““BE, BE, BE””/ Rama për televizionin austriak: Procesi i anëtarësimit, një mundësi historike

“Procesi i anëtarësimit është një mundësi historike”, është shprehur kryeministri Edi Rama, në një intervistë për gazetarin austriak Christian Wehrschütz për “Kleine Zeitung”.
I pyetur nga gazetari nëse Shqipëria do t’ia dalë të mbyllë të gjithë grupkapitujt dhe të përmbyllë negociatat brenda 2027, sikurse është shprehur, Rama foli me optimizëm.
“Është e vërtetë që dy vjet e gjysmë është një kohë shumë e shkurtër dhe se kjo nuk është tipike për procesin. Por nga ana tjetër, ne punuam shumë dhe u përgatitëm mirë. Dhe tani kemi në përdorim edhe inteligjencën artificiale, e cila përshpejton transferimin e ligjeve të BE-së dhe të të ashtuquajturës acquis communautaire në sistemin tonë ligjor. Procesi i anëtarësimit është një mundësi historike, por nuk është një mundësi që do të zgjasë përgjithmonë nëse nuk jemi në gjendje të përmbushim kërkesat”, tha Rama.
A ka Shqipëria tashmë një strategji për të kapërcyer skepticizmin ndaj zgjerimit që ekziston në shumë vende, ishte pyetja tjetër e Korrespondentit për Evropën Lindore dhe Juglindore në televizionin austriak.
“Unë besoj se sot duhet të përqendrohemi në përmbushjen e angazhimeve tona. Nuk duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, por për atë që po luajmë aktualisht. Dhe kjo lojë ka të bëjë me përmbushjen e të gjitha angazhimeve tona për të përfunduar negociatat. Pas negociatave, marrëveshja u dërgohet të gjitha shteteve anëtare, ku parlamentet normalisht kryejnë ratifikimin. Në rastin e Francës, do ta shohim kur të vijë momenti i vendimit”, u përgjigj kryeministri.
Duke komentuar situatën në Ballkanin Perëndimor, Rama tha me bindje se “situata nuk ka qenë kurrë më e mirë se sot. Procesi i afrimit me BE-në po ndihmon shumë në zgjidhjen e problemeve të caktuara”.
Një përgjigje lakonike, kreu i qeverisë shqiptare dha ku gazetari i kërkoi tre planet më të rëndësishme për katër vitet e ardhshme në drejtimin e qeverisë.
“BE, BE, BE”, tha Rama.