Aktualitet dhe Lajme

Bardhi reagon për dekretimin e ligjit për “zonat e mbrojtura”: Përsëri sot Presidenti humbi mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik

Share

Gazmend Bardhi, kreu i grupit parlamentar të PD-së, ka reaguar pas dekretimit të ligjit për “Zonat e Mbrojtura” nga presidenti Bajram Begaj.

Ai ka shprehur qëndrimin se me këtë dekret, presidenti Bajram Begaj ka humbur mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik.

Sipas Bardhit, ky ligj shkatërron zonat e mbrojtura dhe e akuzon presidentin Bajram Begaj se është bërë pjesë e interesave klienteliste të qeverisë së Ramës.

“Përsëri sot Presidenti i Republikës humbi mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik. Dekretimi prej tij i ligjit që shkatërron zonat e mbrojtura është tjetër provë se për Kreun e Shtetit në çdo rast prevalon interesi korruptiv i klientëve të Edi Ramës dhe jo interesi i qytetarëve shqiptar.

Kurrë në më shumë se 30 vjet Shqipëria nuk ka patur një President që nuk guxon të ngrihet në lartësinë e detyrës, si garant i Kushtetutës, ku përcaktohet se identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”, shkruan Bardhi.

Kreu i grupit parlamentar të PD theksoi se Begaj që nga emërimi në detyrë ka kthyer për rishqyrtim vetëm një ligj, ndërsa ato ligje që prekin interesat e qytetarëve i ka dekretuar lehtësisht.

“Që nga emërimi në detyrë Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim vetëm një ligj, që lidhej me interesat personale të tij. Ndërkohë një shumësi ligjesh, që prekin interesin e qytetarëve, që bien ndesh me Kushtetutën, ligje me porosi klienteliste apo korruptive, janë miratuar me kokën ulur nga Presidenti i Republikës, duke u vetëshpallur si degë e ekzekutivit dhe duke humbur rolin e tij kushtetues.

Shqipëria ka nevojë urgjente për rikthimin e balancës mes pushteteve, duke nxitur kontrollin e ndërsjellt mes tyre. Rikthimi i mekanizmave demokratike dhe mbrojtja e demokracisë është më i domosdoshëm se kurrë”, u shpreh Bardhi.

Ligji për “Zonat e Mbrojtura” u votua në Kuvend me 72 vota pro në seancën parlamentare të 22 shkurtit, por u kundërshtua fort nga opozita.




Huazuar nga Albeu.com

Një kafe nga ju!

Back to top button