Banorët e pallatit të dëmtuar në Bulqizë, kërkojnë ri-inspektim: “Pallati nuk ka lëvizur”
Banorët e pallatit të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në lagjen “Minatori” në Bulqizës, i janë drejtuar sërish Këshillit Bashkiak për të kërkuar zgjidhje për problemin e tyre. Prej vitesh, disa familje janë larguar nga ky objekt dhe janë të paqartë se çfarë do të bëhet me banesat e tyre. Instituti i Ndërtimit, pas inspektimeve të kryera, ka hartuar një raport zyrtar ku e ka shpallur objektin në lagjen “Minatori” si të pabanueshëm, duke rekomanduar që banorët të largohen për shkak të rrezikut të mundshëm për jetën dhe sigurinë e tyre.
Avdi Lami, një nga banorët e prekur, shprehet se për shkak të dëmtimeve të pallatit ka humbur jo vetëm shtëpinë, por edhe biznesin që ndodhej në katin e parë të këtij pallati. Në sallën e Këshillit Bashkiak, ai kërkon nga institucionet vendore dhe ato qendrore të ndërhyjnë duke bërë matje të sakta dhe një ri-inspektim të objektit për të përcaktuar nëse është i banueshëm.
“Nga ana e bashkisë ose e Këshillit Bashkiak të vijnë dhe të verifikojnë dhe të bëjnë matje ekzakte, që edhe ne të jemi të qartë se në atë pallat banohet apo jo. Të gjithë jetën kemi luftuar për ato banesa. Një drejtim duhet të na e jepni se si do të veprohet me pallatin tonë. Unë kam pas banesën në atë pallat, por edhe dyqanin. Tani shoh dyqanin dhe më vjen keq që nuk punoj në të, por e kam mbushur me dru. Kjo është për të qarë se disa e shohin për të qeshur. Prandaj merreni me seriozitet këtë punë. Ju mund të çoni ekspert të tjerë. Pallati nuk ka lëviz. Ne kemi vite që e monitorojmë edhe vetë dhe nuk ka pasur asnjë lëvizje. Nëse do e nxjerrin të pabanueshëm, pallati i ri duhet të ndërtohet në atë vend ku është edhe i vjetri. Sepse nëse ndërtohet një pallat tjetër në dalje të qytetit, nuk kanë të njëjtën vlerë me këto që kemi në pedonale,” tha Avdi Lami, një nga banorët e pallatit.
Kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, gjatë mbledhjes së datës 5 dhjetor 2024 të Këshillit Bashkiak, deklaroi se është planifikuar një buxhet për kostot e Institutit të Gjeologjisë, i cili do të dërgojë një grup tjetër për verifikimin e situatës së pallatit të dëmtuar. Ajo theksoi se bashkia është e gatshme për ndërhyrje, duke theksuar se, nëse objekti do të konsiderohet i banueshëm, prioriteti i pushtetit vendor është që banorët të rikthehen në banesat e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.
Pavarësisht premtimeve për zgjidhje dhe një fondi prej afro 4 mijë euro për ri-inspektim, banorët mbeten të pakënaqur. Ata kundërshtojnë propozimin për të përballuar vetë 50% të kostove të dëmeve, duke theksuar se kjo është e papërballueshme për ta. “Kërkojmë trajtim të barabartë me të dëmtuarit e zonave si Thumana, ku kompensimi ishte 100%,” thekson Lami.
Gjatë mbledhjeve të fundit të Këshillit Bashkiak të Bulqizës, këshilltarët shprehën shqetësimin se, pavarësisht shpalljes së pallatit në lagjen “Minatori” si të pabanueshëm dhe dhënies së bonusit të qirasë, disa familje vazhdojnë të jetojnë aty. Ata theksuan se objekti ka ende furnizim me energji elektrike dhe ujë, duke ngritur pyetjen se çfarë masash ka marrë bashkia për të adresuar këtë situatë.