
Dëgjesa publike e zhvilluar këtë të premte në kinemanë e qytetit të Bulqizës për Lagjen Minatori, Gjeologu dhe Vajkal 2 ishte në vijim të asaj të një dite më parë në Lagjen e Re, duke ndjekur pothuajse të njëjtën atmosferë: sallë e mbushur kryesisht me punonjës të administratës dhe shumë pak qytetarë të thjeshtë. Takimi, që kishte për qëllim diskutimin e projekt-buxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2026, zgjati vetëm rreth 20 minuta dhe nisi me vonesë.
Në sallë pati pak diskutime nga qytetarët, por ato që u ngritën shpalosën një tablo të zymtë të jetës në disa lagje të Bulqizës, përpos ngjyrave të kryetares Mjeshtri – nga mungesa e ujit të pijshëm, degradimi i pallateve, mungesa e pastrimit të pyjeve dhe deri te problemet me qentë endacakë dhe zënia e hapësirave publike.
Takimi nisi me fjalën e kryetares së bashkisë, Festime Mjeshtri, e cila foli gjatë për arritjet dhe punët e kryera gjatë vitit që po mbyllet. Ajo e përshkroi vitin si “sfidues”, duke përmendur përballjen me situatat e zjarreve në verë dhe me murtajën e bagëtive, që sipas saj, “janë menaxhuar me sukses”. “Kam vendosur që të jap tre paga shpërblim për zjarrfikësit,” tha Mjeshtri, duke shtuar se në Bulqizë janë bërë një sërë investimesh që do të vazhdojnë edhe në vitin e ardhshëm.
Mjeshtri, i dha prioritet të veçantë një prej çështjeve, që sipas saj është “kritike” e qytetit: lopët që enden në rrugët e Bulqizës. “Kërkoj mirëkuptimin tuaj për një çështje delikate që prek qytetin e Bulqizës, siç janë lopët nëpër qytet. Duhet ta bëjmë Bulqizën një qytet lulesh për të thithur më shumë oksigjen…” – tha ajo, duke e vënë në qendër të diskutimit një problem që, sipas saj, meriton vëmendje të veçantë nga qytetarët dhe administrata.
Gjatë dëgjesës, një numër i vogël qytetarësh morën fjalën për të shprehur shqetësimet e tyre, shumica prej të cilëve vunë në dukje mungesën e investimeve në lagjet e tyre dhe gjendjen e rënduar të infrastrukturës.
Një banor i lagjes “Gjeologu” e përshkroi zonën si “lagje llamarinash”, duke theksuar se pallatet janë “amortizuar komplet” dhe se “përveç pusetave të ujërave të zeza që janë bërë para tre vitesh, asgjë tjetër nuk është investuar”. Ai kërkoi që të ndërhyhet në fasada dhe legalizimin e banesave. Gjithashtu sipas tij, pyjet janë degraduar totalisht dhe nuk është bërë asnjë investim përveç se në kohën e partisë së punës”, duke kërkuar që bashkia të ndërhyjë dhe t’i kërkojë qeverisë mbështetje për zonën.
Drejtori i Urbanistikës në bashki, pas kërkesës së Mjeshtrit, reagoi duke theksuar se ndërhyrjet janë në proces: “Fasadat e pallateve po bëhen aktualisht në Lagjen e Re dhe shpresojmë që vitin që vjen të vijmë edhe në Lagjen e Vjetër. Sa i përket legalizimeve tek pallati i punëtorëve, ne kemi bërë kërkesë Ministrisë së Mbrojtjes për konfirmimin e pronësisë, që të kalojë në emër të bashkisë përpara se të legalizohen tek banorët.” Ndërsa drejtori i pyjeve premtoi se “përmirësimi i gjendjes së pyjeve do të jetë prioritet në listën e investimeve të ardhshme”.
Një tjetër banor, nga lagjja “Allmete”, tha se ai dhe bashkëlagjja “Duriçe” janë “lagjet më të diskriminuara në qytet”, pasi, ndonëse janë bërë tendera për ujin vaditës dhe të pijshëm, “ujë rrotull ka sa të duash, por në shtëpi nuk kemi ujë”. Ai paralajmëroi për rrezikun që paraqesin përronjtë e liqeneve që shkaktojnë dëme të vazhdueshme dhe kërkoi ndërhyrje urgjente për rehabilitimin e anësoreve me rrjetë dhe gurë.
Thuajse të gjithë folësit në dëgjesë ndanë një shqetësim të përbashkët: mungesën e ujit të pijshëm në shumë lagje të Bulqizës. Banorët theksuan se, pavarësisht premtimeve dhe tenderëve të shpallur ndër vite, problemi vijon të jetë i njëjtë. Megjithatë, në sallë nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues i UKD-së apo i njësisë së shërbimit të ujësjellësit në Bulqizë, gjë që la pa përgjigje shumë nga pyetjet dhe ankesat e qytetarëve për këtë çështje jetike.
Ajo që tërhoqi vëmëndjen në sallë dhe preku shumë pjesëmarrës ishte historia e Besnik Hilës, ish-minator me 30 vite punë, i cili denoncoi gjendjen e rëndë sociale në Bulqizë, duke thënë se “qyteti është bërë si në mesjetë” dhe se “punonjësit e administratës nuk bëjnë asnjë punë”. Ai solli shembullin personal të djalit të tij, që vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe “merr vetëm 116 mijë lekë të vjetra ndihmë”, ndërsa bashkia nuk ka ofruar asnjë mbështetje konkrete. “Shyqyr që jam unë gjallë, se përndryshe do të ishte në rrugë,” u shpreh Hila, duke kërkuar më shumë ndjeshmëri nga pushteti vendor ndaj rasteve të tilla.
Në diskutim u kërkua të përfshihej edhe ish-drejtori i shërbimeve sociale, Vilson Sula, i cili premtoi se “do të merrej personalisht me rastin ditën e hënë”, duke pretenduar se nuk kishte dijeni për rastin, pasi bashkia kishte qenë në proces ristrukturimi. Hila e kundërshtoi, duke i thënë: “Mos rrej, se je në dijeni të problemit.” Pavarësisht qëndrimit të tij në sallë, zyra e propagandës së kryetares Mjeshtri e fshiu Hilën nga të gjitha fotot e publikuara në rrjetet sociale – që propagandonin takimin.

Për të mbuluar faktin se në sallë shumicën e vendeve i zinte administrata bashkiake, zyra e propagandës së kryetares Mjeshtri nuk publikoi asnjë foto ballore të sallës. Në faqet zyrtare u shpërndanë vetëm pamje të zgjedhura, të fokusuara te folësit pranë podiumit, duke shmangur çdo kënd që do të tregonte boshllëkun e pjesëmarrjes qytetare. Kjo për të krijuar një përshtypje të rreme për “interesin e madh të qytetarëve”.
Një tjetër folës ngriti problematikën e parkimeve të paligjshme dhe zënien e hapësirave në hyrjet e pallateve. Ndërsa një tjetër folës kërkoi zgjidhje për mungesën e ujit, duke akuzuar fabrikën e pasurimit të kromit se “përdor ujin vaditës që duhet të vijë për banorët”. Sipas tij, “ka një vendim të këshillit bashkiak që lejon fabrikën të marrë gjysmën e ujit për tre muajt e verës, por asnjë zgjidhje nuk është gjetur”.
Dëgjesa e radhës do të zhvillohet në Njësitë Administrative Fushë-Bulqizë dhe Zerqan. Sipas njoftimit zyrtar të Këshillit Bashkiak, banorët, bizneset dhe grupet e interesit ftohen të marrin pjesë më 20 tetor 2025, në orën 16:00 për Njësinë Fushë-Bulqizë dhe në orën 17:00 për Njësinë Zerqan. Takimi do të mbahet në kuadër të hartimit të Projekt-Buxhetit për vitin 2026, Paketës Fiskale 2026 dhe Projekt-Buxhetit Afatmesëm.