Autoritetet e Kosovës zhvillojnë aksion të ri kundër rrjeteve të spiunazhit, detaje nga operacioni

Autoritetet në kosovë janë duke zhvilluar një aksion në lidhje me dyshimet për spiunazh, duke intensifikuar luftën kundër rrjetit të spiunazhit, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës.
Prokuroria tha se aksioni është duke u kryer në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Ajo tha se nuk mund të japë hollësi, për shkak ndjeshmërisë së hetimeve dhe pasi operacioni është ende në zhvillim e sipër.
Aksioni vjen në një kohë kur autoritetet kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.
Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).
Momentalisht, dy të dyshuar, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, po gjykohen për spiunazh për Serbinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin dhënë informacione tek BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe masakrën e Reçakut.
Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor./REL