifikohet se kjo mungesë e pandërprerë për një periudhë tre-mujore e bën atë të përfshirë në nenin 62, shkronja c të Ligjit Nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i cili parashikon shkarkimin e kryebashkiakut në rastet e mosparaqitjes në detyrë për këtë periudhë.
Për këtë arsye, anëtarët e Këshillit Bashkiak kërkojnë mbledhjen e Këshillit të Bashkisë Tiranë më 12 maj 2025, ditën e parë të punës pas përfundimit të periudhës tre-mujore, me qëllim zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe dërgimin e propozimit për shkarkimin e Erion Veliajt në Këshillin e Ministrave.
“Bazuar në Ligjin Nr. 139/2015 “Per Vetëqeverisjen Vendore”, të ndryshuar, neni 62, shkronja c, që shprehet se “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim te Këshillit te Ministrave në rastet kur (pika c: propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak perkates per mosparaqitje në detyre për nje periudhe 3- mujore te panderprere” ju bëjmë me dije se periudha 3-mujore e cituar në ligj përfundon këtë fundjave, pasi ka filluar me datë 10 shkurt 2025 në ditën e arrestimit z. Erion Veliaj.
Si rrjedhojë, kërkojmë:
Mbledhjen e Këshillit Bashkiak te Bashkise Tirane, me date 12 maj 2025, dita e parë e punës pas kalimit të afatit 3-mujor të mosparaqitje të pandërprerë në detyre te z. Erion Veliaj, me objekt zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe propozimin në Këshillin e Ministrave të shkarkimit të z. Erion Veliaj”, thuhet në kërkesë.