Bllokohet rruga drejt Dardhës, turistët zgjedhin të shkojnë në këmbë
Prej disa orësh, rruga që të çon drejt fshatit turistik të Dardhës, është bllokuar për shkak të numrit të madh të turistëve që kanë vizituar këtë destinacion gjatë ditës së sotme.
Disa prej tyre kanë lënë automjetet në rrugë dhe kanë vijuar udhëtimin në këmbë, drejt fshatit të njohur për bukuritë dhe atraksionet e tij dimërore.
Pavarësisht ndërhyrjes së Policisë Rrugore për të lehtësuar qarkullimin, trafiku mbetet i rënduar dhe lëvizja me mjete është pothuajse e pamundur.
Dardha vazhdon të jetë një nga destinacionet më të preferuara gjatë dimrit, duke tërhequr vizitorë të shumtë për mundësinë e ushtrimit të sporteve dimërore dhe për peizazhet e saj unike.
Pista e skive në Dardhë, është një nga atraksionet kryesore që tërheq turistë vendas dhe të huaj çdo vit.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve, të tregohen të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e policisë për të shmangur krijimin e mëtejshëm të kaosit në trafik.