Beqiri: Dhuna po normalizohet te adoleshentët, rastet si ai i Erjon Bobës janë alarm kombëtar

Share

Renisa Beqiri, Psikologe Klinike – Foto nga rrjetet e saj sociale.

Rasti tragjik i 15-vjeçarit Erjon Boba, i cili humbi jetën pas plagosjes me thikë në Durrës, ka tronditur opinionin publik dhe ka hapur diskutime për sigurinë e të miturve, ndikimin e rrjeteve sociale dhe mungesën e mekanizmave mbrojtës në shkolla dhe komunitet. Ngjarja, e cila pason episode të tjera të ngjashme në një hark të shkurtër kohor, ka nxitur kërkesa për analiza profesionale dhe masa të menjëhershme. Për të kuptuar më mirë se si faktorët psikologjikë, socialë dhe teknologjikë ndikojnë tek adoleshentët dhe çfarë duhet të ndryshojë për të parandaluar ngjarje të tilla, Bulqizaime.al zhvilloi një intervistë me Renisa Beqirin, Psikologe Klinike. Në këtë bisedë, Beqiri analizon presionin social online, normalizimin e dhunës, shenjat paralajmëruese që shpesh neglizhohen nga familjet dhe shkollat, sfidat e shërbimeve psiko-sociale dhe rolin e institucioneve pas rasteve të rënda si ai i Erjonit.

1. Si ndikon presioni social dhe komunikimi, kur kemi të bëjmë me rast konfliktual në rrjetet sociale – si “TikTok” – në sjelljen agresive të adoleshentëve? Mos harrojmë se ky është një rast i përsëritur në një hark kohor shumë të shkurtër në Shqipëri.

Mediat sociale çdo ditë e më shumë po gjejnë përdorim të zgjatur në kohë nga fëmijët dhe të rinjtë, dhe konsiderohen si element thelbësor në përditshmërinë e tyre. Ndërveprimi dhe ndarja e informacionit ka qenë gjithmonë një tipar qendror i përdorimit të internetit, por rritja e platformave të mediave sociale gjatë dy dekadave të fundit dhe qasja e lehtë e ofruar nga smartphones e ka nxitur më tepër përdorimin e këtyre të fundit, duke e zhvendosur fokusin e përdorimit të tij nga ‘të përdorim internetin për të mësuar’ në ‘ta përdorim për të kaluar kohën’. Kështu modeli themelor i rrjeteve sociale vazhdon të formësojë dhe transformojë përvojën e miliarda përdoruesve në të gjithë globin.

Presioni social online dhe forma e komunikimit në platforma si TikTok favorizojnë përshpejtimin e konfliktit dhe eskalimin e agresionit për tre mekanizma kryesorë:

1. modelimi dhe imitimi: pamjet e konflikteve reale/virtuale që bëhen virale normalizojnë sjelljen e papërshtatshme

2. konformimi me grupin dhe “likes”: reagimet (komente/like/share) shpërblejnë shfaqjen e agresionit dhe nxisin eskalimin e tij

3. deindividualizimi dhe audienca publike: teksti/komentet anonime dhe audienca e madhe reduktojnë ndjesinë e përgjegjësisë personale dhe inkurajojnë veprime më të ashpra dhe jo sociale.

Studimet e shumta që janë realizuar mbi ndikimin e TikTok, apo aplikacione të tjera të ngjashme tek adoleshentët, tregojnë se përmbajtjet vizuale dhe rekomandimet algoritmike ndaj materaleve që lidhen me sjelljet e dhunshme, rrisin stresin psikosocial dhe agresivitetin.

2. Si ndikon ekspozimi ndaj dhunës në internet dhe në media në normalizimin e saj te të rinjtë?

Që në momentin kur interneti u bë një pjesë e pandashme e përditshmërisë së fëmijëve, nga studiues që merren me studimin e sjelljeve të të rinjve, është parë se nivelet e dhunës kibernetike janë rritur. Ndonëse më parë, kur fëmijët bëheshin në grupe duke luajtur në lagje poshtë pallatit kishim një ekspozim të lartë të tyre ndaj dhunës fizike, në ditët e sotme manifestimi i dhunës ka ndryshuar formë. Është për të ardhur keq që të rinjtë përdorin një gjuhë të papërshtatshme dhe kërcënuese në mënyrë të vazhduar në komunikimet e tyre të përditshme, kryesisht ato online. Kjo vjen sepse dhe modelet që ata zgjedhin për të ndjekur, të quajtur si ‘influencer’, jo gjithmonë janë modeli më i shëndetshëm për tu ndjekur, dhe për pasojë sjelljet që këto modele manifestojnë, pasqyrohen dhe tek përditshmëria e të rinjve. Rrjedhimisht ekspozimi në mënyrë të përsëritur i të rinjve në një media të dhunshme, do të rrisë probabilitetin për reagime agresive dhe desensibilizim (ulje e reagimit emocional ndaj dhunës), dhe si pasojë kemi dhe uljen e ndjeshmërisë ndaj dhimbjes së viktimave të kësaj dhune. Ky fenomen është i fuqishëm sidomos kur përmbatja nuk interpretohet në mënyrë kritike, pra mungojnë filtrat e kontrollit të gjuhës së përdorur dhe imazhit si në rastin e rrjeteve sociale ku qqdokush mund të publikojë qqdo gje.

3. Cilat janë shenjat paralajmëruese që shkollat dhe familjet duhet të vëzhgojnë për të identifikuar rreziqet e dhunës mes të miturve? Këtu nuk i referohem vetëm brenda rrethimit të shkollës, por edhe informacione që mund të kenë punonjësit e sigurisë, mësuesit apo psikologët për sjelljet e tyre jashtë. Pasi rasti i fundit nuk ndodhi në shkollë si godinë.

Për të kuptuar shenjat paralajmëruese, është e rëndësishme që prindi dhe mësuesit të njohin sjelljen normale/ të përditshme të fëmijës apo nxënësit të vet. Çdo ndryshim në sjellje të fëmijës duhet të identifikohet nga prindërit dhe më pas të kuptohet nga po ata nëse është e shëndetshme apo jo. Nëse një prind nuk ka komunikim me fëmijën e vet dhe nuk e di si sillet ai/ajo normalisht, e ka të vështirë të kuptojë kur fëmija po ndryshon sjellje si një thirrje për të kërkuar ndihmë.

Gjithësesi janë disa sjellje të dukshme që të miturit zakonisht manifestojnë kur janë pre e abuzimit nga bashkëmoshatarët dhe jo vetëm, të cilat unë do ti grupoja në 3 grupe: sjellje të vëzhgueshme, ndryshime emocionale dhe elementë social.

Sjelljet e vëzhgueshme lidhjen me ndryshimet në mënyrën e të shprehurit. Të miturit përdorin një ton zëri më të lartë, më autoritar, zhargon gjuhësor fyes (kur janë dhunues) dhe e kundërta ton të ulët të zërit, kërkim i shpeshtë i faljes pa arsye, i folur i ngadaltë dhe i pasigurtë (kur janë pre e dhunës). Poashtu, përfshirja e konflikte të përsëritura fizike apo verbale me bashkëmoshatarët apo shpërndarja/marrja e mesazheve që përforcojnë dhunën lidhet me sjelljet e vezhgueshme pa pasur nevojë për një eksplorim më të thellë.

Ndryshimet emocionale lidhen me izolimin e papritur social, humbjen e interesit për aktivitete që më parë i kishin shumë dëshirë, humbje e kontrollit emocional (shpërthime inati, irritim) si dhe shenja të normalizimit të dhunës duke përdorur justifikime të tipit ‘ai e meritonte’, etj.

Elementët social lidhen me ndryshimet më grupet e socializimit, pra ndryshimet e shokëve dhe shoqeve me të cilët shpenzojnë më shumë kohë. Nëse fëmija fillon dhe shoqërohet me grupe problematike, shpreh vazhdimisht gadishmëri për konflikt si dhe mban armë të vogla me vete, këto janë alarme që fëmija ose pret të përfshihet në një konflikt ose pret të sulmohet nga një bashkëmoshatar konfliktual.

4. A ka mungesë të sistemit të mbështetjes psikologjike në shkolla dhe çfarë modeli funksional mund të zbatohej në Shqipëri për të parandaluar raste të tilla?

Nuk mendoj që ka mungesë të mbështetjes psikologjike në shkolla më tepër se mendoj që mungon kërkesa për të kërkuar ndihmë tek psikologu i shkollës, dhe më pas vullneti për të ndjekur këshillim të rregullt tek psikologia e shkollës apo në institucione të tjera ku fëmijët mund të referohen.

Parandalimi i rasteve konfliktuale apo sjelljeve të papërshtatshme lidhet me edukimin emocional. Nëse fëmijët ne shkolla do të mësohen të njohin, kuptojnë, interpretojnë dhe menaxhojnë emocionet, atëherë ata do të arrijnë të kontrollojnë sjelljet e tyre. Prandaj, përpos fokusit të shkollave në lëndët bazë si Gjuhë Shqipe apo Matematike, po aq të rëndësishme duhet ta shohin dhe zhvillimin e inteligjencës emocionale. Ekzistojnë disa module shumë të suksessme për mësimin e sjellje të përshtatshme të cilat mund të integrohen në cdo lëndë mësimore për ti lejuar nxënësit të mësojnë tematikat e lëndës përmes aktiviteteve vetëzhvilluese. Këto module që kanë në brendësi aktivitete konkrete të përshkruara mirë dhe të përshtatura edhe ne gjuhën shqipe quhen Të Mësuarit Social – Emocional (Social-Emotional Learnin, SEL). Mësuesit mund ti përdorin këto aktivitete në lëndët e tyre në nivel shkolle, dhe kanë treguar që kanë efektivitet më të lartë sesa puna individuale.

SEL mund të aplikohet në 3 hapa: fillimisht në nivel shkolle ku identifikohen fëmijët që manifestojnë sjellje të papërshtatshme, më pas në nivel grupi më të vogël ku aktivitetet përzgjidhen më specifike dhe në fund në nivel të këshillimit individual me psikologun e shkollës kur identifikohen fëmijë që kanë nevojë për trajtim me specifik. Kështu është më e lehtë përfshirja, identifikimi dhe parandalimi i fenomeneve të dhunshme.

5. Sa ndikojnë faktorët socio-ekonomikë, migrimi brenda vendit dhe mungesa e stabilitetit familjar te rritja e konflikteve te adoleshentët? Pasi këto fenomene më së shumti janë shfaqur më së shumti në Tiranë dhe Durrës, ku kemi një dyndje të popullsisë në dakadat e fundit.

Faktorët socio-ekonomikë dhe migrimi kontribuojnë si stresorë strukturorë që rrisin rrezikun për sjella agresive. Përçarja sociale, konkurrenca për burime të kufizuara, izolimi social dhe presionet e integrimit në komunitete të reja shërbejnë si indikatorë për konflikt. Mungesa e stabilitetit familjar (ndryshime të shpeshta adresash, prindër të punësuar larg ose pa mbështetje) ul pragun e mbrojtjes dhe rrit mundësinë që të rinjtë të kërkojnë identitet/mbështetje tek grupe jashtë familjes, ndonjëherë me norma agresive. Këto fenomene janë të dukshme në qytetet që kanë pësuar dyndje popullsie brenda dekadave të fundit, dhe rastet më të dendura raportohen në Tiranë dhe Durrës. Për këtë arsye, politikat e parandalimit duhet të jenë të orientuara edhe drejt shërbimeve sociale dhe infrastrukturës komunitare, jo vetëm shkollore.

6. Si duhet të reagojnë institucionet pas rasteve të rënda si ky i Erjon Bobës në Durrës apo i ai Martinit në Tiranë? Cila është përgjegjësia e shkollave, shërbimeve sociale dhe sistemit shëndetësor?

Unë e them vazhdimisht që nuk duhet të ndodh nje rast që ne të sensibilizohemi dhe të punojmë, dhe më pas të biem në qetësi dhe të presim për rastin e radhës për të ngritur struktura pune. Unë besoj fort që puna konstante parandalon dhe rrit sigurinë që ne kemi potencial për të jetuar në një botë me të sigurtë për fëmijët tanë. Prandaj, koorninimi, transparenca, mbrojtja e viktimave të mundshme dhe trajtimi profesional i të dyshuarve (jo vetëm ndëshkimi i tyre) janë shumë të rëndësishme për të mos pasur më raste si ky i fundit.

Shkollat duhet të punojnë sistematikisht mbi procedurat në situatat e krizave duke mbajtur në mënyrë konstante komunikim me familjet, informim mbi institucionet mbështetëse, ofrimin e shërbimit psikologjik, social dhe komunitar për fëmijët e shkollës së tyre, si dhe të bashkëpunojnë ngushtësisht me policinë dhe shërbimet sociale për sigurinë e komunitetit. Ndërkohë që shërbimi psiko -social duhet të bëjë vlerësime të vazhdueshme në komunitet për të kuptuar rrezikun e dhunës dhe për ta adresuar atë në kohë. Dhe shumë e rëndësishme për tu theksuar për të gjitha institucionet por edhe për median është se raportimet publike duhet të përmbajnë informacione për masat parandaluese dhe shërbimet e ofruara, jo vetëm për ngjarjen.




bulqizaime.al

Reklama
Back to top button