Aty ku bëhesh një spiun profesionist dhe me diplomë, njihuni me universitetin e veçantë francez

Share

Shpesh objekt i sulmeve terroriste, por tashmë dhe në përpjekje për shtimin e fuqisë ushtarake, Franca duket se e ka gjetur zgjidhjen për vetëmbrojtje, një universitet!

Nuk bëhet fjalë për një universitet dosido, ku thjesht mëson se si të përballesh me rrezikun, porn ë fakt të trajnon për të të bërë një spiun perfekt në shërbim të vendit.

Është kompleksi universitar “Sciences Po Saint-Germain”, ku ka dhe degë të shkencave politike e të marrëdhënieve ndërkombëtare, e cila ka aplikuar tashmë dhe kursin e spiunazhit. Programi mësimor i spiunazhit përbehet nga 120 orë, e shtrirë në katër muaj, në vlerën rreth 5 mijë euro.

Studentët janë të detyruar të jenë me shtetësi franceze, por ka pasur dhe raste që janë pranuar persona që kanë dy-shtetësi. Këta të fundit duhet patjetër të kenë një pasaportë franceze në mënyrë që të regjistrohen në universitet.

Programi quhet “Diplôme sur le Renseignement et les Menaces Globales”, ose “Diplomë në Inteligjencë dhe Kërcënime Globale”, dhe është zhvilluar nga universiteti në bashkëpunim me Academie du Renseignement, që merret me shërbime të inteligjencës franceze.

Shembull i diplomës së universitetit francez

Pedagogu i këtij universiteti, Xavier Crettiez, shprehet se nuk i njeh emrat e vërtetë të shumë prej studentëve të tij, pasi e tillë është fusha ku ai po bën mësimdhënie.

Njëri prej studentëve ka shprehur se “për të ndjekur kursin dhe për të folur me studentët, më duhej së pari të kaloja një kontroll nga shërbimet franceze të sigurisë”, duke nënkuptuar kështu ambientin e rreptë që e karakterizon këtë degë dhe godinë universitare.

Qëllimi kryesor i programit është të trajnojë spiunë potencialë për   të identifikuar dhe përballuar kërcënimet  . Temat kryesore përfshijnë ekonominë e krimit të organizuar, xhihadizmin islamik, mbledhjen e inteligjencës së biznesit dhe dhunën politike.

Zgjerim i madh i shërbimeve sekrete franceze

Sipas profesorit Crettiez, shërbimet sekrete franceze kanë parë një zgjerim vitet e fundit. Tani ka rreth 20 mijë agjentë në atë që ai e quan “rrethi i brendshëm”.

Ky rreth përbëhet nga DGSE (Direction Générale de la Sécurité Extérieure), e cila merret me çështjet e jashtme dhe është ekuivalenti francez i MI6 të Mbretërisë së Bashkuar ose CIA-s së SHBA-ve, si dhe nga  DGSI (Direction Générale de la Sécurité Intérieure), e njohur si Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë e Brendshme, e cila përqendrohet në kërcënimet brenda Francës, si MI5 e Mbretërisë së Bashkuar ose FBI e SHBA-ve.

Por nuk bëhet fjalë vetëm për terrorizmin.

“Ekzistojnë dy shërbimet kryesore të sigurisë, por edhe Tracfin, një agjenci inteligjence që specializohet në pastrimin e parave. Ajo merret me rritjen e aktivitetit mafioz, veçanërisht në Francën jugore, duke përfshirë korrupsionin në sektorin publik dhe privat, kryesisht për shkak të fitimeve të mëdha nga tregtia e paligjshme e drogës”, thekson profesori.

Profesorët e universitetit përfshijnë një zyrtar të DGSE, një ish-ambasador francez në Libi, një zyrtar të lartë të Tracfin dhe një shef sigurie të gjigantit francez të energjisë.

Kompanitë e mëdha punësojnë studentë spiunë

Kompanitë e mëdha, veçanërisht në sektorët e mbrojtjes dhe hapësirës ajrore, si dhe kompanitë franceze të mallrave luksoze, janë gjithnjë e më të interesuara për punësimin e këtyre të diplomuarve, pasi përballen me kërcënime serioze në fushat e sigurisë kibernetike dhe spiunazhit .

Kohët e fundit, të diplomuar janë punësuar nga kompania franceze e telefonisë celulare Orange, gjigandi i hapësirës ajrore dhe mbrojtjes Thales, dhe LVHM, e cila zotëron gjithçka, nga Louis Vuitton dhe Dior deri te markat e shampanjës Dom Perignon dhe Krug.

Këtë vit akademik, janë të regjistruar 28 studentë, nga të cilët gjashtë janë spiunë. Këta studentë identifikohen lehtësisht, pasi ata fshihen nga pjesa tjetër e studentëve gjatë pushimeve dhe nuk duken veçanërisht të lumtur kur u afrohen.

Pa specifikuar rolin e tyre të saktë, njëri nga studentët pretendon se kursi konsiderohet një trampolinë e shpejtë për promovim në terren, ndërsa një tjetër pretendon se ai fiton ide të reja në këtë mjedis akademik.

Ata nënshkruajnë fletën e pjesëmarrjes në mësim vetëm me emrat e tyre të parë.


starnews.al

Reklama
Back to top button