Aktualitet dhe Lajme

Bardhyl Londo, poeti që nuk u rreshtua në kohë, por u shfaq përtej saj! Të vërtetën e tha me qetësi dhe zgjodhi të heshtë kur të tjerët bërtisnin

Share

Bardhyl Londo ishte një nga ato figura të rralla që, pa shumë bujë, pa zhurmë, e shkroi veten në historinë e letërsisë shqipe.

Poet i heshtur, me një zë të qetë por të thellë, ai nuk kishte nevojë për metafora të rënda për të prekur shpirtin. Në vargjet e tij, gjithmonë kishte një trishtim të ngrohtë, një kujtim që shfaqej si dritë në muzg, një ndjeshmëri që nuk të rëndonte, por të rrinte gjatë në mendje. Lindi në Përmet në vitin 1948. Si shumë fëmijë të atij brezi, u rrit në një realitet të varfër, por të mbushur me ndjenja. Letërsia nuk ishte thjesht pasion për të, por mënyrë për të kuptuar veten dhe botën përreth. Mbaroi studimet për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe më pas punoi si mësues, redaktor, gazetar e më vonë deputet por gjithmonë mbeti një poet në zemër.

Krijimtaria e Bardhyl Londos përbëhet nga disa vëllime poetike që kanë lënë gjurmë, si dhe romane që e plotësuan më tej profilin e tij letrar. Vepra si Prill i hidhur janë ndër më të lexuarat dhe të vlerësuarat, jo vetëm për mjeshtërinë gjuhësore, por edhe për ndjesinë njerëzore që përçojnë. Poezia e tij është shpesh e përthyer, e përmbajtur, ndonjëherë e heshtur por me një fuqi të jashtëzakonshme për të ndezur emocione. Atë e shqetësonte kalimi i kohës, kujtimi, dashuria, humbja, Shqipëria. Ai nuk ishte një poet i revoltës, ishte një poet i reflektimit. Në një kohë kur shumë zëra në letërsinë shqipe zgjidhnin tonin e fortë, ai zgjodhi ta thoshte të vërtetën me butësi. Dhe ndoshta, për këtë arsye, ajo zë më shumë vend. Si një poet i angazhuar, poezia e tij e pas viteve ’90, reflektonte kaosin social dhe politik që kaloi vendi gjatë tranzicionit. Krijimtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Është fitues i çmimit “Migjeni”.

ANGAZHIMET

Në vitet ’90, Bardhyl Londo mori pjesë aktive edhe në politikë, duke shërbyer si deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë. Por ai kurrë nuk lejoj që politika ta gllabërojë poetin. Madje, në intervistat e pakta që jepte, shprehej se letërsia duhet të qëndrojë mbi përplasjet ideologjike, ajo duhet të flasë për njeriun, për ndjenjat, për atë që mbetet përtej kohës. Në fund të jetës, ai u tërhoq nga skena publike për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Luftoi për vite me të, në heshtje, pa e bërë publike dhimbjen e vet. U nda nga jeta më 18 shkurt 2022, në moshën 74-vjeçare, duke lënë pas jo vetëm dhimbje, por edhe një trashëgimi të çmuar letrare.

Trashëgimia e Bardhyl Londos sot nuk matet me çmimet që ka marrë apo funksionet që ka mbajtur. Ajo matet me lexuesin që hap një libër të tij dhe ndalon për pak. për të kujtuar një ndjenjë, një kohë, një dashuri të humbur. Ai ishte poeti i fjalëve të pakta dhe ndjesive të thella. I kujtesës së qetë, që nuk bërtet, por mbetet. Në një kohë kur shumë zëra në letërsinë shqipe përpiqeshin të spikasnin me revoltë, sarkazëm, apo protestë të zhurmshme, Bardhyl Londo zgjodhi një rrugë tjetër, rrugën e qetësisë, të përmbajtjes, të ndjeshmërisë që nuk ulëret, por të mbetet gjatë.

PESHA E FJALËS

Poezia e Bardhyl Londos nuk ka shpërthime, por ka emocion. Nuk ka tronditje, por ka kujtime. Londo ishte një poet që e kuptoi mirë peshën e fjalës. Prandaj e përdori me kursim. Vargjet e tij duken si fjalë që kanë kaluar një sitë të hollë, ku çdo gjë e tepërt është hequr, dhe ajo që ka mbetur është thelbi, i thjeshtë, por thellësisht njerëzor. Një nga veprat më të dashura të tij, “Prill i hidhur”, është një shembull i poetikës së Londos: një prill që nuk ka lule, por kujtime të tharta, një stinë që nuk sjell rilindje, por një përkujtim të brengave të kaluara. Në këtë libër dhe në të tjerët, poezia e tij mbart një nostalgji pa patetikë, një melankoli të qytetëruar.

Temat e Bardhyl Londos janë ato që i prekin të gjithë, por pak arrijnë t’i shkruajnë bukur, kalimi i kohës, harresa, prania e mungesës, dashuria që zbehet, vendlindja që largohet edhe kur nuk e ke lënë. Ai shpesh shkruante për Përmetin e tij jo si vend, por si ndjenjë, një topografi emocionale që nuk zhduket nga kujtesa. Poeti nuk i ngriti zërin politikës, por as nuk u fshi prej saj. Në vitet ’90, Londo u bë pjesë e jetës parlamentare, si deputet i Partisë Demokratike. Por edhe në politikë, nuk ndryshoi tonin: ai mbeti i njëjti, i përmbajtur, racional, larg protagonizmit, më afër fjalës së matur se sa deklaratave të forta. Siç do të thoshte një mik i tij: “Kur të gjithë donin të flisnin, ai dëgjonte”.

VLERËSIMET

Kritika e ka vlerësuar London për stilin e tij minimalist, ku çdo varg është një peshë më vete. Poezia e tij është introspektive, por jo egoiste, personale, por universale. Ai nuk shkruan për të treguar veten, por për të kujtuar të tjerëve se ndjenja është gjë e rrallë në këtë botë që po harrohet. Në një nga poezitë e tij më të ndjera, ai shkruan: “Nuk thashë asgjë, kur fjala më duhej më shumë, Se heshtja m’i tha të gjitha… më qartë se unë.” Ky varg duket se përmbledh gjithë filozofinë e krijimtarisë së Bardhyl Londos. Ai nuk kishte nevojë të mbulonte faqe me fjalë për të shprehur diçka të madhe.

Një varg, një metaforë e thjeshtë, një imazh i kujdesshëm ishte mjaft për të ndërtuar një botë të tërë. Kur u nda nga jeta, më 18 shkurt 2022, shumëkush ndjeu se kishte humbur një poet të rrallë, por jo vetëm për poezitë. Ata që e njihnin e kujtonin për edukatën, për njerëzinë, për heshtjen e tij të mençur dhe fjalët e zgjedhura me dashuri. Bardhyl Londo ishte një poet që nuk u rreshtua në kohë, por u shfaq përtej saj. Dhe sot, kur fjala po bëhet e lehtë dhe e lirë, poezia e tij na mëson sërish se e bukura ka nevojë për ndalesë, për heshtje, për përulje përpara ndjesisë. Sepse letërsia e vërtetë nuk bëhet me zë të lartë, bëhet me zë të thellë. Panorama

POEZI NGA BARDHYL LONDO

******

NA JANË MBARUAR FJALËT

Na janë mbaruar fjalët.

Buzëqeshja ka mbetur në mes të udhës.

Ç’të bëjmë?

të shkojmë a të mos shkojmë për një kafe

në pallat të Kulturës?

Tavolinë e zakonshme

tej dritares qyteti vishet në muzg.

një gotë ujë për të dy,

kafja jote mbetur përgjysmë,

imja pirë me fund.

përgjysmë, përgjysmë, përgjysmë,

fjala,

buzëqeshja,

ledhatimi,

si dy shina paralele përjetësisht të privuara nga ndarja,

përjetësisht nga takimi.

Sa herë t’i puthja sytë e bukur,

papritur binte briri i kushtrimit.

Kohë e ashpër:

Ne që ishim aq të etur për njëri-tjetrin

të ndarë na duhej të vdisnim.

******

EDHE DASHURITË VDESIN, E SHTRENJTA IME!

…se edhe dashuritë vdesin, e shtrenjta ime,

me një gjeth në buzë, me një fjalë shpuzë…

…se edhe deti vdes, e shtrenjta ime,

mbi një erë të trishtuar, nën një shkëmb të vetmuar…

…se edhe vjeshta vdes, e shtrenjta ime,

në një livadh pa bar, në një shteg mërgimtar..

…se edhe ujërat vdesin, e shtrenjta ime,

nëpër mjegull të dendur, nën një re si ëndërr…

…kemi dashur shumë, kemi urryer shumë…

s’kemi si vdesim, e shtrenjta ime.

******

TI IKE, E NXEHUR, E TRISHTUAR…

Ti ike. E nxehur, e trishtuar.

Siç duket, the, s’kemi gjë për të thënë.

Mbi filxhanin e kafes gjysmëpirë

i kuqi i buzëve si gjysmëhënë.

Tani në kafe hyj somnambul,

më dhemb gjithçka e s’di ç’më dhemb.

Mbi buzët e filxhaneve kafepirë

kërkoj gjysmëhënën e të kuqit tënd.

******

SA KOHË KEMI QË DUHEMI?

E mora në duar kokën tënde,

prushi i gjakut pëllëmbët m’i dogji.

Në sytë e tu si në një ëndërr rashë

dhe më s’u zgjova.

Në sytë e bukur si loti.

Me gishtat e dridhur të dashurisë

emrin tënd shkërmoqa germë për germë.

Të thirra e dashur,

Të thirra motër,

Të thirra nënë.

Ti hesht, e bukur, e tejdukshme,

natyrshëm siç mbin bari.

Oh, hapi ata sytë e zinj,

hapi, të vijë

behari.

Hapi ata sy

më përrallore se fantazia e Zhyl Vernit,

dy lëndina ku rritet lirizmi.

Në retinën e tyre si në ekranin më të ndershëm

Veten më mirë kuptova,

ty,

njerëzimin.

Je tepër e lashtë për të të thirrur Evë,

je tepër e bukur për të të thënë Zhuljetë.

Sa kohë kemi që duhemi? Dy mijë , tre mijë vjet?

Me ty e kam lindur Prometeun,

me ty shekullin e njëzet.

Po ty

të zuri gjumi?

Shtrihu.

Ti më mësove të vërtetën e madhe:

DASHURIA ËSHTË NJË MONUMENT

MBROHET NGA NJERIU!

******

SA E GJATË RRUGA NGA TRUPI TEK SHPIRTI…

Sa e gjatë rruga nga trupi tek shpirti,

herë zbardh, herë zverdh si vrer veremi.

Një rrugë të ndjell për nga apokalipsi,

tjetra për nga Jeruzalemi.

Një kryq gjithkënd e pret. i rëndë, i lehtë,

në agim të rrugës a në të ngrysur.

Jeta mund të jetë Dhjatë e Vërtetë

por mund të jetë dhe dhjatë e përmbysur.

Kryqin nuk mund ta shmangësh. Golgota

jote mund të jetë mal, mund të jetë e vogël sa gishti,

në rrugën tënde gjithmonë hapur Kerkaporta.

Pret e bardhë a e verdhë vrer veremi.

Brenda teje lind dhe vdes Apokalipsi,

brenda teje Jeruzalemi.

******

KUSH JE TI

Kush je ti? Sfide e shekujve,

grusht i tiranëve, tmerr i mbretërve.

Lirinë kërkon. Pushka s’ka çark.

Fluturimin do e krahët s’i hap.

Me rraso je veshur, zotin e tall.

Kush je ti? Perëndi a djall?

Herë Bethoven, herë Kajam.

Nuk e di kur qesh, nuk e di kur qan.

Ofeli e ëmbël, korb që të tremb,

të dhemb kaq shumë e s’di ç’të dhemb.

Hamlet i ngrysur, Sanço hokatar,

gjysmë asket, gjysmë mëkatar.

Herë urrejtje, herë dashuri.

Kush je ti? Zjarr apo hi?

Zhurmën e pëlqen, heshtjes i flet

gjysma lolo, gjysma mbret.

Këmbët në Boston zemrën në Ballkan.

Njeri sy të qesh, tjetri të qan.

Duart të ngrijne, zjarrin s’e ndez.

Lumejtë i pi e etja të djeg.

Heshtje e shurdhër, gjëmim hata.

Kush je ti, kush je ti, pra?

Oh, po pas dilemës u fshehka gjeniu,

brenda një loti ndritka njeriu.

Kështu ngjitesh e zbret shekujve

sfidë e harrimit, tmerr i mbretërve,

zjarr që përvëlon, kallkan acar.

Kush je ti? Noli shqiptar!

******

LIRIKË E HIDHUR

Nuk e dua më këtë qytet,

e di: ai është fajtor pa faj.

Këtu ministrat janë të gjithë engjëj,

Ad 

Global Indices Are on the Move — Time to Trade!IC Markets

Gold Is Surging in 2025 — Smart Traders Are Already InIC Markets

ata poshtë tyre të gjithë djaj.

Këtu të djeg malli për një hënë,

malli të përvëlon për një borë.

Këtu dhe hëna dhe djelli lindin

kur vizë t’u japin ambasadorët.

Këtu përvëlohesh për një fllad puhize,

këtu nuk fryjnë me vrunduj erërash.

Kalon nëpër rrugë, ke frikë mos gëlltitesh

nga gojë të shqyera tenderash.

Kam dalë tani pas orës policore,

asnjë frikë nuk kam për vete.

Po nuk i shikoj dot si dridhen jetime

nga tmerri i betonit monumentet.

Ku është lindja, perëndimi ku?

Ku është jugu, ku është veriu?

Ku vallë mbaron betoni?

Ku vallë fillon njeriu?

Eci dhe këmbët më merren,

nuk kam pirë alkool asnjë pikë.

Me vete vargun e Brehtit pëshpëris:

kohë e vështirë për lirikën.

******

LUTJE E PËRDITSHME

O Zot bekoje këtë ditë dhe ditët e tjera,

ruaji ata që vinë, ata, ata që janë, ruaji të parët,

dhe mbi të gjitha o Zot, të përgjërohem:

ruaje Shqipërinë nga shqiptarët…

******

NDJENJË

Si m’u bë Tirana vetëm lagje,

si m’u bë shtëpia si një burg.

Mos ndërtoni grataciela, një manastir

ndërtoni,

do shkoj të vishem murg

******

ATDHEU ËSHTË DHIMBJE!

Atdheu s’është sa sedilja e makinës tënde,

sa karrigia e zyrës,

sa dhoma komode.

A më dëgjon?!

Ti që me flamur të ri u gdhive në mëngjes,

për ta ndryshuar ndoshta

prapë në mbrëmje.

Atdheu s’është lojë kalamajsh.

Atdheu është dhimbje.

O Zot,

Dhimbje!

******

VETËM ITAKA MBETET

Kanë ndërruar anijet. S’janë më si të Odiseut.

Kanë ndërruar dashuritë. S’janë më si të Manelaut.

Gratë ndyshe janë. S’i ngjajnë më Helenës.

Dhe prapë do të ndërrojnë në shekujt praparendës.

Vetëm Itaka mbetet.

Itaka te fëmija, Itaka te gjeniu

ajo, e përjetshmia,

ëndërra,

dashuria,

jeta,

vdekja:

Itaka-vetë njeriu.

******

FËMIJË ISHA, LODRA KËRKOJA…

Fëmijë isha, lodra kërkoja. Nëna vendoste.

Unë flisja i pari. Nëna e dyta.

Mësimin thoshja. Mësuesja vendoste.

Unë flisja i pari. Mësuesja e dyta.

Ëndrra shikoja natën. Dita vendoste.

Unë flisja i pari. Dita e dyta.

Isha me ty. S’doja të ikte dita. Nata vendoste.

Unë flisja i pari. Nata e dyta.

S’doja ta lija atin të vdiste. Vdekja vendoste.

Unë flisja i pari. Vdekja e dyta.

Nisesha djathtas, përfundoja majtas. Jeta vendoste.

Unë flisja i pari. E dyta ish e drejta.

Po ç’numër vallë kishte e vërteta?

Unë flisja i pari. Jeta e dyta.

******

LETËR POPULLIT TIM

Populli im bukën e mëngjesit nën sqetull

Një cigare tymzezë, sy rrathënxirë nga pagjumësia

Ku po shkon këtë fundshekull?

Hapat e tu simfoni e nëntë Betoviane,

Mëngjesi dilemë hamletiane,

Mesdita plakurtë, fëmijë rebel,

Në ç’ëndërr hyn vallë natën,

Nga ç’ëndërr në mëngjes vallë del?

Ti, i pasigurti si një syth marsi,

Ti, i sigurti si deti,

Më i urtë se Buda,

Më martir se Krishti,

Më profet se Muhamedi.

Lermë të t’i puth sytë sërish

Sërish

Sytë, ah sytë fole dhembjesh

Arenë tragjikomedish.

Të putha, dhe putha gjithë pëllumbat

Të qafova, dhe qafova gjithë detet.

Ku po shkon, i bukuri im, këtë fundshekull?

Kudo shkofsh më merr me vete.

Më merr ashtu thjesht pa karrige,

pa veturë.

Kjo është letërankesa ime e parë dhe e fundit.

Firma: Bardhyl Londo

Nëntor 1990. E mërkurë

******

BALADË

E di që shumë vajza më deshën

ca provokuese, ca të heshtura pa zë,

po unë në jetën prej gjysmëmurgu

prej tyre desha vetëm një.

Nuk e di ku janë, s’e di çfarë bëjnë

çarçafi i bardhë herë-herë s’i nxe.

Po unë nën çarçaf shtrihem me kujtimet

dhe e kuptoj që vend tjetër s’ka më.

Tani që hapat e vdekjes i ndjej si afrohen

të heshtura, të zeza një nga një.

Ndonjëra ndonjë lot do derdhë fshehtaz,

vetëm njëra do të qajë me zë.

******

VETEN E VRASIM PERDITE

Veten e vrasim perditë.

në tavolina

të pista kafenesh.

në rrjeshta

të ndyte gazetash.

në qarqe

prapesish, intrigash.

vritemi

në një vdekje të ngadaltë.

dhe, oh, zot,

s’arrimë ta kuptojmë vetvarsjen tonë.

vjen pastaj një çast.

merr revolverin.

këmbeza

nuk hiqet.

ke vdekur prej kohësh.

i vdekuri nuk vetvritet.


Start News

Reklama
Back to top button