Berisha kërkon ballafaqim: Rama të vijë në debat, t’u themi shqiptarëve se çfarë do të bëjmë

Ditën e djeshme, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur nga Vau i Dejës, ku shprehet se nëse ai rikthehet në pushtet, do t’i japë zgjidhje njëherë e mirë problemit të pronave.
Lideri demokrat përsëriti gjithashtu, se nuk do të ketë pensionist që do të firmosë për pension më të ulët se 200 euro, dhe se brenda 3 muajsh lista e rimbursimit të ilaçeve do të jetë e njëjta që është në Itali.
“Unë i premtova asaj dhe i premtoj çdo pronari, se në mënyrë absolute, 4-vjeçari do t’i japë zgjidhje përfundimtare problemit të pronësisë në Shqipëri. Sikundër do t’i japim përgjigje përfundimtare dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë në total dhe përfundimisht”, tha Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu, zv.kryeministren Belinda Balluku, për shpenzime të pajustifikueshme.
“Zëvendëskryeministrja Luli Balluku shpenzon për larjen e makinës së saj 10 mijë euro në muaj.
Iu garantoj që as sulltanesha e sulltanit të Bruneit nuk i shpenzon kaq. Po si mundet një zyrtare, e njerëzve që marrin 60-70 euro pension, të imagjinojë… po i vjedh ato, se këta janë hajdutë xhepash, kjo i ndan me lavazhin, se nuk arrij ta kuptoj kurrë.
Fermerët i garantoj se nafta do t’u jepet me çmim simbolik. I keni parë këto jahtet e miliarderëve që vijnë në Durrës dhe Sarandë. Vijnë dhe marrin naftë me 50 lekë litrin”, deklaroi ai.
Në fund të fjalës së tij, Berisha ftoi kryeministrin Edi Rama në një ballafaqim për t’u treguar, ku sipas tij, shqiptarëve se kush ofron programin më të mirë.
“Por ta përfundojmë me një ftesë, hajde urdhëro nesër ose hajde këtu po deshe para këtyre burrave dhe grave, të bëjmë një debat. T’u themi shqiptarëve se çfarë do bëjmë ne dhe çfarë do bësh ti, dhe jo të kopjosh programin që para 3 muajsh e quaje humnerë”, përfundoi Berisha.