Deklarata e statusit personal, si ndryshon tatimi për të dypunësuarit? – Fast News Economy
Në një apo më shumë punë, pavarësisht rrogës… përpara se të marrin pagën e muajit janar, të gjithë individët duhet të plotësojnë Deklaratën e Statusit Personal. Për personat në vetëm një marrëdhënie pune nuk ndryshon asgjë. Ata që punojnë në dy apo më shumë vende duhet të zgjedhin se në cilin subjekt do të zbatohet tatimi zero për rrogën deri në 30 mijë lekë të reja.
“I cili është një dokument që nënshkruhet nga punëdhënësi dhe punëmarrësi, përpara fillimi të marrëdhënies të punësimit për ata që punësohen rishtas. Përsëri edhe ata që janë në marrëdhënie pune duhet ta plotësojnë duke qenë se është një kërkesë që aplikohet për herë të parë”, tha Rozana Çelmeta, Drejtoresha e procesit të biznesit në DPT, shkruan A2 CNN.
Nëse një individ i dypunësuar, në njërën me kohë të plotë e rrogë bruto 90 mijë lekë e tjetrën me kohë të pjesshme e pagë bruto 50 mijë lekë vendos të plotësojë Deklaratën e Statusit Personal te subjekti i parë, atëherë ai do të paguajë 7 mijë e 800 lekë tatim në vend të 11 mijë e 700 lekëve. Subjekti i dytë do të paguajë tatimin e plotë në vlerën e 6 mijë e 500 lekë. Po çfarë ndodh me individët që nuk e plotësojnë deklaratën?
“Individi ka të drejtën që me përfundimin e vitit ushtrimor të plotësojë deklaratën individuale vjetore dhe aty bëhen përllogaritjet dhe rregullimet për çfarë ka apo nuk ka paguar, ka paguar më tepër apo më pak dhe shuma që i del që duhet rimbursuar, individi ka të drejtën të bëjë kërkesën, por kjo vonon në kohë”, tha Rozana Çelmeta, Drejtoresha e procesit të biznesit në DPT.
Deri më tani ligji parashikonte që ndaj të dypunësuarve, të ardhurat bashkoheshin në fund të vitit dhe i nënshtroheshin tatimit, pas plotësimit të deklaratës së të ardhurave vjetore. Ndërkohë brenda 31 marsit, të gjithë individët që gjatë vitit të shkuar kanë qenë të dypunësuar ose kanë pasur pagë mujore të barabartë ose mbi 100 mijë lekë në muaj duhet të plotësojnë Deklaratën e të Ardhurave Personale.
“Janë mbi 140 mijë individë që duhet të dorëzojnë deklaratën DIVA duke konsideruar vetëm kriterin e të ardhurave nga punësimi. Penaliteti në rast mosplotësimi ose mosdorëzimi në kohë është në vlerën 3 mijë lekë”, tha Rozana Çelmeta, Drejtoresha e procesit të biznesit në DPT, shkruan A2 CNN.
Deri në fundin e vitit 2023, kufiri për deklarimin e të ardhurave bruto ishte në 2 milionë lekë në vit ose më shumë se kaq.
Huazuar nga fastnewseconomy.com