Celibashi: Rezultati zyrtar i Vorës, të hënën në 8 të mëngjesit!

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka sqaruar në një lidhje me emisionin Opinion, se pse rezultati i votimit në bashkinë e Vorës – e vetmja ku u përdor sistemi elektronik i votimit dhe numërimit – nuk është shpallur menjëherë pas mbylljes së votimit, ndonëse pajisjet e lejojnë këte
Celibashi tha se projekti ishte një pilot i dakordësuar me konsensus me Partinë Demokratike, dhe qëllimi nuk ishte testimi i shpejtësisë së rezultatit, por i sigurisë dhe fshehtësisë së votës.
“Votimi elektronik është projekt pilot që u realizua me konsensus përfshirë edhe me Partinë Demokratike dhe në diskutimet që kemi pasur në mundësin e shtrirjes më shumë të votimit elektronik nuk pati dakortësi nga Partia Demokratike për aplikimin në të gjithë Shqipërinë. Sipas vlerësimit që u bë, PD kishte konsideratë që sistemi që ne aplikojmë për votimin dhe numërimin elektronik nuk ofron garanci, gjithsesi është rasti ta riaplikojmë projektin pilot dhe kur bëmë diskutimin për kohën e shpalljes së rezultatit, ata thanë që nuk po testojmë pajisjen që e nxjerr rezultatin menjëherë apo jo. Pra ne duam të testojmë pajisjen sa integritet ka në lidhje me fshehtësinë e votës, e dimë që transmetimi mund të bëhet menjëherë. Në këtë formë është dakortësuar” shpjegoi Celibashi.
Kreu i KQZ-së njoftoi gjithashtu se rezultati do të shpallet publikisht të hënën në orën 08:00 të mëngjesit dhe konfirmoi se të dhënat ekzistojnë dhe janë prodhuar nga vetë pajisjet elektronike.
“Ato janë dokumente të prodhuara realisht nga pajisjet, disa operatorë që menaxhuan pajisjet kur mbyllën aplikuan komandën e printimit të tyre. Ai është rezultati i prodhuar nga pajisja” u shpreh Celibashi, sipas të cilit pjesëmarrja në përqindje është më e ulët në këto zgjedhje se 4 vite më parë.