Bashkia Bulqizë planifikon dhënien e tokave me ankand, banorët shqetësohen për mungesën e konsultimeve publike

Share

Dëgjesa publike për dhënien në ankand të tokave. Foto: S. Curri

Drejtoria e Pyjeve e Bashkisë Bulqizë ka njoftuar se gjatë vitit 2025 disa zona të caktuara mund të jepen në ankand. Sipërfaqet që synohen për t’u dhënë për përdorim përfshijnë ekonomi pyjore dhe kullosa inproduktive në Ranagore, Luçan-Batër, Thekën, Sheshe Bulqizë, Klenjë, Okshtun-Prodan, Zerqan dhe Shupenzë. Sipas njoftimit, këto sipërfaqe që janë në total 52 parcela, mund të përdoren për ndërtimin e stallave, park fotovoltaik apo bujtinë, në përputhje me planin e mbarshtimit të Drejtorisë së Pyjeve. Parcelat u prezantuan në dëgjesë vetëm si numra të thjeshtë, pa dhënë detaje të hollësishme mbi sipërfaqen, kufijtë konkretë, përdorimin aktual apo ndikimin për banorët dhe komunitetin.

Në një dëgjesë publike të organizuar këtë të mërkurë në Kinemanë e qytetit, drejtori i Monitorimit të Pyjeve, Shaqir Izvira, u shpreh se të gjitha sipërfaqet që do të jepen në ankand janë prona të bashkisë Bulqizë me certifikatë pronësie. Sipas tij, lista përfshin vetëm parcela inproduktive dhe kullosa, ndërsa prona bujqësore që kanë qenë në përdorim nga fshatarët para vitit 1990 nuk përfshihen:

“Këto prona që përmenda janë pronë e bashkisë Bulqizë. Nuk janë pronë e fshatit. Ne po japim në ankand vetëm prona që janë në kadastër dhe prona të bashkisë me certifikatë pronësie,” tha Izvira.

Megjithatë, banorët shprehën shqetësim për sipërfaqet që ata i konsiderojnë pjesë të pronës së fshatit, duke përmendur rastin e zonës së Boçevës, ku sipas tyre, tokat janë përdorur brez pas brezi: “Këto prona janë blerë dhe brez pas brezi janë pjesë e fshatit, zabel” u shpreh një nga folësit.

Dëgjesa publike për dhënien në ankand të tokave. Foto: S. Curri

Shumë nga pronat në fshatrat e Bashkisë Bulqizë janë përdorur tradicionalisht në mënyrë të përbashkët nga komuniteti, si kullota apo toka pyjore të përbashkëta. Megjithatë, ka pasur edhe raste ku këto toka janë ndarë në parcela familjare, të cilat janë ruajtur nga dëmtimet, por megjithëse nuk kanë certifikatë pronësie. Në këto zona, nuk ka pasur konflikte apo mosmarrëveshje mes familjeve apo fshatrave për përdorimin e tokave, duke ruajtur një traditë të bashkëpunimit dhe respektit reciprok.

Një tjetër shqetësim i ngritur gjatë dëgjesës lidhej me paketën e maleve, ku disa banorë kanë aplikuar për të marrë sipërfaqe në përdorim:

“Si shihet në këtë rast a do të vazhdohet? Se ti thua e kam bërë në janar studimin, por paketa e maleve është nxjerrë pas janarit. Ata që kanë aplikuar duhet t’ju thoni se e kemi nxjerrë në ankand. E vërtet se nuk kemi certifikatë. Me kadastrën e vjetër tek liqeni i bardhë secili banor i zonës ka pasur 250 metra katror tokë. Kanë aplikuar tek paketa e maleve dhe ju po këto toka i keni nxjerrë në ankand.” tha një banor nga Martaneshi.

Izvira siguroi banorët se çdo mbivendosje do të shqyrtohet: “Për këto ngastra që përmenda nuk besoj se ka aplikuar kush. Ne do ti shikojmë se nëse ka mbivendosje me paketën e maleve, ne njërën do të pranojmë.”

Dëgjesa publike për dhënien në ankand të tokave. Foto: S. Curri

Debati gjatë dëgjesës nxori në pah edhe shqetësimin për mungesën e konsultimeve paraprake me banorët. “Ne në fshatra i kemi përcaktuar me kohë kufinjt. Këtu dëgjoj se ti ke bërë takime e plane që në janar. Kë ke takuar ti? Nuk ke dalë me fol me njerëzit për këtë gjë,” tha një tjetër banor.

Ankandi është një procedurë publike ku pronat shtetërore jepet për përdorim ose qira për ata që ofrojnë çmimin më të lartë. Këshilli Bashkiak ka kompetencën ligjore të vendosë për dhënien në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore që janë pronë e bashkisë.

Gjatë dëgjesës publike, pjesëmarrja në sallë ishte kryesisht nga administrata e bashkisë e cila këtë kohë e shfrytëzoi kryesisht për të biseduar mes vete dhe pak banorë të interesuar – ndërsa e gjithë dëgjesa zgjati vetëm 25 minuta. Ata pak banorë që morën fjalën, shprehën shqetësime mbi mungesën e konsultimeve paraprake dhe rrezikun e konflikteve mbi pronësinë e parcelave.

Veap Halili ishte i vetmi anëtar i Këshillit Bashkiak që mori pjesë në sallë, ndërsa pjesa tjetër mungoi. Prezent ishin edhe sekretari i Këshillit Bashkiak, Klodian Reçi dhe nënkryetari i Bashkisë, Vilson Sula.

Halili kritikoi mënyrën se si ishte organizuar dëgjesa: “Këto dëgjesa duhet të bëhen sa më afër qytetarëve. Normalisht aty ku preket interesi i atyre banorëve. Kjo që po bëni sot nuk është dëgjesë. Është mirë të hapet harta e të shpjegohet çdo parcelë tek fshati apo zona që preket. Pas kësaj, të vazhdohet me të gjitha procedurat. Se në fund fare do të dilni e do thoni se këshilli bashkiak votoi dhe e dha atë me qira. Ndërkohë mendimi i banorëve nuk është marrë fare.”

Ai theksoi se mënyra e organizimit, ku shumica e të pranishmëve ishin punonjës administrate, e bënte takimin më shumë një diskutim informal sesa një dëgjesë publike, dhe paralajmëroi se pa konsultim të mjaftueshëm mund të lindin konflikte apo kundërshtime nga banorët: “Njerëzit e kuptojnë vetëm kur shkojnë të bëjnë punimet. Prandaj të shkojmë atje pa pasur konflike se kemi pasur raste që kanë shkuar edhe në burg. Në konflikte kjo për shkak se nuk kanë funksionuar halkat e konsultimit me banorët. Nëse njerëzit japin dakordësinë jam dakord të nis ankandi”.

Halili propozoi që çdo parcelë e planifikuar për ankand të prezantohet në secilën njësia administrative dhe banorët të kenë mundësinë të japin mendimin e tyre përpara se të hapet procedura.

Veap Halili ishte i vetmi anëtar i Këshillit Bashkiak që mori pjesë në sallë. Foto: S. Curri

Nënkryetari i Bashkisë Bulqizë, Vilson Sula, tha se çdo pretendim mbi parcelat që do të jepen në ankand do të merret me kujdes dhe nuk do të ketë asnjë dhënie pa u shqyrtuar situata reale.

“Edhe për ata që kanë vite që kujdesen për to si kujdes familjar për pyjet, në ditët në vazhdim çdo pretendim do paraqitet tek Drejtoria e Pyjeve dhe do merret me kujdes. Për ata që duan të hyjnë në ankand, do të ndjekin procedurën siç duhet,” tha Sula.

Ai po ashtu theksoi se shpallja e ankandit është bërë në çdo njësia administrative dhe se në vijim do të bëhen takime edhe në secilën zonë të prekur, për t’u siguruar që banorët të jenë të informuar dhe çdo paqartësi të zgjidhet përpara fillimit të procedurës.

Një banor në sallë ngriti shqetësimin se në Fushë-Bulqizë kanë mbetur sipërfaqe që konsiderohen pronë shtet për shkak të pamundësisë për t’i regjistruar sipas ligjit 7501, dhe se dhënia e tyre në ankand mund të krijojë konflikte me ish-pronarët:

“Në disa prona në Fushë-Bulqizë, sipas dijenive të mia, ka ngelur pronë shtet për arsye të ligjit famkeq 7501 që pamundëson regjistrimin. Nuk janë prona pa zot që mund t’i japësh kujtdo. Lista e pronave në Fushë-Bulqizë duhet të rishikohet dhe të mos ketë konflikt me njerëzit,” tha banori.

Në vitet e fundit, një numër i madh sipërfaqesh pyjore dhe kullosore në Bashkinë Bulqizë janë dhënë për zhvillimin e parkut fotovoltaik dhe projekteve të tjera energjetike. Ky proces ka shkaktuar në disa raste konflikte mes banorëve dhe autoriteteve, për shkak të mosqartësive mbi pronësinë dhe përdorimin e tokave.




bulqizaime.al

Reklama

Related Articles

Back to top button