Berisha kritika ndaj kryeministrit: Shqipëria është kthyer në fenerin e sorosizmit. Çfarë përmbante dokumenti sekret që u hartua në 2013

Kryetari i PD, Sali Berisha thotë së Shqipëria nën drejtimin e Edi Ramës u bë “feneri ndriçues i sorosizmit” në Europë.
Në një konference me gazetaret, Berisha u shpreh se Rama, bashkë me familjarët e tij të afërt ka përfituar miliona euro nga ky fondacion, i cili sipas tij, ka përdorur paratë e taksapaguesve amerikanë për të ndikuar drejtpërdrejt në jetën politike dhe institucionale të vendit.
Sipas Berishës, në vitin 2013, Fondacioni Soros në Shqipëri ka hartuar një dokument sekret që përcaktonte një plan të detajuar për transformimin e sistemit politik dhe institucional shqiptar, nëpërmjet tri reformave madhore: asaj kushtetuese, reformës në drejtësi dhe reformës territoriale.
Ai deklaroi se këto reforma ishin pjesë e një strategjie për të përjetësuar pushtetin e Edi Ramës dhe për të ngritur një narkoshtet në Shqipëri, ku çdo pushtet do të kontrollohej nga ekzekutivi.
Berisha: Bëhet një javë plot që presidenti i SHBA, Donald Trump, shpalli Xhorxh Sorosin dhe djalin e tij, ekstremist të majtë, Aleksis Soros, si organizatë kriminale në SHBA, që duhet të hetohen në përputhje me aktin ligjor RICO.
Kjo ngjarje, në pamje të parë, ngjarje e politikës së brendshme të SHBA, por në të vërtetë një ngjarje me rrezatim të fuqishëm botëror sepse rrjeti i Xhorxh Sorosit ka qenë rrjeti më botëror politik gjer sot.
Në rrjetin botëror të Xhorxh Sorosit, fener ndriçues i sorosizmit në Europë ishte dhe u bë Shqipëria e Edi Ramës.
Edi Rama personalisht me vëllanë e tij, me ish-gruan dhe bashkëshorten aktuale, është përfituesi më kryesor material i miliona e miliona parave të këtij fondacioni, i cili ka arritur të grabisë në mënyrë të ndryshme paratë e taksapaguesve amerikanë.