
Dëgjesa publike e organizuar nga Bashkia Bulqizë dhe Këshilli Bashkiak për hartimin e projektbuxhetit dhe paketës fiskale të vitit 2026 u zhvillua sot në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Shefqet Tançi”, me pjesëmarrje të kufizuar të qytetarëve dhe prezencë masive të punonjësve të administratës bashkiake. Takimi, i parashikuar të niste në orën 16:00, filloi me 25 minuta vonesë dhe zgjati rreth 30 minuta.
Në sallë ishin kryesisht punonjës të institucioneve vartëse të bashkisë – nga pastrimi, çerdhet, kopshtet, sanitaret dhe administrata qendrore – ndërsa qytetarët e zakonshëm ishin të paktë. Disa prej punonjësve, me të cilët foli Bulqizaime.al, thanë në kushte anonimati se ishin urdhëruar nga drejtuesit e bashkisë dhe institucioneve të tjera që të merrnin pjesë në dëgjesë, pa qenë të informuar për qëllimin e saj.
Gjatë takimit u vu re se disa punonjës të administratës kishin marrë rolin e “nxitësve” të sallës, duke udhëzuar të tjerët të duartrokisnin sa herë që kryetarja e bashkisë përfundonte fjalinë apo një deklaratë.
Përfaqësuesit e pakët të komunitetit që morën fjalën, ngritën një sërë shqetësimesh që lidhen kryesisht me mungesën e shërbimeve publike, sinjalistikën rrugore, transportin, pastërtinë dhe mungesën e hapësirave për fëmijët.
Një prind theksoi se mungesa e sinjalistikës pranë shkollave është kthyer në rrezik për nxënësit, pasi automjetet lëvizin me shpejtësi të lartë. Ai kërkoi që të kufizohet qarkullimi gjatë orarit të mësimit dhe shtoi se “në lagjen e re nuk ka asnjë park lojërash ku fëmijët të kalojnë kohën e lirë”.
Në përgjigje të këtij shqetësimi, kryetarja e bashkisë Festime Mjeshtri tha se në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm “janë parashikuar 2 kënde lojrash për fëmijët për Lagjen e Re dhe të Vjetër”, duke shtuar se “Bulqiza për çdo vit do të bëhet më mirë. Por duhet durim dhe të paguani taksat.”

Punonjës të pastrimit ngritën problemin e mbeturinave dhe të lopëve që dëmtojnë koshat e plehrave, si dhe mungesën e ndërgjegjësimit qytetar për hedhjen e mbetjeve në vendin e duhur. Mjeshtri reagoi duke paralajmëruar masa administrative ndaj atyre që ndotin qytetin: “Kemi diskutuar me stafin e bashkisë dhe do të shohim ligjin e do të marrim masa për gjobë për ata që hedhin mbeturinat jo aty ku duhet.”
Një i moshuar ngriti si shqetësim mungesën e ngrohjes në Qendrën e të Moshuarve në Lagjen e Re, duke theksuar se me afrimin e dimrit kushtet janë të papërshtatshme. Ai shtoi se, përveç disa gjërave elementare, qendra “nuk ofron asgjë tjetër për ta.” Një tjetër e moshuar foli për mungesën e transportit publik dhe çmimet e larta të taksive, të cilat i cilësoi “të papërballueshme për qytetarët”.
Disa qytetarë ngritën probleme me cilësinë e punimeve të kanalizimeve të ujërave të zeza nga kompania “Gjoka” dy vite më parë si dhe me puseta të dëmtuara. Një banor kërkoi më shumë transparencë për rikonstruksionin e fasadave në Lagjen e Re dhe për fondet e përdorura. Po i njëjti banor përmendi edhe bllokimin e zgjedhjes së kryetarit të fshatit Vajkal 1, duke akuzuar kryetarin e këshillit bashkiak, Arben Çupi, se “po e pengon këtë proces prej vitesh pasi ka interesa direkte”.

Në reagimin e saj ndaj shqetësimeve të përgjithshme për shërbimet, kryetarja e bashkisë theksoi nevojën që qytetarët dhe bizneset të kontribuojnë përmes pagesës së taksave, në mënyrë që bashkia të përmirësojë ofrimin e shërbimeve. “Duhet të jeni më të ndërgjegjshëm. Më të vëmendshëm. Qytetar. Bizneset e vogla dhe të mëdha me qëllim që të paguhen të gjitha taksat dhe ne të ofrojmë shërbimet që qytetarët presin nga ne,” tha Mjeshtri.
Në një moment tjetër, ajo reagoi ndaj mënyrës si raportohen problematikat e qytetit në rrjetet sociale: “Ca media dhe portale që duan të marrin klikime që sa rrëzohet një kosh e ta nxjerrin tek Jeta Osht Qef – JOQ, kjo nuk është e mirë për qytetin tonë. Sepse zonjat e pastrojnë qytetin që në gjashtë të mëngjesit. Unë jam një kryetare bashkie që ecën në këmbë. Tani shembet nga lopët një kosh dhe e çojnë nëpër portale.”
Në fund të dëgjesës, disa banorë përmendën edhe probleme të tjera, si mungesa e mirëmbajtjes së rrugëve rurale në fshatin Vajkal dhe prania e qenve endacakë në qytet.
Pas dëgjesës së zhvilluar me banorët e Lagjes së Re dhe Vajkal 1, Këshilli Bashkiak njoftoi se më 17 tetor 2025, do të zhvillohet një tjetër dëgjesë publike në Kinemanë e qytetit, duke filluar nga ora 16:00. Këtë herë për Lagjen Minatori, Gjeologu dhe Vajkal 2.
Dëgjesat publike janë një detyrim ligjor për bashkitë para miratimit të buxhetit për vitin pasardhës, sipas ligjit për financat publike dhe praktikave të transparencës në vendimarrje. Këto takime organizohen për të siguruar që banorët, bizneset dhe grupet e interesit të kenë mundësi të shprehin shqetësimet, nevojat dhe propozimet e tyre, të cilat mund të merren parasysh gjatë hartimit të projektbuxhetit dhe paketës fiskale. Ligji përcakton gjithashtu që dëgjesat duhet të zhvillohen në mënyrë të hapur, me njoftime të publikuara paraprakisht dhe në vende të aksesueshme për komunitetin, për të garantuar pjesëmarrje maksimale dhe transparencë në vendimmarrje.