Aktualitet dhe Lajme

Autoritetet në Mal të Zi nisin hetime për shenjën rrugore që e paraqiste Pejën si pjesë të Serbisë

Share

Ministria e Transportit e Malit të Zi ka urdhëruar më 7 prill Inspektoratin e Rrugëve që të hetojë rastin e vendosjes së një shenje rrugore në Plavë, ku qyteti i Pejës, që ndodhet në Kosovë, ishte shënuar si pjesë e Serbisë, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga kjo ministri.

Shenja u hoq më 6 prill, por nuk dihet saktësisht kur ishte vendosur.

Ministria nuk ka dhënë përgjigje se kush dhe kur ka urdhëruar vendosjen dhe më pas heqjen e shenjës kontestuese në vendbanimin Murinë, që i përket Komunës së Plavës, në veri të Malit të Zi, afër kufirit malazezo-kosovar.

“Drejtoria e Transportit është përgjegjëse për vendosjen e sinjalizimit rrugor përgjatë rrugëve magjistrale dhe rajonale. Ministria është në dijeni për rastin në fjalë dhe kemi urdhëruar Inspektoratin që të dalë në terren dhe të veprojë në përputhje me gjendjen faktike dhe ligjin”.

Fotografia me këtë shenjë rrugore u shpërnda të dielën në rrjetet sociale. Të njëjtën e ndau edhe artistja nga Plava, Kaltrina Hoti.

Në një video përballë shenjës, Hoti shihet bisedon me punëtorët e kompanisë që, siç dëgjohet, e kishin vendosur tabelën.

“Është urdhëruar nga Podgorica, nga Drejtoria e Transportit. Unë jam vetëm punëtor dhe vendos shenjat sipas dokumentacionit që marr”, tha njëri nga punëtorët, duke treguar një letër që nuk shihet qartë në video.

Kur Hoti përsëriti se udhëzimet për vendosjen e shenjës kishin ardhur nga Ministria malazeze, punëtori e pohoi këtë.

Në kamionin që shihej në video ishte i shkruar emri i kompanisë “Signal”.

Kjo kompani, me seli në Sombor të Serbisë, sipas faqes zyrtare të internetit, është e specializuar për prodhimin dhe vendosjen e sinjalizimit rrugor.

Ata nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it se kush i kishte angazhuar.

Nga komuna fqinje e Rozhajës i thanë REL-it se, ndryshe nga disa pretendime në rrjete sociale, nuk ka pasur përpjekje për vendosjen e tabelave të ngjashme në atë qytet.

Sipas Ligjit për sigurinë e komunikacionit, për vendosjen e sinjalizimit rrugor është përgjegjëse Drejtoria e Transportit me pëlqimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

REL-i i ka drejtuar pyetje MPB-së se kush e ka urdhëruar prodhimin dhe vendosjen e tabelës, përmbajtja e së cilës bie ndesh me njohjen e shtetit të Kosovës nga Mali i Zi, por nuk ka marrë përgjigje.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron atë pjesë të territorit të saj. Në krye të Ministrisë së Transportit të Malit të Zi është një përfaqësuese e Frontit Demokratik (DF), parti që gjithashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Pas reagimeve të ashpra, tabela u hoq

Se tabela kontestuese është hequr nga Drejtoria e Transportit, e konfirmoi kryetari i Plavës, Nihad Canoviq.

Ai u distancua nga i gjithë rasti, duke thënë se pushteti lokal nuk ka pasur asnjë rol në vendosjen e tabelës.

“Pasi u njoftova për këtë, kontaktova me përfaqësuesit e Drejtorisë së Transportit, të cilëve u tregova për lëshimin dhe problemin që ka shkaktuar vendosja e saj. Banorët e Plavës kanë qenë gjithmonë njerëz të paqes, respektit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore – kjo nuk ndryshon”, shkroi Canoviq.

Heqjen e tabelës e konfirmoi edhe ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, duke reaguar ndaj shumë postimeve në rrjetin X, kryesisht nga Kosova.

Ai nuk u përgjigj thirrjeve të REL-it.

Ndërkaq, deputeti dhe kryetari i partisë shqiptare Forca, Genci Nimanbegu, i bëri thirrje kryeministrit Milojko Spajiq që të ndërhyjë.

Ai e dënoi vendosjen e tabelës si një provokim të qartë politik, duke i kërkuar kryeministrit të ndërmarrë masa urgjente që tabela rrugore të përputhet me faktet.

Partia e Nimanbegut, ashtu si edhe ajo e Dukajt, janë pjesë e shumicës qeverisëse në Mal të Zi.

“Ky rast, i cili u realizua nga zyrtarët e Ministrisë së Transportit, tregon se në Mal të Zi ende ka mendësi që e kundërshtojnë, nuk pajtohen apo përpiqen të ndryshojnë faktet e njohura ndërkombëtarisht”, tha Nimanbegu.

Kush është në krye të Ministrisë së Transportit?

Ndër ata që “përpiqen të ndryshojnë faktet e njohura ndërkombëtarisht” është Partia Popullore Demokratike, anëtare e ish-Frontit Demokratik, nënkryetarja e së cilës, Maja Vukiqeviq, është në krye të Ministrisë së Transportit.

Kjo parti, ndër të tjera, angazhohet për anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, që Mali i Zi e njohu në vitin 2008, kur në pushtet ishte Partia Demokratike e Socialistëve e Milo Gjukanovićit.

Për Kosovën ata pretendojnë se është territor i pushtuar serb dhe e quajnë “pseudështet”.

Kjo parti, e udhëhequr nga Milan Knezheviq, ka pushtet absolut në Zeta, komuna më e re në Mal të Zi.

Parlamenti lokal i Zetës ka miratuar një Deklaratë me të cilën, sipas tyre, në territorin e kësaj komune nuk vlen njohja e pavarësisë së Kosovës.

Heqja e sanksioneve ndaj Rusisë dhe dalja e Malit të Zi nga aleanca NATO janë pjesë e objektivave të tyre të politikës së jashtme.

Kjo parti është pjesë e shumicës parlamentare që nga gushti i vitit 2020, kur bashkë me partinë e Andrija Mandiqit, kryetar i Kuvendit, me Demokratët dhe lëvizjen qytetare URA, morën pushtetin.

Me ristrukturimin e Qeverisë në korrik të vitit të kaluar, ata fituan dy poste dhe u bënë formalisht pjesë e saj.

Megjithëse partitë e Frontit Demokratik kishin paralajmëruar se do t’i ngrijnë objektivat e politikës së jashtme dhe do të respektojnë marrëdhëniet e mira fqinjësore, në praktikë ndodhi e kundërta, gjë që bëri që Podgorica zyrtare të marrë tri nota proteste nga fqinjët – një nga Kroacia dhe dy nga Bosnja e Hercegovina.

Knezheviq dhe Mandiq u shpallën persona të padëshiruar në Kroaci vitin e kaluar./REL




Huazuar nga albeu.com

Back to top button