BANDAT E DURRËSIT: “Marrim 4 mijë vota Shijak, Rromanat, Arapaj, Maskuri zonat tona janë për “Jurin” (Çyrbja). “Ed Lala” s’ka punë politike tek lokali…”
Deputeti i Partisë Socialiste në Durrës, Jurgis Çyrbja, ishte vendosur në listën e kandidatëve të PS për zgjedhjet Parlamentare të Prillit 2021, duke lobuar 4 grupe kriminale që veprojnë në Durrës dhe Shijak.
Në dosjen hetimore që gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, e ka siguruar jepet një tablo e qartë se si grupet me të forta kriminale në Durrës, kanë lidhje deri lart, duke arritur të përcaktojnë dhe emrat e kandidatëve fitues në Zgjedhjet Parlamentare të Republikës së Shqipërisë.
Një realitet i dhimbshëm, por në fakt kjo situatë është provuar përmes bisedave të zhvilluara në aplikacionin “Sky”, komunikime këto që tashmë kanë rënë në dorë të prokurorisë së posaçme SPAK.
Rasti i deputetit të PS-së, Jurgis Çyrbja, është zbuluar nga prokurori i SPAK, Adnand Xholi, i cili në kuadër të hetimeve që po kryen për trafik droge ndaj grupit të Altin Hajrit dhe Plaurent Dervishaj në Durrës, ka zbuluar dhe protagonizmin e deputetit të PS, Çyrbja në veprimtari kriminale.
Deputeti Çyrbja shfaqet protagonist në disa episode kriminale, pasi rezulton përdoruesi i kodit “BFLSII”, i cili nga komunikuesit e tjerë thirret vetëm “J”, “Jur” dhe “Juri”.
Çyrbja bisedon me një person tjetër ende të paidentifikuar nga SPAK, ku gjatë datave 17 dhjetor 2020 deri në 7 mars 2021, ata diskutojnë për renditjen e kandidatëve në listat për deputet në zgjedhjet parlamentare të radhës që korrespondojnë me zgjedhjet e datës 25 Prill 2021).
Nga këto komunikime del se 4 grupe kriminale, si Altin Hajri, Plauret Dervishaj, Farrukët e Durrësit dhe Mond Çekiçi, janë angazhuar për të zgjedhur Jurin deputet, në këmbim që edhe ky i fundit t’i ndihmojë me informacion dhe mbylljen e problemeve që këta persona kanë.
Kështu në datën 22 shkurt 2021 dhe në vijim diskutohet për numrin e votave në favor të kandidatit Jurgis Çyrbja që mund të merren në Bashkinë Shijak dhe njësitë administrative në përbërje të saj.
Në këtë bisedë i premton Jurgis Çyrbjas numrin e votive që Altin Hajri, do japi në interes të Jurgys Çyrbja, duke bërë llogaritë sipas njësive administrative të bashkisë Shijak.
Si më poshtë vijon personi i thotë, Çyrbjas:
“…3 mijë do ti jap unë, maje men. Thash Rromanat, Arapaj, Maskuri Zonat tona janë për “J” (Jurin) i thash. Po futem vet tha ma mirë hahaha Mond Ç (Mond Çekiçi). Gjithë grupet i thashë, po del mirë e burrë. Ne marim 4 mijë vota Bashkinë Shijak, gjithë bashkë. Po e burr Xhavzotën E kena blindu Gjepalen po Shijak…”.
Ndërkohë në bisedat në bisedën e datës 1 Mars 2021 personi nën hetim Altin Hajri, i dërgon të hetuarit Jurgis Çyrbja numrin e një shtetasi të zonës, dhe i thotë bashkëbiseduesit të shkojnë të takojnë atë person, duke ju referuar numrit të dërguar një ditë më parë, si dhe ka folur e dakordësuar me shtetas të tjerë:
“…Po fola pak me Nikun dhe ai nm që të pruna jan këto dibronet…. Plus do fol dhe me Lentin. Çekiçi është ok…”-i shkruan Altin Hajri, zyrtarit të PS.
Gjithashtu në 7 mars 2021 personi nën hetim Altin Hajri, i bën me dije të hetuarit Jurgis Çyrbja, se kishte qenë në shoqërinë e një personi që edhe Jurgisi e njeh dhe e informon se “liri” do jetë kandidati i vendosur në listën për deputet i katërti ose i pesti, duke nënkuptuar kandidatin tjetër të Qarkut të Durrësit për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, dhe pak më vonë i dërgon një foto ku dallohet qartë lista për kandidatë për deputet e Partisë Socialiste edhe se në pikën shtatë dallohet emri Jurgis Çyrbja.
Nisur nga kjo situatë SPAK thotë se personi nën hetim Jurgis Çyrbja, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, në periudhën e kryerjes së krimit kishte një marrëdhënie të ngushtë miqësore me personin nën hetim Altin Hajri, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale.
I hetuari Jurgis Çyrbja për shkak të funksionit të tij si deputet i ofronte të hetuarit tjetër personit në kërkim ndërkombëtar Altin Hajri, favorizime të ndryshme duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri si polici apo prokurori me qëllim favorizimin e tij dhe të lidhjeve të ngushta shoqërore, e për rrjedhojë, sipas Prokurorisë së Posaçme konkludohet se është konsumuar vepra penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Nga ana tjetër Altin Hajri, në këmbim të këtyre favoreve të siguruara nga shtetasi Jurgis Çyrbja i ofronte këtij të fundit që të votonte si dhe të siguronte votues në funksion të mbështetjes së tij.
Më konkretisht i hetuari Altin Hajri, pasi sinjalizohet nga i hetuari se përfaqësues të një partie politike kishin bërë fushatë tek lokali i “Ed Lalës” e siguron Jurgisin, se do t’i thoshte “Ed Lalës” që të mos shikonte punë politike tek lokali, e për rrjedhojë, konkludojmë se është konsumuar vepra penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”.