Aktualitet dhe Lajme

Arrestohet 25-vjeçari në Mirditë, iu gjetën targa makinash të vjedhura që do përdoreshin për ngjarje kriminale

Share

Një 25-vjeçar në Mirditë i identifikuar si Rahman Rama është arrestuar nga policia. I riu u ndalua nga uniformat blu në aksin rrugor “Krumë-Kukës” dhe gjatë kontrollit, në makinë iu gjetën targa makinash, që ishin vjedhur një ditë më parë. Sipas policisë, dyshimet janë se targat e vjedhura do të përdoreshin për ngjarje kriminale.

Si rezultat i punës së inteligjencës policore, kontrolleve dhe hetimeve që po kryhen me intensitet nga Policia e qarkut Lezhë, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë kanë goditur një rast të vjedhjes së targave të automjeteve, për t’i përdorur për qëllime kriminale. Për rastin u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi R. R., 25 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë së Mirditës, në bashkëpunim me ato të Policisë së Kukësit, kanë ndaluar në aksin rrugor “Krumë-Kukës”, automjetin tip “Golf” që drejtonte ky shtetas. Nga kontrollet në brendësi të automjetit u gjet një palë targa automjeti, që ishin denoncuar të vjedhura një ditë më parë, nga shtetasi V. N., banues në Mirditë, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për qëllime kriminale.

Targat u sekuestruan nga Policia, së bashku me automjetin tip “Golf”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button