Aktualitet dhe Lajme

Begaj uron ushtarakët: Kombi ju është shumë mirënjohës, Shqipëria është një vend i vogël, por me kontribute të mëdha

Share

Presidenti Bajram Begaj, bashkëbisedoi dhe uroj online ato gra dhe burra nën uniform të cilët shërbejnë në misione ushtarake jashtë vendit, duke dhënë kontributin për një botë me më shumë paqe.

“Gëzimi dhe ngrohtësia familjare i takon festave të fundvitit dhe ju duhet të ishit pranë familjeve, por sot gjendeni në një mision më të rëndësishëm, në një detyrë që është në shërbim të atdheut për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe lirisë. Kombi ju është shumë mirënjohës. Shqipëria është një vend i vogël, por me kontribute të mëdha për paqen dhe sigurinë.

Vetë prezenca dhe shërbimi juaj, nga Kosova, në Bosnjë, nga Bullgaria, Letonia, Deti Egje, Irak, Sinai dhe deri në Sudanin e Jugut, është dëshmi e qartë e angazhimit dhe përkushtimit të vendit tonë ndaj paqes dhe sigurisë jo vetëm në rajon, por në mbarë botën”, tha presidenti.

Ju jeni ambasadorët më të mirë dhe falë shërbimit tuaj, flamuri kombëtar që ne pamë të valëvitet, valëvitet kudo me krenari përkrah flamujve të tjerë të NATO-s.

Agresioni Rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar tërësisht mjedisin e sigurisë. Kërcënimet e vjetra dhe të reja parashikojnë dhe parashtrojnë domosdoshmërinë e zhvillimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura. Gjatë vitit 2024, në bisedat që kam bërë me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe me Ministrin e Mbrojtjes, jam informuar se buxheti i mbrojtjes është rritur dhe po kështu është rritur edhe ajo që është më e rëndësishme, mbështetja për ushtarakët. Unë besoj se është detyrim mbështetja për të gjithë ushtarakët dhe familjarët e tyre”, shtoi ai.

Dinamikat gjeopolitike theksoi presidenti Bajram Begaj, kërkojnë rritjen e kontributeve tona në NATO dhe forcimin e solidaritetit tonë.

Shqipëria do të vazhdojë të jetë kontributore aktive, me pjesëmarrjen e saj në misione dhe operacione kudo ku të kërkohet dhe sa herë të kërkohet.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button