Aktualitet dhe Lajme

Dështon instalimi i sistemit të ri nga Banka Kombëtare Tregtare, kaos në sportele dhe shërbime të paralizuara

Share

Banka Kombëtare Tregtare, po përballet me një situatë kaosi në sportelet e saj dhe në të gjitha shërbimet bankare, si pasojë e problemeve me instalimin e sistemit të ri qendror.

Për të dytën ditë radhazi, (e premte, 4 korrik dhe e hëna, 7 korrik), klientët kanë hasur ndërprerje vazhdueshme të shërbimeve, duke përfshirë pamundësinë për të kryer veprime në sportele, ATM apo kanalet e tjera të komunikimit me bankën.

Megjithëse BKT njoftoi më 30 qershor se nga data 4 deri më 6 korrik, do të kryente një përditësim të planifikuar të sistemit për një “përvojë bankare më të shpejtë dhe më të sigurt”, realiteti ka qenë i ndryshëm.

Në vend të përmirësimeve të premtuara, klientët janë përballur me një kolaps total të shërbimeve.

“Gjatë kësaj periudhe, disa shërbime do të kenë ndërprerje të përkohshme ndaj ju këshillojmë të kryeni veprimet e rëndësishme përpara mesnatës së ditës së premte”, thuhej në njoftimin zyrtar të bankës. Por edhe pas përfundimit të afatit, situata nuk është normalizuar.

 

 

Ndërkohë, të hënën, BKT deklaroi se sistemi i ri ishte instaluar me sukses, por pamjet dhe dëshmitë nga degët e bankës tregonin të kundërtën.

Skyweb.al, konstatoi radhë të gjata, nervozizëm të klientëve dhe pamundësi për të kryer operacione të thjeshta bankare.

Probleme u hasën në të gjitha pikat: arkat, shërbimi ndaj klientit dhe aksesimi i llogarive.

BKT, është vetëpërshkruar në mënyrë të vazhdueshme si “banka më e mirë në Shqipëri”, duke marrë çmime që shpesh shihen si të porositura dhe duke investuar në PR agresiv.

Por situata aktuale, sipas shumë klientëve, tregon një realitet ndryshe: një sistem bankar në rënie të lirë.

Simptomat e një degradimi të rrezikshëm në sistemin bankar:

Paraja: Rritja e fitimeve të bankave, është mbështetur më shumë në qarkullimin masiv të parasë në ekonomi, sesa në cilësinë e produkteve dhe shërbimeve.

Punonjës të pakualifikuar: Emigrimi i të rinjve dhe pagat e ulëta në sektorin bankar, kanë sjellë mungesë të aftësive profesionale në sportele, duke rënduar më tej përvojën e klientëve.

Largimi i brandeve europiane: Banka nga vende të BE-së janë larguar nga tregu shqiptar, duke ulur standardet dhe konkurrencën.

Kjo situatë nxjerr në pah një problem më të thellë dhe më shqetësues: mungesën e vizionit për të ndërtuar një sistem bankar që i shërben klientit dhe i përgjigjet sfidave teknologjike me seriozitet.

Nëse përballja me klientin është kaq e dobët, mbetet për t’u imagjinuar se çfarë ndodh me mbrojtjen e të dhënave apo me reagimin ndaj sulmeve kibernetike.

Rasti i fundit me BKT, është një alarm i fortë për gjithë sektorin bankar në vend, një thirrje për reflektim dhe përgjegjshmëri reale, përtej reklamave dhe çmimeve të zbukuruara. /skyweb.al




Huazuar nga albeu.com

Back to top button