Denoncimi i Këlliçit: Ky është formulari ku punonjësit e OSHEE detyrohen të gjejnë 10 votues për ministrin Ervin Hoxha, SPAK të hetojë

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Tiranën, Belind Këlliçi, ka publikuar një denoncim të fortë në rrjetet sociale, duke akuzuar qeverinë për presion elektoral mbi administratën publike.
Ai ka shpërndarë një foto të një formulari që sipas tij u shpërndahet punonjësve të OSHEE-së, të cilët detyrohen të sigurojnë nga 10 votues secili për Ministrin e Brendshëm në detyrë, Ervin Hoxha.
Sipas Këlliçit, punonjësit përballen me kërcënimin e humbjes së vendit të punës nëse nuk përmbushin “detyrën”.
Ai thekson se dy numra telefoni të bashkangjitur në formular, janë përdorur për të kontaktuar dhe verifikuar votuesit e listuar, ç`ka përbën, sipas tij, një formë të qartë patronazhimi politik.
Këlliçi kërkon ndërhyrjen urgjente të SPAK-ut, duke e cilësuar rastin si manipulim flagrant të votës dhe një krim elektoral që duhet të hetohet pa vonesë.
Ai thekson se një procedim penal mund të nisë menjëherë mbi bazën e këtij materiali, duke e cilësuar çdo vonesë si të pajustifikueshme dhe cënuese për procesin zgjedhor.
Postimi i Belind Këlliçi:
Ky është formulari me të cilin punonjësit e OSHEE-së në Tiranë detyrohen të gjejnë 10 votues për Ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha.
Kërcënimi: humbja e vendit të punës.
Dy numrat e telefonit të bashkangjitur janë numrat të cilët telefonojnë votuesit e shënuar në listë për të vërtetuar votën e tyre pro ministrit në detyrë. Ky patronazhim bëhet në ditën qe po flasim e deri të premten, një ditë para heshtjes zgjedhore.
Task Forca e SPAK-ut mund të mjaftohet me këtë denoncim për të hapur një procedim penal, pasi faktet janë të hapura dhe manipulimi i votës skandaloz.
Çdo vonesë është e pajustifikuar dhe cënuese për procesin zgjedhor.