
Franca po tërhiqet nga zotimi i saj i fundit për të ndërhyrë më fuqishëm në det me qëllim ndalimin e varkave të vogla që kalojnë Kanalin Anglez drejt Mbretërisë së Bashkuar, raportojnë burime të shumta për BBC-në.
Sipas raportit, trazirat politike në Francë janë një nga arsyet që kanë ndikuar në këtë tërheqje, çka përbën një goditje për përpjekjet e qeverisë britanike për të frenuar kalimet ilegale përmes kanalit.
Ndërkohë, çdo ditë nga brigjet pranë portit të Dunkirkut nisen gomone të mbipopulluara që tentojnë të kalojnë drejt Anglisë. Shefi i sigurisë kufitare në Mbretërinë e Bashkuar, Martin Hewitt, ka shprehur më herët “zhgënjimin” e tij për vonesat franceze, ndërsa burime të reja në Paris pohojnë se premtimet për një “doktrinë detare” të re, që do të përfshinte ndërhyrje për ndalimin dhe kthimin në breg të varkave, nuk janë realiste.
“Është vetëm një manovër politike, shumë fjalë dhe asgjë konkrete,” tha për BBC-në një burim i lidhur ngushtë me sigurinë detare franceze.
Ish-ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, ishte cilësuar si nxitësi i qasjes më agresive të Francës në këtë çështje, e cila u konkretizua me samitin e korrikut të kaluar mes presidentit Emmanuel Macron dhe kryeministrit britanik, Sir Keir Starmer.
Në atë kohë, fokusi ishte tek ndalimi i ashtuquajturave “varka-taksi” që trafikantët përdorin për të mbledhur migrantë pranë bregut.
Policia franceze rrallë ndërhyn kundër këtyre varkave për shkak të rrezikut të lartë për jetën e oficerëve dhe civilëve. Megjithatë, pak ditë para samitit, kamerat e BBC-së filmuan policë francezë që hynin në det në jug të Boulogne për të dëmtuar një gomone që ishte bllokuar nga dallgët. Në Londër, zëdhënësi i kryeministrit e quajti atë moment “një shenjë domethënëse” të angazhimit francez për të vepruar më vendosmërisht.
Pak më pas, një burim në Ministrinë e Brendshme të Francës deklaroi për BBC-në se “ndërhyrjet në det do të nisin brenda pak ditësh, pas rishikimit të doktrinës”.
Por që nga ajo kohë, Retailleau është shkarkuar në një tjetër riformatim qeveritar, ndërsa qeveria franceze duket e përfshirë në kriza të tjera politike.
“Është e mundur që këto masa të mos zbatohen kurrë,” tha Peter Walsh nga Observatori i Migracionit në Universitetin e Oksfordit.
Ndërkohë, gomone me dhjetëra migrantë vazhdojnë të nisen nga Franca, jo vetëm nga plazhet, por edhe nga kanalet e brendshme. Një ish-pronar i një fast-foodi peshku në Gravelines, afër bregdetit, tha se kishte parë katër varka të niseshin në një ditë të vetme.
Ai i tregoi BBC-së video ku shihen njerëz që hipin në varka në mes të kanalit dhe një patrullë policie që qarkullon përreth pa bërë përpjekje për t’i ndaluar.
starnews.al