
Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka shpallur bojkot pesëditor të të gjitha seancave gjyqësore penale, duke nisur nga sot deri më 25 tetor, në shenjë proteste ndaj arrestimit të avokatit U.B.
Vendimi për pezullimin e pjesëmarrjes në gjykata prek edhe proceset në Gjykatën Kushtetuese, me përjashtim të seancave që lidhen me masat e sigurisë.
Ky reagim institucional vjen pas një përplasje verbale mes avokatit U.B dhe prokurorit të çështjes Gj.C., gjatë një seance gjyqësore që lidhej me arrestimin e 14 personave në Elbasan më 13 tetor, disa prej të cilëve ishin të armatosur. Pas debatit, avokati u ndalua nga autoritetet, gjë që ka shkaktuar reagim të fortë nga komuniteti ligjor.
Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë e ka cilësuar ndalimin si të pajustifikueshëm dhe të rrezikshëm për pavarësinë e profesionit të avokatit. Sipas deklaratës zyrtare, avokati në fjalë kishte paralajmëruar prokurorin për një kallëzim penal, duke e akuzuar për manipulim të provave në dëm të klientit që ai përfaqësonte.
Shoqata thekson se ky veprim është pjesë legjitime e ushtrimit të detyrës dhe se arrestimi përbën një shkelje të rëndë të të drejtave kushtetuese dhe të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
“Arrestimi i një avokati për shkak të ushtrimit të detyrës është një akt i papranueshëm, që dëmton seriozisht besimin e publikut tek drejtësia dhe cënon ekuilibrin e procesit të rregullt ligjor”, thuhet në deklaratën e Shoqatës, e cila kërkon lirimin e menjëhershëm të avokatit, hetim të pavarur mbi ngjarjen dhe masa disiplinore ndaj çdo zyrtari që ka keqpërdorur detyrën.
Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë ka vendosur që avokatët të mos marrin pjesë në asnjë seancë gjyqësore gjatë periudhës së bojkotit, si formë proteste ndaj asaj që e konsideron cenim të pavarësisë profesionale dhe një precedent të rrezikshëm për sistemin e drejtësisë.
Start News