
“Sot është një nga ato ditë që nuk do të doja ta jetoja kurrë”, e nisi Xhoana Nano mes lotësh fjalën e saj pranë arkëmortit të bashkëshortit të ndjerë, ish-kryeministrit Fatos Nano.
Ajo e kujtoi Nanon si personalitetin që solli një vizion të ri për Shqipërinë, larg hakmarrjeve dhe urrejtes.
“E tillë është kjo ditë edhe për fëmijët tanë. Këtu e çerek shekulli më parë, me intuitën e moshës së pafajshme, rashë në dashuri me Fatosin. Atëherë nuk e kuptoja pse, por tani e di, kisha rënë në dashuri jo thjesht me Fatosin si person, po më shumë se kaq, kisha rënë në dashuri me vizionin e një Shqipërie ndryshe, që përherë e më shumë lipsej të largohej nga tradita e hakmarrjeve, ligësive, prapambetjes. Të gjitha këto do t’i gjeja te Fatosi, gjë që nuk e pata menduar me kaq qartësi atëherë. Me kalimin e kohës, pata fatin të zbuloja vlera dhe cilësi që nuk janë aq të shpeshta në jetën tonë. E ndiej detyrë publike dhe morale, që disa cilësi të tijat, besoj i njohim të gjithë, por kur vjen një moment si ky ia vlen të përmblidhen. Shumë më tepër se ato që do të thuhen në histori e media. Fatosi ishte i vërtetë. Ai nuk dinte dhe nuk donte të shtirej, e urrente populizmin. Bënte atë që besonte dhe besonte te ajo që bënte. Ishte neveritës nga banaliteti, servilizmi dhe paaftësisë“, u shpreh Xhoana Nano.
Ish-kryeministri Fatos Nano ndërroi jetë dy ditë më parë, ndërsa sot po mbahen homazhen publike për nder të tij në ish-Pallatin e Kongreseve.
Start News