Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit për Bashkinë Bulqizë nxjerr në pah një nga problematikat me financat vendore: nivelin e lartë të detyrimeve debitore të paarkëtuara dhe mungesën e të ardhurave në buxhetin vendor, si pasojë e mosveprimit administrativ dhe fiskal të institucionit.
Sipas auditimit për vitin 2024, Bashkia Bulqizë rezulton me 109,425,160 lekë detyrime debitore, të cilat nuk janë arkëtuar nga taksat dhe tarifat vendore. Në raport theksohet se kjo situatë ka sjellë drejtpërdrejt “të ardhura të munguara për buxhetin e bashkisë”, duke cenuar aftësinë financiare të institucionit për të ofruar shërbime publike.
Vetëm njoftime, pa masa shtrënguese
Një nga gjetjet kryesore të auditimit lidhet me faktin se bashkia nuk ka ndjekur procedurat ligjore në mënyrë shteruese për arkëtimin e këtyre detyrimeve. KLSH konstaton se: “Për vjeljen e detyrimeve janë nxjerrë vetëm njoftim-vlerësimi për detyrimin dhe nuk është aplikuar asnjë masë tjetër shtrënguese.”
Në praktikë, kjo do të thotë se, edhe pse borxhet janë identifikuar, bashkia ka dështuar të përdorë instrumentet ligjore që i njeh ligji për procedurat tatimore, duke toleruar zvarritjen e pagesave dhe duke krijuar një precedent mosndëshkimi për debitorët.
Detyrime që nuk figurojnë fare në kontabilitet
Situata bëhet edhe më problematike nga fakti se një pjesë e detyrimeve as nuk janë pasqyruar në kontabilitetin e bashkisë në shumën prej 2,442,356 lekë.
Mosregjistrimi i detyrimeve në llogaritë financiare jo vetëm që deformon pasqyrat financiare, por fsheh edhe nivelin e borxhit që qytetarët dhe bizneset kanë ndaj bashkisë.
Legalizime pa pagesë dhe taksa infrastrukture të papaguara
Auditimi zbulon gjithashtu probleme në administrimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë, e cila lidhet drejtpërdrejt me proceset e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Sipas KLSH: “Në lidhje me detyrimet për taksën në infrastrukturë nga legalizimet e ndërtimeve pa leje, në fund të vitit 2024 rezultojnë debitorë 40 persona me vlerë 940,259 lekë, vlerë e cila konsiderohet e ardhur e munguar për buxhetin e bashkisë.” Kjo duke dëmtuar interesin publik dhe duke krijuar pabarazi mes qytetarëve që paguajnë dhe atyre që shmangin pagesat.
Karburante pa licencë dhe pa pagesa
Një tjetër gjetje lidhet me aktivitetin e tregtimit të karburanteve. Raporti evidenton se: “9 subjekte ushtrojnë aktivitet të tregtimit të karburanteve, nga të cilët 2 subjekte nuk janë pajisur me autorizim/licencë për të cilët nuk është marrë asnjë masë shtrënguese.”
Ndërkohë, për subjektet e licencuara, situata nuk është më e mirë, pasi: “Nga 7 subjektet e tjerë kanë detyrime të papaguara në shumën 5,800,000 lekë, e cila nuk është evidentuar në kontabilitet.”
Qira të papaguara nga fondi pyjor dhe kullosor
Auditimi evidenton edhe probleme serioze në administrimin e pasurive publike. Sipas raportit: “Në fund të vitit 2024 paraqiten debitorë 4 shoqëri qiramarrëse që nuk kanë shlyer detyrimet e kontratës në vlerën 30,038,472 lekë, të cilat përbëjnë të ardhura të munguara për buxhetin e bashkisë.”
Edhe këto detyrime nuk janë kontabilizuar, duke thelluar më tej mungesën e transparencës financiare dhe rrezikun e humbjes së fondeve publike.
Një dëm i drejtpërdrejtë për qytetarët
Në total, KLSH konstaton se 43,521,725 lekë detyrime debitore nuk janë kontabilizuar fare, duke përfshirë taksa, tarifa, licenca dhe qira. Sipas gjetjeve të raportit të KLSH për Bashkinë Bulqizë çdo lek i paarkëtuar është më pak investime dhe më pak shërbime.
Raporti e bën të qartë se përgjegjësia për këtë gjendje bie mbi strukturat drejtuese dhe administrative të bashkisë, të cilat nuk kanë përdorur mjetet ligjore në dispozicion për të mbrojtur interesin financiar të institucionit dhe të qytetarëve.
Për shkeljet e konstatuara, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vendosur masën administrative “Vërejtje” për dy drejtues të Bashkisë Bulqizë. Konkretisht, masa është marrë ndaj Drejtorit të Financës, për parregullsi dhe pasaktësi në hartimin dhe raportimin e pasqyrave financiare, si dhe ndaj Drejtorit të të Ardhurave, për probleme në arkëtimin e të ardhurave të bashkisë dhe në monitorimin e borxhit vendor.
