Aktualitet dhe Lajme

Atentati me 4 viktima në Dobraç të Shkodrës, arrestohet personi që vodhi “Range Roverin” e përdorur nga autorët

Share

Detaje të reja janë zbuluar nga masakra me 4 viktima në Dobraç të Shkodrës, ngjarje e ndodhur më 30 tetor. Burime nga grupi hetimor, thanë se dy javë më parë policia ka arrestuar në Shkodër personin që kishte vjedhur makinën tip “Range Rover Sport” në Durrës, që u përdor nga autorët e krimit dhe u dogj pas vrasjes.

Arrestimi i tij është mbajtur i fshehtë nga grupi hetimor, me pretendimin mund t’i ndihmojë ata në zbardhjen e vrasjes.

Autori i vjedhjes së makinës, është marrë disa herë në pyetje për të treguar nëse ka dijeni për rrethanat e vrasjes në Dobraç, por në asnjë moment ka pranuar të japë deklarime.

Dëshmia e tij konsiderohet kyçe për policinë e Shkodrës dhe prokurorët e SPAK që po hetojnë çështjen.

Mjeti rezultoi të ishte vjedhur dhe denoncuar nga pronarët më 17 prill të këtij viti.

Qyteti i Shkodrës, u trondit pasditen e 30 tetorit 2024 nga një masakër në zonën e Dobraçit, kur persona ende të paidentifikuar qëlluan nga një makinë drejt makinës, tip Benz S-Class, ku po udhëtonte Hamza Lici dhe Arlind Bushati dhe një person i tretë.

Nga të shtënat makina që drejtohej nga Hamza Lici, 23-vjeç, humbi kontrollin dhe përplasi motorin ku udhëtonin dy qytetarë të pafajshëm, çifti Flutura dhe Bashkim Basha.

Flutura Basha humbi jetën në vendngjarje.

Ndërsa Arlind Bushati humbi jetën, po atë ditë pak orë më pas në spital.

Tre ditë më pas vdiq në spital edhe Bashkim Basha./Oranews

 




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button