
Banorët e Njësisë Administrative Fushë-Bulqizë kanë dorëzuar sot në zyrën e Bashkisë Bulqizë një peticion kundër ndërtimit të HEC-it “Shytaj”, vetëm një ditë përpara mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku pritet të diskutohet çështja. Peticioni mban rreth 350 nënshkrime të banorëve apo pronarëve të tokave që preken direkt dhe indirekt nga projekti.
Në kërkesën e tyre, banorët kërkojnë ndalimin ose pezullimin e çdo vendimmarrjeje që lidhet me ndërtimin e HEC-it “Shytaj” dhe respektimin e detyrimit ligjor për konsultim publik. Sipas tyre, deri më tani nuk është zhvilluar asnjë proces i rregullt dhe i dokumentuar konsultimi me komunitetin, ndërsa dokumentacioni teknik dhe mjedisor nuk u është vënë në dispozicion për shqyrtim.
Në peticion theksohet se projekti prek drejtpërdrejt burimet ujore, tokat bujqësore, pyjet dhe ekosistemin e zonës. Ata kërkojnë që çdo vendim për ndërtimin e HEC-it të merret vetëm pas publikimit të raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe pas zhvillimit të dëgjesave publike në fshatrat e prekura për ujin apo masivin pyjor.
Në dokument, banorët paralajmërojnë se mosrespektimi i procedurave ligjore për transparencë dhe konsultim publik mund të sjellë pasoja të pakthyeshme për mjedisin dhe jetën sociale të zonës, si dhe përshkallëzim të konfliktit dhe përplasje në terren. Për këtë arsye, ata kërkojnë që institucioni vendor të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për ndalimin e çdo veprimi të mëtejshëm dhe hapjen e një procesi konsultimi me banorët.
Banorët kërkojnë që kërkesa e tyre të merret në shqyrtim përpara çdo vendimi në mbledhjen e radhës së këshillit.
Projekti rikthehet në tryezën e vendimmarrjes pas gati shtatë vitesh pezullim, kjo pas përplasjeve me banorët gjatë mbledhjeve të Këshillit Bashkiak në vitin 2019. Në atë periudhë, këshilli nuk arriti të mblidhej për tri herë radhazi për shkak të kundërshtimit të vazhdueshëm të komunitetit, i cili mbushi sallën e mbledhjeve dhe kërkoi ndalimin e procedurave për heqjen e sipërfaqeve nga fondi pyjor dhe kullosor.
Projekti hidroenergjetik “HEC Shytaj” pritet të rikthehet për shqyrtim në Këshillin Bashkiak Bulqizë në mbledhjen e planifikuar për datën 6 mars 2026, ora 13:00. Në rendin e ditës është përfshirë projektvendimi “Mbi miratimin me shkrim për heqje nga fondi pyjor/kullosor për subjektin HEC Shytaj”, një hap ligjor kyç që i hap rrugë nisjes së punimeve në përroin e Hetmit dhe zonën e Sheshit të Vogël, degë të Zallit të Bulqizës.
Start News
