Aktualitet dhe Lajme

Balla në Filadelfia: Garantuam me ligj të drejtën e votës për shqiptarët jashtë vendit

Share

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, njëkohësisht drejtues politik i Partisë Socialiste për Diasporën u takua me përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Filadelfia (Philadephia), SHBA, duke vlerësuar kontributin e tyre të vyer në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Në fjalën e tij, ministri Balla deklaroi se Kuvendi i Shqipërisë ka sanksionuar me ligj të drejtën e çdo shqiptari jashtë Shqipërisë për të zgjedhur udhëheqjen e vendit për katër vitet e ardhshme, duke votuar nga aty ku banon jashtë atdheut.

Duke e cilësuar Filadelfian si “Vlora e Amerikës” për shqiptarët, Balla theksoi rëndësinë e historisë dhe lidhjes së ngushtë që ky qytet ka për shqiptarët.

“Philadelphia është si Vlora për ne; këtu filloi pavarësia amerikane, dhe Shtetet e Bashkuara janë bërë jo vetëm një superfuqi globale, por vendi i mundësive për të gjithë. Shqiptarët këtu kanë treguar suksese të shumta, duke u bërë ambasadorë të vlerave shqiptare. Ne jemi mirënjohës për rolin që SHBA-ja dhe Presidenti Woodrow Wilson kanë luajtur për Shqipërinë pas Luftës së Parë Botërore,” tha Balla, duke theksuar se lidhjet shqiptaro-amerikane janë ndërtuar mbi bazën e besimit dhe respektit të ndërsjellë.

Një temë tjetër e rëndësishme e bisedës ishte e drejta e votës për shqiptarët jashtë vendit, një çështje që është kërkuar për dekada nga diaspora shqiptare.

“Sot jemi në një moment historik. 1.75 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit dhe tani, për herë të parë, do të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh ai.

Kjo e drejtë, sipas ministrit Balla, është një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes së diasporës në procesin demokratik të Shqipërisë.

Më herët Balla vizitoi Shoqatën “Bijtë e Shqipes” dhe Shkollën e Gjuhës Shqipe, iniciativë për të cilën u shpreh me entuziazëm për aktivitetet që mbahen në qendrën e kësaj shoqate, të cilat ndihmojnë fëmijët e komunitetit të ruajnë gjuhën dhe lidhjet me Shqipërinë.

Vizita e Ballës në SHBA është pjesë e një sërë takimesh që ai po zhvillon me komunitetin shqiptar në disa qytete amerikane, me qëllim përforcimin e lidhjeve me diasporën dhe angazhimin e tyre në zhvillimin e vendit.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button