Banesa dy katëshe në Pogradec përfshihet nga flakët, tre zjarrfikëse në vendngjarje
Një zjarr masiv ka përfshirë një shtëpi dy katëshe në qytetin e Pogradecit, duke shkaktuar alarm mes banorëve të zonës.
Sipas raportimeve të para, në vendngjarje kanë mbërritur tre mjete zjarrfikëse, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe policia kanë ndërhyrë menjëherë për të evakuuar banorët. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Ekipet zjarrfikëse po punojnë intensivisht për të shuar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre në ndërtesat përreth. Ndërkohë, autoritetet janë duke hetuar për të zbuluar shkaqet që çuan në shpërthimin e zjarrit.
Pogradec/Informacion paraprak
Rreth orës 21:25, në lagjen nr. 4 Pogradec, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën e shtetasit A. B., 80 vjeç. Si pasojë e zjarrit, janë përfshirë dhe banesat ngjtur me banesën që ra fillimisht zjarri.
Shërbimet Policisë dhe zjarrfikësit kanë ndërhyrë menjëhere për evakuimin e banorëve dhe për shuarjen e zjarrit. Nga rënia e zjarrit ka vetëm dëme materiale, ndërsa banorët janë evakuuar të gjithë.
Vijon puna intensive për neutralizimin e përhapjes së zjarrit dhe shuarjen e plotë në banesat e përfshira nga flakët.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për përcaktimin e saktë të shkakut të rënies së zjarrit.