Baret nuk mbajnë më, nisin rritjen e çmimit të kafesë, 4.7% më shumë në prill

Kafeja, zakoni i preferuar i Shqiptarëve, po rrezikon të kthehet në produkt luksi më rritjen e shpejtë të çmimeve. Të dhënat mbi inflacionin treguan se çmimi i kafesë dhe kakaos pësoi rritje vjetore me 4.7 për qind në prill. Ky ishte niveli më i lartë i rritjes që nga shkurti i vitit 2022.
Çmimet e kafesë kanë pësuar rritje më të fortë në zonat më të frekuentuara të Tiranës, ku një filxhan kafe ka kaluar të 120 lekë, ndërsa në periferi çmimi mesatar ka arritur në 80-100 lekë muajin e fundit nga 70 lekë që ishin në fillim të vitit.
Arsyeja kryesore lidhet me rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe në anën tjetër rritja e konsumit nga turistët.
Çmimet e kafesë janë rritur më shpejtësi në tregjet globale sidomos vitin e fundit prej uljes së prodhimit në Brazil. Gjithashtu rritja e kostove të transportit pas pandemisë ndikoi negativisht çmimet me pakicë në Shqipëri.
Situata u përkeqësua më tej gjatë 2024 kur furnizimet nga Afrika Perëndimore u tkurrën për shkak të kushteve ekstreme të motit dhe sëmundjes që përfshinë bimët e kafesë dhe kakaos. Efekti i çmimeve të larta po reflektohet me ngadalë në tregjet shqiptare me pakicë.
Në vitet 2016-2019 pati rënie të çmimeve të kafesë më pakicë në vendin tonë me rreth 1,5% për shkak të tepricës së prodhimit botëror, si dhe konkurrencës së madhe në tregun vendas.
Gjatë 2020-2021 çmimet nisën të rriten nga problemet logjistike që krijoi pandemia me transportin dhe zinxhirët e furnizimit.
Një kilogram kafe u importua në mars 2025 me 693 lekë kilogrami me rritje 19% nga marsi 2024 ku një kilogram kafe u importua me çmim 582 lekë.