fbpx
Aktualitet dhe LajmeArsim dhe KulturëInformacion TuristikLajme nga DibraPërditshmëriShqipëria

Dibra në gurgullimat e rrjedhjeve historike dhe vlerat kulturore thesare trashëgimie-Nga Dr. Selman Mëziu

Share

Nga Dr. Selman Mëziu

  Dibranët në udhëtimin e tyre kanë skalitur në shtatoren e kohës historinë e tyre.  Sigurisht në kohë dhe hapësirë përmes shtigjeve të ngushta e të thepisura në ngjitje e zbritje, kanë formuar portretin e tyre. Për të zbuluar, për t’i vënë në dukje, për t’i parë e vendosur në thesarin e trashëgimisë me të çmuar na duhet t’i ‘’vjelim,, këtu dhe atje.  Për të vetmin qëllim që t’ua lemë brezave si pasurinë ma të çmuar dhe për të mos me u zhdukun kurën e kurës nga askush fuqi e ujdhesës Ilirike, opo e politikave të brendshme për varrosjen e Dibrës së Vogël ose të Poshtme ose të Luginës së Drinit të Zi.

Shqiponja dhe hartat-Punoi S.Daci

Për të realizuar këtë synim tonin u mbështetëm te një studim i historianit të mirënjohur Dibran Hysen Lala shkruar në më shumë se gjysmë shekulli. Tanima studime të tilla historike, gjeografike, etnografike, folklorike, pra të pasurisë materiale e shpirtërore nuk i mungojnë krahinës fushore e malore të Dibrës së Poshtme.

     Penestët e dy anëve të Drinit të Zi

Zalle Dardhe-Fb Z.Dardhë

 

Nuk mund të mos theksojmë që në fillim se njeriu si individ, fis apo fshat ka zgjedhur për banim që në kohën e neolitit  (3000 p.e.s.) me banesat prej druri (gardhesh të suvatuara jashtë S.M) edhe më vonë me qerpiç, tulla dhe me gur, brigjet e përrenjve e të lumenjve, ku kishte burime uji, tokën e punueshme livadhin dhe pyllin.

Kështu që edhe fisi i penestëve, dhe akoma më në thellësi të kohërave janë zgjedhur për banim sipërfaqet e tokave, kodra kodrina, fushëza, pranë  brigjeve të lumit Drini i Zi. Vendosja e qytezave (11 të tilla në kohën romake  S.M), grupimeve në relievet e luginës,  kanë patur një vazhdimësi kohore, dhe kjo e vërtetuar më së miri nga shkruesit e antikitetit deri te zbulimet edhe pse ende të përcipta arkeologjike.

Ne do të  marrim në konsideratë disa prej tyre për të pasqyruar edhe kulturën e tyre të kalimit nga një periudhë  historike në tjetrën. Dhe ja çfare shkruan Historiani H. Lala:  ‘’…banorët tepër të lashtë, të hershëm, të trevës dibrane, dhe kohë më parë penestëve anëve të Drinit e kanë pasur të kristalizuar kulturën e tyre. Dhe kjo kulturë nuk del aspak e veçuar nga ajo e fiseve te tjera fqinjë si peonët, dardanët, enkelejtë, pirustët etj, që siç ve në dukje Dr. Karl Patç (Patsch, 1865-1945) në veprën e tij ‘’Ilirët,,, patën një shtrirje me rëndësi të veçantë edhe ndërmjet popujve të tjerë të Evropës.,, (H. Lala, Dibra dhe Dibranët, f.18.Shkodër 1985)

Epoka e bronzit që përmbledh mijëvjeçarin e II p.e. s (para erës sonë S.M) ‘’…kultura materiale  e gurit po i linte vendin qetësisht kulturës të punimit të metaleve…,(K.Frashëri, po aty. f.33) veglat e punës dhe mjete luftarake, pse jo edh të zbukuruaraetj.  Dëshmi të tyre janë tuma e Zallë Dardhës e cila gjendet në krahun e majtë të luginës së Drinit të Zi, përball përrroit të Veleshicës në të cilën janë zbuluar ‘’një shpatë dhe një maje heshte hekuri.,,(K. Frasheri  hist. Di. f. 37.   Ti. 2012);  ndërsa  te tuma e fshatit Draj Reç në krahun e djathtë të luginës së Drinit të Zi ‘’..u gjet një përkrenare bronzi e tipit ilir.,, (K. Frasheri, po aty. f. 37)

Mirëpo çfarë ka ndodhur me këto dy vendbanime para historike ‘’U sheshuan në vitnin 1970 nga punimet bujqësore.,, (K. Frashëri, po aty, f. 37).  Ky shembull dhe shumë të tjera që kanë ndodhur në trojet e dibranëve, janë krime shumë të randa ndaj pasurisë trashëgimore kulturore, të paraardhësve dibranë, të kulturës së tij materiale, të rrënjëve të tija, të fshehura në horizontet gjenetike të tokave dibrane, në këto male, kodrina e fusha që në epokën e gurit e në vazhdimësi. Këto sjellje kafshërore të të pa diturve, janë mohim i të qenurit vendas, ndër kalvaret e shekujve. Sepse zhdukin, materialet, dëshmitë, vend njohjet e historisë të një populli. Mirëpo na duhet t’i meshojmë faktit se grupet e specializuara arkeologjike, përsëri me një punë sistematike, profesionale, me plotë pasion e të kujdesshme mund të gjejnë relikte të çmuara që i vlejnë ose ju shtohen ngjarjeve, periudhave të historisë së trevës Dibrane.

Ndërsa ngritja e një dige prej 140 metra të lart në ngushticën e shtratit të Drinit të Zi, nën fshatin Skavicë, zhduk përgjithmonë mundësinë e zbulimeve të reja, e provave kokëforte, për historinë dibrane mijëra vjeçare.  Ne morëm vetëm dy shembuj, por ato janë me dhjetëra që rrezikohen të zhduken përfundimisht nga shtresa balte, mbeturina bimore, shtazore, dhe vegjetim algash etj. Ja disa prej tyre, Burim, Maqellar; Çetush në krahun e djathtë dhe buzë shtratit të Drinit të Zi; Gradec edhe ky buzë shtratit të Drinit të Zi në jugperëndim të kalasë  së madhe të Uskanës (Grezhdani i sotëm S.M); Varri antik në Zabelin e Mete, në të majtë të përroit të Shehut në vendin e quajtur lugu i Valavecës, krahina e Muhurit; Qyteza e Zallit të Sinës në faqen lindore të Sukës së Arrasit;  Kronëz në Fushë Çidhën ose Alie  e dhjetra të tjera.

Duke groposur, zhdukur, mbytur në llucë kulturën e lashtë materiale, deshmitare të qytetërimeve, popullit pellazgo-Ilir, Dibranë. Me këto veprime harbutçe, budallekçe popullsia dibrane vendalie në shekuj, humbasin rrënjët e tyre, humbasin parardhësit e tyre, pra humbin vetëveten si një e tanë e  kombësisë pellazgo iliro arbënore.

   Histori e shkruar me gjakun e betejave

        Më poshtë në referatin e tij H. Lala,  pasi i shtjellon me kujdes, guxim, fakte dhe logjikë, disa ngjarje historike, ka dalun me përfundimin: ’Që nga antikitetit e deri në shekullin tonë të  XX-të, historia është shkruar me gjakun e betejave të shumta,, të kryengritjeve të vazhdueshme, për të mbrojtur bashkë me dinjitetin njerëzor edhe kombin, gjuhën e ëmbël shqipe, kulturën dhe artin e madh popullor, si dhe zakonet e mira, kostumet dhe këngët aq të bukura epiko lirike, elemente që me origjinalitetin tyre na shquajnë nga tërë fiset, popujt dhe kombet në të gjithë botën.,,(H. Lala po aty, f.19)

Hysen Lala Ilmi Kolgjegja nga S.Kolgjegja

                 Luftërat e vazhdueshme, të përgjakshme, pushtuese, në vitet 170-169 p.e.s., sipas kronik shkruesve të atyre kohërave, Titi Livit (59.p.e.s.-17 p.e.s. ( p.-pas.) e Polibit (206 p.e. s.-118 p.e.s), fushata e parë romake e Klaudit kundër qytetit 10 000 banorësh të Uskanës (Grezhdani i sotëm) i cili nuk mundi t’a pushtoi. Më pas një tjetër sulmi i egër i ushtrisë romake i drejtuar nga konsulli Romak Lceli i cili arriti ta nënshtroi Uskanën e gjithë krahinën e Penestisë (sot Dibra e Poshtëme S.M). Perseu udhëheqësi Maqedonasve sulmon përsëri Uskanën, pastaj vazhdoi të nënshtroi njëra pas tjetrës qytetin e Draudakut (sot Çuka e Shaban Hysenit, Ushtelenxë, S.M) dhe Oeneut (Kepi i Xhitetit ndodhet në të majtë të udhës, në hyrjen për në Fushë të Poshtëme ku janë varrezat e fisit Krrashe, më lart Fusha Epër pastaj vazhdon Lugju i Shkallës i cili në të majt ngrihet Kurrizi i Beshës, dhe djathtas Shpatet  Karthpula,  Varri Jovanit e pastaj në Çidhnën e Poshtme S. M).  Përsëri valë pushtimesh tanima romakët, të cilët nënshtruan penestin  të përbame nga 11 qytezat kala pasaj dhe Maqedoninë dhe mbretërinë e Gentit (viti 168 p.e.s.).

Gjithë këto luftëra, gjithë ky zjarr e hekur që u hodh mbi popullin trim penestë, ka për taban, gjeografinë fizike, relievet fushore, malore e kodrinore të trevës dibrane të luginës së Drinit të Zi. Ka në mushtin e saj historik, studimet e historianëve të shumtë, zbulimet e arkeologëve, ka toponomastikën me gjurmët e fshehura dhe të zbuluara të materialeve arkeologjike. Përfundimisht  nuk kemi të bëjmë me skema të futurizmit, as të filozofisë idealiste të Berkelit që thoshte se ‘’…ekzistoi unë prandaj ekzistojnë kokrrat e qershisë,,  Përfundimisht mund të shprehemi se gjithë këtë pasuri, nuk mund t’i lejojmë që të na i zhdukin, vjedhin, mohojnë, mbytin nga pellgu ujë qelbur Skavica.

Për të çuar më tej anijen plotë drita llamburitëse të të vërtetave historike, në oqeanin mbushur me tajfune të kohëve të turbullta,  do të shtojmë shkurtazi disa fakte, ngjarje kokë forte. Për  të shtuar harqet e zingjirit të bindjeve mbi historinë dibrane, që kërkojnë sot ta zhdukin. Kryengritjet kundër  rrëgjimit shtypës, shfrytëzues të perudhës bizantine, sipas dokumentove e shkruesve. Dhe ja, filloi në vitin 1040 (K. Frashëri, po aty f. 71) me udhëheqës Delijanin e Tikomerin në krye të dibranëve kryengritës. Më gjithë organizimin, strategjinë e taktikat e luftimeve, sakrificat e shumta në luftërat legjendare ajo u shtyp dhunshëm në vitin 1041. (K. Frashëri, po aty f. 72).  Kjo është njëra prej tyre.

Epopeja legjendare e udhëheqësve dibranë Gjon e Gjergj Kastrioti është e mbushur me beteja të shumta, luftërash dhamb për dhamb me shpata, topuzë etj. Sigurisht kundër pushtuesit gjaksor, ideologjik, e fetar të turqëve, tartarëve ardhacak nga stepat mongole në fushën e paanë të Anadollit. Dhe ja si shprehet K. Frashëri në librin e tij: ‘’Me këtë lidhje  të ngushtë (momenti kur Gjergji kthehet nga beteja e Nishit, S.M) të Gjergj Kastriotit me malësorët Dibran duhet të shpjegohet mbeshtetja e fuqishme që treva dibrane i dha heroit në luftën epike të shekullit te XV.,, (K. Frashëri, po aty, f. 115)

Luftërat e përgjakshme për të kundërshtuar taksat e larta e të shumta, shtypjen e egër skllavëruese, ekonomike, shpirtërore osmane, filluan të ndizen që në vitin 1560 (K. Frashëri, po aty, f. 479)  dhe më pas,  herë pas here, kryengritjet zemërate, të  cilat flakëronin dhe pastaj shtypeshin dhunshëm, me prerje kokash, djegie trupash, internime, burgime. Kurse Akedemiku K. Frashëri në studimin e tij shkencor për histrorinë e Dibrës  do të shkruaj për një tjetër dukuri të kohës: ’’…krerët e bashkësive malore, të cilat në trevën dibrane  përbënin si kurdoherë shtyllën kurrizore të kryengritjeve osmane.,, (K. Frashëri, po aty, f. 195) Ato përsëri shpërthenin si vullkane, gjithmonë  vetëvepruese, shqetësuse për perandorinë osmane.

Do të japim për lexuesin, për ato që ende nuk janë të bindur për luftërat e vazhdueshme, të pa barabarta, mal në mal, luginë në luginë, përrua në përrua, shpate shkëmbore e në pyje, në fusha që u mbushën me kufoma trimash dhe armiqësh. Me gjithë këto masakrime ushtritë jeniçerë’’… nuk mund të zhduknin territorin, banorët dhe dashurinë e tyre për vendin e vet, nuk zhdukën dot jo më gjuhën e kulturën origjinale në rrjedhën Iliro shqiptare, po as koloritinlokal të tyreqë kanë ardhur të ruajtura me fanatizëmderi  në ditët tonaedhe në Dibër.,, (H. Lala po aty f.19)  Dhe ja një përzgjedhje e shkurtër epopejash luftërash legjendare. Kryengritësit Dibranë me 15 korrik  1835 marshuan drejt Qytetit të Strugës, ato u zmbrapsën, dhe më pas u shua si lëvizje. Nuk vonoi shumë dhe revolta u ndez përsëri nga fund tetori i vitit 1838, ku  100 burra, rrëmbyen armët në Grykën e Vogël, ajo më pas mori përmasat e një orteku dhe  numri i  kryengritësve arriti në 8000. (K. Frashëri, po aty, f. 204) ku dibranët fituan disa të drejta.  Një epope tjetër lufte e ashpër me shumë të vrarë nga ana e armikut, ku ujrat e lumit Drini i Zi morën ngjyrën e kuqe, ishte lufta kundër Hajredin Pashës, e cila ‘’Filloi me hyrjen në Dibër të ushtrisë turke me 23 shtator 1844.,, (K. Frashëri, po aty f. 215)   Meqënse po mbyllim periudhën e gjatë pushtuse turke afërsisht prej 5 shekujsh, po japim  një urdhër të masave kundër kryengritësve shqiptar, pikërisht të vitit 1560: ‘’Urdhëroj…nisu kundër tyre, thyeje kryengritjen,  dhe shkoji në shpatë gjithë ato kryngritës të ndyrë. Ata që janë kokëfortë  të dërgohen robë, e pasuria e tyre të grabitet.,, (K. Frashëri, po aty f. 481. Urdhëri 26 prill 1560)

Popullit Dibran pushka i mbeti në krah, guximi, trimëria, besa, ishin virtyte tanima mishi, gjaku e shpirti i tij. Beteja të tjera nga ma të përgjakshmet, ma të egrat, barbare i pritën përsëri dibranët, dhe ja: ’’Më 18 tetor 1912 filloi lufta ballkanike (K. Frashëri, po aty, f. 333) që u ndez me luftën stalingradëse të Kolosianit, 19 nëntor 1912, pastaj kryengritja e shtatorit 1913. (K. Frashëri, po aty, f. 333-334) Këto beteja morën me vete mjaft bijë trima, të guximshëm, shqipe mali, që disa i vunë gjoksin grykave të mitralozave serb në llogoret e tyre. U dogjën shtëpia, kulla dy e tre katëshe me njerëz brenda, u shkuan në bajoneta gra shtatëzane, u dogjën në zjarr fëmijë, u grabitën pasuritë  në shtëpia, dhe ju dogjën prodhime bujqësore, kosharët me misër etj. Ato janë të skalitura në kangët popullore, të kënduara në odat dibrane, në dasma, në festivale e të  shkruara në libra nga mbledhës folklori si Hilmi Gjegja, Naim Plaku, Munir Shehu, Hazis Ndreu etj. etj.

Do të ndalemi edhe në faktin e fundit për të ngritur sa ma lart shtatoren e bindshmërisë, me gjakun e ngrohtë dibranë të derdhur kudo,  deri ne Krime, Karadak,  Çanak Kala, Ohër, Manastir, Shkodër, (Kalaja e saj, Tarabosh, Berdicë etj), Lezhë, Janinë, Shkup, Kërçovë, Prelep etj. etj. Dhe ja një ‘’thmek’’ grimcë, molekul, heroizmi, gjaku rrëke e guxim  Gjergj Elez Aliu: ’’Për luftën e gjatë anti serbe (9 vjeçare) kjo kodër (e Shkekës), është dëshmitare e vetme, që nëpërmjet fakteve, të dhënave, folklorit, historisë, por edhe gjetjeve (të rastësishme arkeologjike S.M) tregon shumë… dhe ma tej: Ramadan Islami (Çerpja) nga Lashkiza e Dardhës plagoset rëndë, jo njëherë por gjashtë herë, gjashtë plagë dhe si zgalem qëndronte në llogore me armë në dorë.,, (Sh. Skarra ‘’Çerpja i Dardhës në tabe të parë.,, Fb. 13.01. 2021)

Gjithë sa shkruajtëm janë disa fakte materiale, të prekshme, të lexueshme, të trashëguara brez pas brezi, nëpërmjet kangëve folklorike, shoqëruara nga fyelli e çiftelia, gdhendjeve në gurë e dru,në kujtime, lanë brez pas brezi në kuvende e oda; materiale nëpër muze, dhe së fundi, të studimeve të shumta në fushën e historisë, që nuk i mungojnë kësaj treve nga bijtë e saj e të tjerë.

    Orekset serbe për luginën e Drinit të Zi

    Studiuesi i historisë dibrane H. Lala nuk ka  përtuar të gërvisht sadopak në dëshirën, untinë, oreksin, nepsellekun, e shovinistëve serb, për zaptimin e luginës të Drinit të Zi. Propoganda e tyre duke u kapur në disa vega (vegja dial. Di.) të kalbura, deri dhe të pa qena, por të trilluara, për të arritur qëllimet e tyre kolonizuese, pushtuese, asgjësuese, zhdukëse, të shqiptarëve në përgjithësi e popullit Dibranë ne veçanti. Dhe ja:’’…pretendimet e vjetra sllave që, gjoja gjer në Drin (lumi Drini i Zi, S.M), treva jonë qenka me kulturë sllave.,, (H.Lala, po aty. f.28)  Ashtu siç nuk mund të pretendojm edhe ne që, shumë fjalë shqipe kanë hyrë në gjuhën e tyre, si ardhacak nga brigjet e pyjet e Dnjestrit të Rusisë, edhe te ne kanë mbetur disa ‘’fjalëza,, por ato i ka përjashtuar dialekti ynë gegë që ka rranjë të thella, që në kohën e popullsisë peneste dhe ma tej.  Për të hedhur dritë mbi mëvetësinë e dialektit Dibran, le të japim mendimin e Prof. Bahri Beci i cili shkruan:’’E folmja shqipe e Dibrës së bashku me mbarë të folmet shqipe të Maqedonisë kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në zhvillimet historike të strukturës dialektikore të shqipes, dhe nuk janë kurrsesi, rezultat zgjerimesh ose kolonizimesh të reja, siç përpiqet t’i paraqes propaganda ‘’shkencore,, e mbrojtur me fanatizëm nga disa shkencëtar që udhëhiqen nga bindja  nacionaliste pansllaviste.,,(A. Tufa, ‘’Dibra në sytë e të huajve.,, f. 88. Tiranë 2008)

Le të ndalemi te fjala, ose emri i qytetit Uskanë. Mjaft gojëdhëna dhe të shkruara tanima, tregojnë se fisi Skana i cili ndodhet në krahinën e Lurës (Fushe Lurë S. M) e Mirditë, ka prejardhjen e hershme nga emri i qytetit sipër shkruar. Mjafton me hequn, ose me shpërfill shkronjën e parë ‘’U.,,  Ne Radomir kemi fisin Daku (B. Shehu, E.Toca, f.105) kjo e shkruar me parë në vitin 1932, nga studiuesi Simon Daberdaku. Pra edhe te mbiemri i këtij studiuesi kemi shartim të sllavishtes me gjuhën  ose fjalën Ilirishhte të vërtetuar nga qyteza e Draudaku që ndodhesh në rrethinat e Ushtelenxës të sotme.

Nuk  mund të krijojmë bindje për kulturë ose fjalë sllave, kur disa fshatra të të luginës së Drinit të Zi emërtohen të tillë. Dhe ja e vërteta.’’…emrat e  fshatrave Kishavec, Gjinavec, Sorricë etj. kanë për rrënjë një fjale të burimit jo sllav, kishë,  patronimin Gjin e Sorrë, ndërsa prapashtesat -vec, -icë janë sllave. ,, dhe ma tej ‘’…në të njëjtën kohë krahas mikrotoponimeve me elementin qytet (xhitet) edhe emërtimet me fjalë sllave, Gradec (në Dovolan), Gradisht (në Peshkopi) Zagradisht (në Vleshë) që emërtojnë të njëjtin objekt topik.,,(M. Trepça, A. Hoxha, Vëzhg. His Gjuh. Mbi top. tr. Di. f.176. Stud. Fil. N.3, 1982) Dhe më tej për të forcuar argumentet, ja si shkruan në vitin 1880 anglezi Fitzamurice (Fitzmaurice…): ‘’Vilajeti i vjetër i Prizerenit që përmbledh para së gjithash Dibrën…ishte i dalluar prej fiseve sllave të lindjes dhe të jugës, ndonse gorasit, dhe disa fise të Ohrit, përveç gjuhës shqipe të familjes, përdornin edhe maqedonçen.,, (H.Lala, po aty. f.28)  

Të ndalemi te fshati Ostren i krahinës së Gollobordës që, flet gjuhën  bullgare kryesisht jashtë. Mirëpo aty kemi Fisin Mata me prejardhje nga rrethinat e krahinës së Matit. Ai ka ma shumë se dy shekuj që është larguar nga fshatrat e atjeshme. Dihet shumë mirë se ato ruajnë, zakonet, traditën, por edhe gjuhën e vend origjinës. E njëjta dukuri gjuhësore e traditash ka ndodhur me familjet e fisit Adili shkëputur nga fisi Balla i Muhurit,  që prej një shekulli e gjysmë (H.Lala, po aty, f. 28). Ato ruajnë me dashuri hyjnore gjuhën e zakonet e vend prejardhjes. Shembuj të tillë mund të japim edhe ma shumë.

Dhe ja një argument tjetër më shumë, një shprehje e një patriotizmi, pastërtie rrace shqiptare dhe vendali në shekuj i trojeve të tyre, ku dibranët përsëri në kam me luftue: ‘’Kemi marrë vesh që Dibra banë pjesë ndër krahinat që janë caktuar t’i lëshohen Bullgarisë simbas traktatit të Shën Stefanit (03 Mars 1878). Populli i Dibrës është mjaft i egërsuem nga një lajm i tillë. Dibra s’ka të bajë fare me vendin që quhet bullgari. Dibra është një krahinë thjesht shqiptare e ka më tepër se 220 000 banorë myslimanë dhe 10  000 të krishterë, të cilët mbajnë ndër dejet  e tyre vetëm gjak shqiptari. Na premtojmë me u shfarosun deri në njeriun e fundit, se sa me u fut nën zgjedhën bullgare, kundra dëshirës  sonë dhe kundra  të drejtave tona kombëtare.,, (H. Lala po aty f.19). Shkruan 100 vjet më parë, më 1880 edhe delegati francez i komisionit të Rumelise Lindore, Abaret.

Ndërsa vërtet kemi disa emra fshatrash të mbetura që shumë shekuj si Staravec, Bigjonec, Kishavec, Sllatine, Sohodoll etj. Por kurrsesi nuk mund të vendosim, shkruajm, vulosim se këto dikur banoheshin nga popuj sllavo serb.  Kjo vërtetohet nga mbledhja dhe gjykimi mbi toponomistikën ose  me mirë akoma nga gjetjet arkeologjike e dëshmi të tjera.

Ndërsa kërkojmë ta mbyllim me pasuesit e strategjive, taktikave, planeve shoviniste Serbe, për luginën e Drinit të Zi e më tej, deri në portin e Shëngjinit e të Durrësit,  pa lenë pas dore luftën titanike të dibraneve 1912.1921 për vijën strategjike që kërkonte futjen e Dibrës së Poshtme nën sundimin e tyre barabar. Dhe ja si shprehet Historiani dhe Akademiku serb Vasa Çubriloviq (1897-1990), në platformën e tij ‘’Shpërngulja e shqiptarëve,, në vitin 1937: ‘’Forca më e madhe e ekspansionit serb, që nga fillimi i krijimit të shtetit të parë serb e këndej, që nga shekulli IX, gjithmonë është mbështetur në kontinuitetin e këtij ekspansioni dhe të territoreve të vjetra të Rashkës, në të gjitha drejtimet, po edhe kah jugu…,,

Faktet  historike, ngjarjet e saja të shumta, mbeten abstrakte të rastësishme, të tjetërsuara nga armiqtë rrethues të Luginës së Drinit të Zi, poqese nuk i ruajmë trojet tona mijëra vjeçare, nga pushtuesit e shumtë të jashtëm dhe mbytësit e trojeve tona nga politikanët truthar e urije ujqërish për para. Gjithashtu studimet gjuhësore, zbulimet arkeologjike, shkruajtësit e historisë nuk duhet të reshtin së punuari ne këto fusha se kemi ende dëshmi e ngjarje të pa dokumentuara.

     Vlerat e thesareve të kulturës materiale e shpirtërore.

       Të mbajtur fort pas traditës, të ruajtura e trashëguara nga njëri brez në tjetrin, mjeshtëritë e shumta rrodhën bashkë me shekujt e  ujë kaltrat e Drinit të Zi, si,‘’…ajo që është gdhendur në gur a në dru, ajo që është derdhur në bronx a trajtuar në hekur, në gips apo në baltë, është jo vetëm një tregues i vërtet i kulturës së hershme materiale, por edhe një shprehje e fuqishme e kulturës shpirtërore…,, (H.Lala, po aty. f. 21).  Punime të tilla të gjetura nga gërmimet arkeologjike, ose të rastësishme, janë pothuajse kudo ndodhura në trojet e dibranëve. Mjeshtëritë e tilla përcillen në hapësirë e në kohë, me anë të trashëgimisë së tyre në individë, familje, fis, fshat, krahine etj.  Sigurisht është dialektike se ato vijnë gjithmonë dhe duke u përsosur e treguar filozofinë e mendimit, të artit popullor, të kulturës popullore të lidhur ngushtësisht me natyrën dhe veprimtarinë njerëzore, me nevojat, duke shikuar në sy të bukurën, emocionalen, që t’a ndjen shpirti e zemra.  A nuk ishin mjeshtra të gdhendjes së drurit ‘’Has Burgu nga Ternove, Hasan Lica nga Kacnia,  Sul Brunga nga Lura etj.,, (H.Lala, po aty. f. 24). Duke zbukuruar odat dibrane me gdhendje në dru, të kullave, veshin e rrushit, apo mollat, lule pjeshkën apo kallinjt e grurit, pse jo portrete heronjsh etj. Këto ‘’yrneqe,, siç i quan populli dibrane,  i çuan në përfundim studiuesit e kulturës materiale dibrane t’a pagëzonin me ‘’shkolla e Dibrës,,  Ndërsa tani a nuk kemi mjeshtrin e punimeve në bakër Avni Hilmi Sadiku, veprat e të cilit janë të njohura edhe në disa vende të Evropës. E të tjerë shembuj anembanë Dibrës.

Të qëndisura në mbulesa tavolinash, krevati, përpare nusesh, në xhamadan, të thurura në qilima e sixhade, të skalitura në  ballin e dyerve, të oxhaqeve në tavane, i gjen të tilla,’’…si shqiponja, shpata, besëlidhja(dy duar të shtrënguara fort) etj., të skalitura nëpër figura poetike të rapsodit, nëpër jelek e xhamadana, në rrasa oxhaqesh, në çemer të gurtë dyersh, që nga Lura e Goloborda, nga Katër Grykët në grykat e malësitë e tjera të Dibrës.,, (H. Lala, po aty, f. 21-22).   Keto shprehin shpirtin artist të dibranit, ruajtësin e  kujdesshëm të traditave, aftësinë dhe mençurinë për t’i ruajtur e trasmetuar ato brez pas brezi, si pasuri materiale e shpirtërore, që ushqejnë patriotizmin e dashurinë për liri, mëvehtësi, duke formuar shtatoren e kulturës dibrane e kombëtare të këtyre arteve.  Dhe ja çfarë na shkruan intelektuali Isuf Miha për Katër Grykët (Kacni, Selisht, Qafë Murrë, Lukan): ‘’Ustallarët gurëgdhendës si: Cen Miha, Dali dhe Sadik Sh.Lala, Hasan Biba, Çup  dhe Ferit Përhati, Abaz Prejsi, dhe Ram Lasku ndërtues dhe gdhendës të qosheve, në çemerët e dyerve, në rrasat e oxhaqeve, në gurët e varreve. Ato skaltnin mjeshtërisht: Shqiponjën dy krenare, datën e ndërtimit, gjarprin apo një luan etj.,,

Grupi i Muhurit _2020.Foto I.Voka

     Të gjitha këto janë pasuri e madhe, thesar i çmuar i popullit dibran ku ai ka shkruar me art, me mendje, shpirt dhe duar artisti të virtytshme biografinë e tij, herë pas here nga shekulli në shekull. Dhe ja se si shprehet historiani H.Lala duke e zgjeruar veprimtarinë e krijimtarisë të gjeniut popull, në luginën e Drinit të Zi ‘’Mendimi filozofik popullor dibran, gjuha alegorike, punimi i mahnitshëm i gurit dhe i drurit, qëndisja me shije  kaq të hollë e kostumeve të shumëllojshme, mjekimet popullore, sidomos ato të plagëve të pushkës, taracimet karakteristike të tokave, etj. Që në shekuj janë vepër e pa diskutueshme e gjeniut popull.,, (H.Lala, po aty. f. 24).

Mjeshtrat gurëskalitës, për Sinëne Epër dhe të Poshtëme Riza, Ramiz dhe Vesel Loka; Avdi dhe Rexhep Shquti;  Fasli Kadriu dhe Sinan Doka,(S. Shquti 17.01.’024); Selim Daci, Ibrahim Basha, Murat Krrashi nga Çidhna e Poshtëme; Xhil Hysa Gryke Nolë; Gani e Sinan Mëziu nga Fushë Muhuri; nga Katër Grykët, Dali Lala, Çup Perhati, Hasan Biba.  Ku me mjshtëri të rrallë, skalitnin shqiponjën me dy krena dhe pa yll; pëllumnbin e bardhë simbolin e paqes; emrin e të zotit të shtëpisë me dy degë ulliri; vitin e ndërtimit etj. Nuk kanë munguar hana, dielli, etj.

Edhe në qylyma e sixhade, në qendër të tyre i bamun me thek plotë shije e artë, shqiponja, pëllumbi, hana, dielli, yjet, gjethet e dushkut,  drethëza si frut, molla, dardhe, Kali në vrapim etj.   Arti shprehet me plotë emocione, pjesë, objekte, pamje, kafshë, shpendë nga natyra ose simbolin e flamurit të paqes ose besimeve para historike  në diell, në hanë dhe yjet etj.

Veshje muharake.Foto I.Voka

    Këto zejtari, mënyrat e shprehura në art në veshje e zbukurime, mjetet e përdorura e kanë fillesën në shtigjet e gjata të shekujve.   Sa për të gërvishtur në kohë e freskuar  kujtesën, po japim  fakte të tjera, për t’a vërtetuar se bota ka hallkat e saj lidhëse të pa ndërprerëshme  që në mugëtirën e kohërave dhe ja: ‘’Monedha prej argjendi…(e rreth viteve 450 – 380 p.e.s) i përket qytetërimit fenikas-ilirian në shekullin e 8-të p.e.s, gjendur Taras (Τάρᾱς) në thembër të “çizmes” italiane, dhe aty midis dy yjeve dhe gjysmëhënës shohim një mjet (boshti) që përdoret në tjerrjen e fillit të leshit…,, (A. Hasanas, ‘’Hëna gjyshja jonë.,, Studim.13.01. 2024)

Dhe me tej, për të shtuar ujëvarën e bindjeve, po japim një shembull tjetër: ‘’Vegla të ndryshme të përdorura për thurje, si rrotulla boshti, pesha vegjësh (razbuj dial.Di. S.M) etj., të cilat i përkasin mijëvjeçarit të dytë para erës sonë, janë gjetur kudo në Ballkan. Arkeologët tanë kanë zbuluar copa të vogëla shajaku të gurëzuem, që i përkasin mijëvjeçarit të parë. ‘’Ilirët ishin mjeshtra të famshëm për thurje .,, thotë K. Patsch.,,(Xh. Domi, f. 175, në: Dibra Almank, 1969)  Dëshmi kokëforte të traditave shekullore të cilat duhen ruajtur, mbrojtur me ligje, trasmetuar nëpërmjet dokumentimeve, të shkruarit në libra e të vizatuarit. Ato bahen kështu kudhra edukimi, vullkan krenarie, shpërthime heroizmi e  kalitje vyrtytesh  njerëzore të popullit vendali Dibran. Ndërsa shpopullimi i fshatrave, mbytja e luginës së Drinit të Zi me liqen janë varrmihësit e kësaj trashëgimie të vyer, diell ndritshmja e luginës të lumit tonë miliona vjeçar.

Tavolinë e çezme.

Punoi S.Daci.Foto:S.Daci

Natyrisht në thesaret e kësaj pasurie hynë triumfalisht, pa dyshime frikacakësh ose idealistësh, gjuha jonë e pasur me fjalë të që motshme, zakonet e shumta në martesa, vdekje, festa të shumta lidhura me natyrën. Prerja, qepja e kostumeve  të mrekullueshme të shumëllojshme, kangët të krijuara nga rapsod popullor mbushur me ndjenja emocionuese e ‘’thurur,, me figura poetike, vallet popullore, grashë apo burrash, kërcimet njeshe ose dyshe; lojrat e shumta popullore, janë tregues rreze art se populli dibrane ka qenë ashtë e do të jetë artisti i vërtet, punëtor, trim patriot e i kulturshëm. Të cilat përbëjne themelet e thella e te pazhdukshme nga kushdo forcë e tajfune nga çdo drejtim që të turret.

Traditat e punës së lodhshme mbushur me sakrifica e bujkut dhe bariut dibranë, në kultivimin e vreshtave, dru frutorëve, drithërave, perimeve,  lirit dikur, krimbit të mëndafshit,  punimeve të tokës me pregatitjen e veglave të punës, konservimit të frutave, perimeve, përgatitjes së bulmetrave, zahireve për dimërat e ftohtë e me borë,  ruajta e racave të deleve, dhive, lopëve, kuajve  janë të çmueshme dhe sigurisht ju kanë vlejtun  brezave të shumtë, dhe kanë ndjekur rrjedhat e kohërave me besnikëri,  por edhe duke u përsosur. Dhe ja nje shembull. Qypat e dikurshëm për të konservuar drithërat, si ai i gjetur në Deshat (koha ilire, peneste S.M) rastësisht; koshat, kosharët, hambarët, apo bluarja me mullinj me krah, kuaj, pastaj në atë me ujë e deri te ato me energji elektrike e tani fabrika bluarje.  Te gjitha këto të ndodhura në rrjedhjen e vrullshme të kohërave në krahinën e Dibrës së Poshtme.

                  Përfundime

  •  Materialet e shumta arkeologjike, që nga majat e heshtave me gur stralli, te sopata, çekiçi e dalta prej të njëjtit material të fort e deri te gur skalitësit, prodhimet prej enësh balte tregojnë vazhdimësinë e jetës njerëzore në të dy anët e luginës së Drinit të Zi.
  • Gjuha e Dibrane me dialektin e saj, rapsoditë popullore, vallet, lojërat popullore, zakonet e shumta në familje fis e fshat, në festa, martesa, lindje e vdekje; gdhendjet në dru e përdorimet e shumta të tyre, tregojnë për shtrat të vetin të ngritur e mbajtur prej kohësh, këtu në hapësirën gjeografike të tokës dibrane.
  • Punimet e leshit, thurjet ne razbuj, qëndisjet, thurjet me shtiza, përdorimi i tyre në veshje me kostume të shumë llojshme, zbukuruar me shpirt artistësh krijues; mjeshtëritë prej bujqësh duar art dibrane, blegtor të apasionuar, përdorimi i veglave  muzikore, çiftelia e fyelli janë thesar i paçmueshëm i kulturës materiale e shpirtërore dibrane të cilat përcaktojnë fytyrën e shtatores të kulturës materiale e shpirtërore dibrane.
  •   Për të gjitha sa shkruajmë ma sipër le të marrim mendimin e Historianit H. Lala si përfundim, që shkëlqen si vetëtimë e gjëmon në vazhdimësinë e poullit dibran: ‘’…Dibrës nuk i ka munguar t’i jap Atdheut të vet në shekuj, veç mjeshtrave të mëdhenj të shpatës e të pushkës, edhe mjeshtra të mendimit, të daltës, të gjilpërës, të penës, të punës se vërtet krijues.,, (H. Lala, po aty, f. 26).
  •  A duhet që këtë truall të begat prodhimesh, thesar traditash, zakonesh, pasurishë materialesh kulturore e shpirtërore, të na shpopullohet, shkretohet, zhduket ose me kriminalia, më e keqja, ma e dhimbshmja të na mbytet nga ujrat kënetore, Skavica një herë e përgjithmonë?
  •   Përgjigja, JO KURRËN E KURRËS, se do të humbnim, individualitetin tonë si popull, pasuritë tona të shumta në shpirtin e zemrat e dibranëve kudo që janë, të pasurive mbi e nën taksorë, do të humbnim një popull që jeton në male e lugina në shekuj, kala mbrojtje për gjithë Shqipërinë.
  •  Ky postim eshte huazuar nga www.gazetadestinacioni.al
Back to top button