Aktualitet dhe Lajme

Cikalleshi, Uzuni e Bare të sakrifikuar, Sylvinho në vështirësi: “Nuk është kriter nëse nuk luan”

Share

“Para së gjithash dua t’ju them se është një krenari për mua të jem trajner i Kombëtares në finalet e Kampionatit Europian 2024. Zgjedhjet tona janë të bazuar në studime, analize, karakteristikat individuale dhe kolektive të çdo lojtari, si edhe të skenarit që do të kemi në finalet e Europianit. Është përgjegjësi e trajnerit të zgjedhë lojtarët, për fat të keq unë nuk mund t’i marr me vete të gjithë. Ne shkojmë në Gjermani për të luajtur për 3 milionë shqiptarë të cilët jetojnë këtu dhe më shumë se 10 milionë të cilët jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë”. Me këto fjalë e nisi Sylvinho konferencën për shtyp, në të cilën publikoi edhe listën e lojtarëve për Euro 2024.

Një konferencë që zgjati rreth 1 orë e në të cilën braziliani ishte dukshëm në siklet. “Zgjedhja jonë është bazuar në shumë studim, analizë, karakteristikë, individuale dhe kolektive të çdo lojtari dhe çdo skenari që do të ndeshim në kompeticion. Është përgjegjësi e trajnerit të zgjedhë lojtarët dhe për fat të keq nuk mund të marr të gjithë. Jam munduar të bëj më të mirën, i kam kushtuar të gjithë sforcot për më të mirën e skuadrës. Luajmë për 3 milion shqiptarë që luajnë këtu dhe më shumë se 10 milionë në të gjithë botën”.

JASHTË SENATORËT, SYLVINHO NË VËSHTIRËSI SHPJEGIMI

Njerëzit e besuar si Sokol Cikalleshi e Keidi Bare, apo edhe golashënuesi i Granadas, Myrto Uzuni, lojtarë që kanë dhënë gjithcka për fanellën do të detyrohen ta shohin Europianin nga divani. Kështu, Sylvinho ka shpejtuar të shpjegojë përse Broja pa minuta e pa u provuar është aty dhe dyshja gjithnjë prezente e kualifikueseve jo. “Për ne si staf minutazhi i një lojtari me klubin nuk është kriter madhor. Ka lojtar që nuk kanë luajtur shumë me klubin por me ne ka bërë mirë. Lojtarët që duhet të vijnë duhet të jetë 100% gati. Për sa i përket Brojës, është lojtar që të gjithë e njohin mirë. Është i shpejtë dhe i fortë në situatë një kundër një me mbrojtësin, ka 6 muaj që e ka lënë dëmtimin pas, po ashtu edhe si Manaj që mund të jap maksimumin në fushën e lojës”.

Lexo më tej: Sylvinho zbulon ekipin e Shqipërisë për Euro 2024, kush u la jasht (LISTA)

Në fakt, me kombëtaren Broja nuk ka patur mundësi të bëjë mirë, gjithnjë i dëmtuar dhe me fare pak minuta në dispozicion. E megjithatë askush nuk diskuton talentin dhe potencialin e lojtarit.
Edhe në mesfushë ka patur lëvizje befasuese. Bare ka mbetur jashtë, ndërsa është thirrur kapiteni i shpresave Medon Berisha e është shpluhërosur Abrashi, për një motiv të qartë: “Abrashi është një lojtar që ka bërë Euro 2016. I vetmi mesfushor që ka bërë Europiani, na ka sjelle eksperiencë, shpirtin dhe grintën që ka kjo skuadër. Berisha është një vit që e ndjekim, prej kohësh, sepse sipas nesh përgjigjet. Si Mitaj që vjen një moment, është një punë që është gati dhe duhet të ketë këtë eksperiencë. Abrashi do i japë shumë eksperiencë këtij lojtari. Unë dëshiroja të merrja 35. Është e vërtetë që ka lojtarë që e meritojnë të jenë këtu, por nuk mund të marr. UEFA thotë 26”.



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button