Aktualitet dhe Lajme

Dështoi 20 herë/ Sot tentativa e 21-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, a do kalohet ngërçi politik?

Share

KOSOVË- Pas 20 dështimeve, Kuvendi i Kosovës edhe këtë të dielë do të mblidhen në përpjekjet e radhës për konstitumimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhje e 9 shkurtit. Seanca është planifikuar të nisë nga ora 11:00.

Seancën e kaluar më 23 maj, për të 12-ën herë dështoi formimi i një komisioni për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.

Çështja e votimit të fshehtë që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë.

Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul në kandidaten e saj, Albulena Haxhiu, për postin e kryeparlamentares, e cila nuk po gjen mbështetje nga partitë tjera.

Këto parti i ka bërë thirrje Vetëvendosjes që të ndërrojë kandidaten dhe në vend të Haxhiut të kandidohet “një figurë konsensuale”.

Në deklarimet pas seancës së kaluar, përfaqësues të partive politike bënë me dije se qëndrimi i tyre nuk do të ndryshojë.

Deputetja nga lista e Vetëvendosjes, Donika Gërvalla, fajësoi deputetët e partive tjera për bllokadën në Kuvend.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se Kosova është duke u mbajtur peng e kryeneçësisë së kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke shtuar se partia e saj është pro hapjes së rrugës me ofrimin e alternativave të tyre.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button