Aktualitet dhe Lajme

BE pezullon takimet me Qeverinë në detyrë të Kosovës pas vendimit të Gjykatës Supreme

Share

Bashkimi Evropian ka njoftuar se përkohësisht do të pezullojë mbajtjen e takimeve me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe me ministrat e kabinetit të tij brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, deri në formimin e një qeverie me mandat të plotë.

Në një letër drejtuar Kurtit më 8 gusht 2025, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Aivo Orav, ka theksuar se ky vendim pason aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës të 25 qershorit, e cila shpalli të pavlefshëm një udhëzim administrativ të Ministrisë së Financave, duke u thirrur në nenin kushtetues që ndalon ushtrimin e njëkohshëm të funksioneve ministrore dhe parlamentare.

“Ky vendim riafirmon përkushtimin tonë ndaj sundimit të ligjit, llogaridhënies demokratike dhe integritetit institucional. Vizitorët e nivelit të lartë nga BE-ja dhe shtetet anëtare përkohësisht do të përmbahen nga takimet brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të formohet një qeveri e re,” thuhet në letrën e Ovalit

Ai ka shtuar se qëllimi i këtij vendimi është shmangia e pasigurive dhe keqinterpretimeve, siç kishte ndodhur gjatë vizitës së fundit të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Megjithatë, BE-ja thekson se mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj Kosovës dhe se bashkëpunimi me homologët përkatës në fusha kyçe do të vazhdojë.

“Shpresojmë që një qeveri me mandat të plotë të formohet pa vonesa të tjera, në mënyrë që të rifillojmë bashkëpunimin e plotë dhe të thellojmë më tej marrëdhëniet tona politike dhe ekonomike,” përfundon letra e BE-së.

Letra është shpërndarë edhe te zëvendëskryeministrat Besnik Bislimi, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Emilija Redžepi, si dhe te ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së në Kosovë.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button