Daku engjëll dhe djall në fitoren e Rubinit përballë Spartakut të Moskës, gola, karton të kuq dhe “Lojtari i ndeshjes”

Pasditja e sotme ka qenë e veçantë për Mirlind Dakut, i cili i ka përjetuar të gjitha emocionet brenda 75’ përballë Spartakut të Moskës. Kaq zgjati gara e shqiptarit, i cili braktisi të tijtë pas dy kartonëve të verdhë të marrë në këtë duel të fituar nga Rubin Kazan me shifrat 2-1.
Autori i të dy golave ishte pikërisht Daku, i cili ndëshkoi moskovitët në të 8’ dhe 28’. Falë kësaj paraqitje ai e shikon veten në vendin e tretë të goleadorëve të kampionatit rus ku ka shënuar 11 gola në 20 javë. Me këtë fitore ekipi nga Kazani renditet në vendin e tetë me 29 pikë ndërsa Spartaku i Moskës humb kontaktin me dy vendet e para duke qëndruar në kuotën e 40 pikëve.
27-vjeçari ka vendosur që këtë dopietë t’ia dedikojë, Rei Manajt, i cili kaloi një moment të vështirë, pas përplasjes kokë më kokë me kundërshtarin në ndeshjen e kampionatit turk mes Silvasporit dhe Goztepes, që përfundoi me rezultatin 3 me 1.
“Shumë i lumtur me performancën, dhe me golat! Golat shkojnë për vllaun Rey Manaj. Dashtë Zoti lëndimi është i lehtë!”, shkruan Daku në rrjetet sociale.