Ashpërsohen rregullat e hyrjes në SHBA, turistët duhet të dorëzojnë historikun 5-vjeçar të rrjeteve sociale

Share

Administrata e Presidentit Donald Trump po përgatit një ndryshim drastik në procedurat e hyrjes në Shtetet e Bashkuara, duke synuar miliona turistë që udhëtojnë pa viza.

Sipas një propozimi të ri nga Dogana dhe Mbrojtja Kufitare (CBP), udhëtarëve mund t’u kërkohet të dorëzojnë historikun e tyre 5-vjeçar të rrjeteve sociale si kusht për të shkelur në tokën amerikane.

Masa e re do të godasë qytetarët e rreth 40 vendeve që aktualisht përfitojnë nga Programi i Heqjes së Vizave (Visa Waiver Program), përfshirë Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Australinë dhe Japoninë. Këta udhëtarë, të cilët përdorin Sistemin Elektronik për Autorizimin e Udhëtimit (ESTA) për qëndrime deri në 90 ditë, do të përballen me kërkesa të reja burokratike.

Aktualisht, ESTA kushton 40 dollarë dhe kërkon të dhëna bazike. Por, nëse propozimi miratohet, formulari do të kërkojë:

Të gjitha llogaritë e rrjeteve sociale të përdorura në 5 vitet e fundit.

Numrat e telefonit të 5 viteve të fundit dhe adresat e email-it të 10 viteve të fundit.

Informacion më i detajuar rreth anëtarëve të familjes.

Siguria Kombëtare Dokumenti citon një urdhër ekzekutiv të Presidentit Trump për mbrojtjen e SHBA-së nga “terroristët e huaj”.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) argumenton se kjo masë është e nevojshme për të identifikuar kërcënimet e mundshme, individët që mbështesin terrorizmin ose ata që kanë shfaqur sjellje të dhunshme antisemite.

Kjo vjen në një kohë kur SHBA po përgatitet për ngjarje madhore globale, si Kupa e Botës 2026 dhe Lojërat Olimpike 2of28 në Los Angeles.

Propozimi, i cili është i hapur për komente publike për 60 ditë, ka ngjallur shqetësime të forta.

Sophia Cope nga “Electronic Frontier Foundation” paralajmëroi se ky plan mund të dëmtojë rëndë liritë civile dhe të drejtat digjitale të individëve.

Ekspertët ligjorë dhe Këshilli Botëror i Udhëtimeve druajnë se burokracitë shtesë do të dekurajojnë vizitorët. SHBA parashikohet të jetë e vetmja ekonomi e madhe me rënie të shpenzimeve nga vizitorët ndërkombëtarë në vitin 2025.

Përveç turistëve, masa të ngjashme për kontrollin e “pranisë online” janë paralajmëruar edhe për aplikantët e vizave studentore dhe atyre të punës, duke sinjalizuar një epokë të re të “kufijve digjitalë” të fortifikuar nga Uashingtoni.


Start News

Reklama
Back to top button