
Dëgjesa publike e zhvilluar këtë të mërkurë në qendrën e njësisë administrative Shupenzë ishte në vijim të takimeve që Këshilli Bashkiak dhe Bashkia Bulqizë po organizon në të gjitha njësitë. Kjo në kuadër të diskutimeve për projekt-buxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2026. Në takim përveç drejtuesve vendorë dhe adminsitratës qendrore, morën pjesë edhe disa banorë nga fshatrat përreth.
Ashtu si në dëgjesat e tjera, takimi ishte një përziere mes falënderimeve për punët e kryera, duartrokitjeve të administratës dhe ankesave për problemet e pazgjidhura. Banorët ngritën shqetësime për rrugët e amortizuara, kanalet vaditëse të bllokuara, mungesën e ujit të pijshëm, si dhe mungesën e punësimit në administratën vendore.
Takimi nisi me fjalën e kryetares së bashkisë, Festime Mjeshtri, e cila foli gjatë për arritjet dhe punët e kryera gjatë vitit që po mbyllet. Ajo e përshkroi vitin si “sfidues”, duke përmendur përballjen me situatat e zjarreve në verë dhe me murtajën e bagëtive, që sipas saj, “janë menaxhuar me sukses”. Mjeshtri paraqiti edhe një panoramë të punëve të kryera gjatë vitit 2025 në këtë njësi.
“Në njësinë administrative Shupenzë kemi investuar 9.3 kilometra asfalt, si dhe kemi përfunduar rikonstruksionin e një sërë kanalesh vaditëse. Shumë shpejt do të nis edhe përmirësimi i rrjetit elektrik në disa fshatra, pasi në pjesën më të madhe të zonës punimet kanë përfunduar,” tha ajo.
Megjithatë, diskutimet e banorëve sollën një tablo të ndryshme nga ajo zyrtare. Një pjesë e tyre e vlerësuan angazhimin e bashkisë, por kërkuan më shumë ndërhyrje konkrete në rrugët rurale.
Një banor nga Lagjja Manjane tha: “Në Lagjen Manjane nuk na kanë ndihmuar as me çimento për të shtruar naj rrugë as gjë tjetër. Qoftë drejtori i shërbimeve që ishte, por edhe ky që është sot. Një malore afro 80 metra linerar që duhet të bëhet me beton. E dyta. Kanali deri në rrugën kryesore është i pa pastruar. Ferra. Duhet fadromë për ta pastruar. Komplet uji del në xhade.”
Ndërsa drejtori i Agjencisë së Funksioneve të Transferueshme, Haxhi Pulja, u përgjigj se institucioni që ai drejton do të mundohet të ndërhyjë aty ku është më urgjente. “Po, mund të realizojmë diçka dhe ta përfundojmë,” tha ai.

Një banor tjetër nga fshati Vlashe theksoi se rruga e tyre është “copë-copë” dhe se çdo shi e bën të pakalueshme. “Kanalet janë të bllokuara dhe nuk është bërë asnjë ndërhyrje. Gjysma e fshatit nuk ka ujë të pijshëm, ndërsa uji në Shupenzë derdhet kot nëpër puseta. Kërkojmë vepra, jo premtime,” tha ai.
Nga fshati Homezh, një banor e zhvendosi debatin te mungesa e mundësive për punë:
“Jam nga fshati Homezh. Kam takuar ty dhe nënkryetarin e bashkisë për një vend pune dhe as që e ka marrë në konsideratë. Më ka thënë se pyetet kryetarja. Në bashkinë Bulqizë ka 5-6 familje që i kanë punësuar të gjithë anëtarët në bashki. Ka familje që janë me ndihmë ekonomike 50-60 mijë lekë edhe nuk ka punë. Po na dhe përgjigje mirë po qe se jo ju e dini vetë. Ju ka zgjedhur populli.”
Një tjetër problem që u përmend disa herë ishte menaxhimi i mbeturinave dhe kanalet vaditëse. Një banor u ankua për përmbytje të përsëritura: “Nga Homezhi dhe deri tek Ura e Sebinit kërkoj që të investohet tek kanali kryesor. Është skandal. Si pasojë e mbeturinave ne jemi përmbutur më shumë se dy herë. Duke na ardhë uji tek shpija. Për 2026 mbeturinat duhet kenë më shumë sistemim dhe shtim kazanash. Përmende ndriçimin, por lagjja jonë për 4 shtylla është lënë. Kërkojë asfaltim në rrugët e lagjeve. Kërkojë që të pastrohen kanalet vaditëse dhe kulluese. Gjithashtu fshatari prodhon por nuk ka ku i shet. Duhet treg. Duhet edhe të kontrollohen investimet që bëhen. Cilësia. Pasi janë bërë kanale dhe janë çarë se nuk kanë futur tel në beton.”
Banorë të tjerë përmendën nevojën për ndërhyrje në rrugën e varrezave të fshatit Boçevë dhe përfundimin e rrugës së Topojanit që, sipas tyre, “është lënë në gjysmë” por edhe ndërtimin e ujësjellësit.
Dëgjesa e radhës do të zhvillohet në Njësitë Administrative Ostren dhe Trebisht. Sipas njoftimit zyrtar të Këshillit Bashkiak Bulqizë, banorët, bizneset dhe grupet e interesit ftohen të marrin pjesë më 23 tetor 2025, në orën 16:00 për Njësinë Administrative Ostren dhe në orën 18:00 për Njësinë Administrative Trebisht. Takimet do të mbahen në kuadër të hartimit të Projekt-Buxhetit për vitin 2026, Paketës Fiskale 2026 dhe Projekt-Buxhetit Afatmesëm.