Aktualitet dhe Lajme

Disa konservatorë në Kolorado e shohin ish-Presidentin Trump si kërcënim për demokracinë

Share

Norma Anderson kujton veten para televizorit më 6 janar 2021, duke qarë tek shihte një turmë mbështetësish të ish-Presidentit Donald Trump që sulmonin Kapitolin. Ajo thotë se pyeste veten se pse presidenti i atëhershëm nuk kishte thirrur Gardën Kombëtare.

“Kam aq shumë vite mbi supe për të kujtuar periudhën e depresionin të madh (gjendjen e rëndë ekonomike të viteve 1920), Luftën e Dytë Botërore, dy luftëra të tjera, kohë krizash e apo mira, si dhe shumë presidentë. Por, kurrë nuk kam parë diçka si ajo që ndodhi më 6 janar”, thotë 91-vjeçarja që gjatë gjithë jetës ka votuar për republikanët në Kolorado. “E kuptova se kush ishte fajtori menjëherë”.

Sot, zonja Anderson, gruaja e parë që ka shërbyer si udhëheqëse e shumicës në të dyja dhomat e organit ligjvënës të Kolorados, drejton një padi për heqjen e zotit Trump nga fleta e votimit në zgjedhjet e brendshme republikane në shtet, mbështetur në një dispozitë kushtetuese të shekullit të 19-të, për përfshirje në kryengritje.

Zoti Trump e ka apeluar vendimin, gjë që pritet të shqyrtohet më 8 shkurt në Gjykatën e Lartë të SHBA-së. Ish-Presidenti Trump është kandidati kryesor për emërimin nga Partia Republikane për të sfiduar Presidentin demokrat Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA. Sondazhet e agjencisë së lajmeve Reuters dhe kompanisë Ipsos tregojnë për një ripërballje të mundshme Trump-Biden.

Tre republikanë të tjerë dhe dy persona që janë të pavarur politikisht i janë bashkuar zonjës Anderson në padinë për përjashtimin e zotit Trump nga gara partiake. Mario Nicolais, avokat konservator nga një zonë periferike e Denverit, tha se paditësit “ishin aq të zhgënjyer nga ajo që ndodhi më 6 janar si dhe nga ajo që bëri Donald Trump atë ditë, saqë ata thanë … vendi ynë është më i rëndësishëm dhe Kushtetuta jonë është më e rëndësishme. Kushdo që e bëri këtë nuk mund të lejohet të kandidojë sërish”.

Padia, e ngritur në shtator, shoqërohet me fotot e njerëzve që sulmuan Kapitolin, në një përpjekje për të ndalur çertifikimin në Kongres të rezultatit të zgjedhjeve, q shpallte fitues zotit Biden. Në të tregohen me detaje veprimet e ish-presidentit para, gjatë dhe pas sulmit të dhunshëm.

“Presidenti Trump ishte udhëheqësi i turmës dhe turma ishte arma e tij”, thuhet në padi.

Një rikthim i ish-Presidentit Trump do të shënonte fundin e demokracisë, tha zonja Anderson në një intervistë, duke shtuar: “Ai dëshiron të jetë mbret. Ai dëshiron të jetë si (Presidenti rus Vladimir) Putin, të ketë kontroll të plotë”.

Gjykata e Lartë e Kolorados vendosi në favor të paditësve në dhjetor, duke e shpallur zotin Trump të papërshtatshëm për postin e Presidentit sipas pikës 3 të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës që ndalon këdo që “angazhohet në kryengritje” të mbajë poste publike.

Çështja ngre pikëpyetje të rëndësishme për Gjykatën e Lartë ku shumica e gjyqtarëve janë konservatorë, tre nga të cilët të emëruar nga zoti Trump. Midis tyre janë pyetjet: A është pjesa e Kushtetutës që flet për skualifikim e zbatueshme më vete apo kërkon veprim të Kongresit? A zbatohet dispozita në rastin e presidentit?

Vendimi i Kolorados shënoi herën e parë që kjo dispozitë e Kushtetutës – pika 3 e Amendamentit të 14-të – u përdor për të shpallur një kandidat presidencial të papërshtatshëm. Dispozita skualifikon çdo “zyrtar të Shteteve të Bashkuara” që pasi është betuar për të mbështetur Kushtetutën është përfshirë me pas në kryengritje ose rebelim kundër saj, ose ka ndihmuar ata që kanë vepruar kundër frymës së Kushtetutës”.

Avokatët e zotit Trump, i cili përballet me akuza penale në dy raste të veçanta që përfshijnë përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 2020, kanë argumentuar se 6 janari nuk ishte një kryengritje dhe se zoti Trump nuk ishte pjesëmarrës.

Procesi gjyqësor i Kolorados u inicua nga “Qytetarët për Përgjegjësi dhe Etikë” në Uashington, një grup mbikëqyrës që në vitin 2022 paditi me sukses për të skualifikuar sipas Amendamentit të 14-të një zyrtar të qarkut të Nju Meksikos, i cili mori pjesë në sulmin në Kapitol. Kjo organizatë nuk po paguan avokatët e padisë kundër zotit Trump. Ata po punojnë falas, tha zoti Nicolais.

Nxitja prej kahut konservator

Është e rëndësishme që padia është ngritur nga konservatorët, siç janë këta paditës, tha zoti Nicolais.

Përveç faktit që votuesit demokratë nuk mund të votojnë në zgjedhjet e brendshme republikane të Kolorados më 5 mars, tha zoti Nicolais, nëse padia do të ishte ngritur nga demokratët, “atëherë ajo thjesht mund të hidhej poshtë pasi do të mirrej si një gjë politike dhe ne nuk e donim këtë”.

Megjithatë, zoti Trump dhe aleatët e tij e kanë portretizuar padinë si partizane.

Zëdhënësi i ish Presidentit Trump, Steven Cheung e quajti organizatën një grup që ka lidhje me Partinë Demokrate.

“Padia e Kolorados, dhe të tjerët si ai, janë pjesë e një përpjekjeje të mirëfinancuar dhe të koordinuar të Partisë Demokratike për të ndërhyrë në zgjedhje”, tha zoti Cheung në një deklaratë.

Paditësja tjetër Krista Kafer, një kolumniste konservatore në Denver, e cila ka kaluar dekada e përfshirë në politikën republikane, tha se ajo votoi për zotin Trump në vitin 2020. Edhe pse ajo e shihte atë personalisht si person që e meriton të përbuzet, ajo ishte dakord me shumicën e politikave të tij gjatë katër viteve si president dhe veçanërisht me gjyqtarët federalë që ai emëroi.

Gjithçka ndryshoi kur zoti Trump refuzoi të pranonte humbjen ndaj zotit Biden, duke bërë pretendime të rreme për mashtrim të gjerë të votimit.

“Jo vetëm që refuzoi të pranonte humbjen”, tha zonja Kafer, “ai më pas krijoi një grumbull të tërë teorish konspirative plot gënjeshtra dhe insinuata që i vunë në rrezik punonjësit e zgjedhjeve dhe më pas vendosi Kongresin dhe anëtarët e Kongresit, stafin e tyre dhe policinë në rrezik”.

Zonja Kafer tha se ajo ka menduar se çfarë mund të ndodhë nëse përpjekjet ligjore dështojnë dhe zoti Trump zgjidhet në nëntor.

“Unë shqetësohem jo vetëm për sigurinë time, por edhe të paditësve të tjerë”, tha zonja Kafer. “Jo nga Trumpi personalisht. Unë nuk mendoj se ai do të shfaqet para derës time. Por, nuk kam asnjë dyshim, që ka një dëshirë për hakmarrje.”

Duke pasur parasysh rreziqet e mëdha, zonja Kafer tha se ajo u lut nëse duhej t’i bashkohej padisë.

“Nuk mora përgjigje nga lart” tha ajo, “por ndjeva një qetësi që po bëja gjënë e duhur. Dhe që atëherë jam ndjerë e qetë”.




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button